Ndërlidhjet

Opozita humb bashkërendimin


Protesta e 9 janarit e opozitës në Prishtinë.

Protesta e 9 janarit e opozitës në Prishtinë.

Aktiviteti opozitar e ka humbur bashkërenditjen dhe se veprimet e njëanshme të disa prej figurave tjera opozitare, e që janë përsëritur disa herë me radhë, e kanë tronditur besimin tonë, deklaroi nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Çaushi në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të këtij subjekti politik.

Duke iu referuar dy partive të tjera opozitare, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, Çaushi tha se mosveprimet e duhura nga to, kanë rrezikuar kauzën opozitare.

“Në opozitën e bashkuar, gjithçka çka ne kemi kërkuar, ka qenë që vendimet t'i marrim së bashku, cilado që të jenë ato vendime . Por, kohëve të fundit është parë që jo të gjithë kanë dëshirë që vendimet të jenë të koordinuara dhe të përbashkëta", tha Çaushi.

Ai theksoi para të pranishmëve se Lëvizja Vetëvendosje nuk do të ndalet me aktivitetet e saj për të punuar në të mirën e vendit dhe duke mos lejuar, siç u shpreh ai, që marrëveshjet si ajo e arritur me Serbinë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, të zbatohen.

"Ne, si Vetëvendosje, jemi të detyruar që të vazhdojmë pa u ndalur. Kjo Qeveri që tani Thaçin e rehatoi në postin e presidentit, do të përpiqet të vazhdojë implementimin e projekteve të rrezikshme. Ne duhet të vazhdojmë të jemi të vëmendshëm dhe të gatshëm të mobilizohemi në protesta, edhe nëse Qeveria vendos që të çojë përpara këto marrëveshje kriminale në ndonjë periudhë ku vëmendja e publikut është e zvogëluar", u shpreh ai.

Qeveria aktuale gjatë kësaj kohe, theksoi Çaushi, e ka sjellë Serbinë në Kosovë dhe e ka larguar edhe më shumë Kosovën nga Shqipëria.

Asnjëherë nuk kemi pas një Qeveri kaq anti-shqiptare, por asgjë më e mirë nuk do të mund të vinte nga bashkimi i Thaçit - Mustafës dhe Veselit", theksoi Çaushi derisa përmendi largimin e disa anëtarëve të kryesisë së Vetëvendosjes me shtetësi nga Shqipëria, të cilët kohë më parë janë dëbuar në shtetin e tyre.

Në mbledhjen e 24 të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje zyrtarisht këtij subjekti politik iu bashkua deputetja Donika Kadaj-Bujupi, e cila deri me tash ka qenë shefe e Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Kadaj-Bujupi në fjalën e saj para të pranishmëve tha se iu bashkua Vetëvendosjes, pasi që u qëndroi besnike parimeve të veta.

“Jam me lëvizjen, e cila nuk u tundua asnjëherë për pushtet, por mbajti zotimin dhe përkushtimin për shtet. Me lëvizjen, e cila më priti ngrohtë në mesin e saj për të vazhduar bashkë deri në arritjen e qëllimit. Me lejoni të përfundoj fjalën time me atë se po të më jepej një mundësi në mes të paqes dhe të së drejtës, do të zgjedhja drejtësi. Në rrethanat e krijuara në Kosovë, unë kam zgjedhur drejtësinë”, tha Kadaj - Bujupi.

Partitë politike opozitare, pavarësisht ndasive, vazhdojnë të insistojnë në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, si zgjidhje e vetme për të dalë, siç thuhet, nga kriza politike, në të cilën është futur Kosova.

Sipas opozitës, pa largimin e Qeverisë aktuale, e cila udhëhiqet nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk mund të ketë ndryshime pozitive në Kosovë.

Opozita kundërshton marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Partitë opozitare thonë se ato marrëveshje janë të dëmshme për tërësinë territoriale të Kosovës.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG