Ndërlidhjet

Luftimi i korrupsionit fillon nga gjyqësori deri te nivelet më të larta


Zbatimi i ligjit, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit brenda dhe jashtë sistemit të drejtësisë në Kosovë, është rruga e vetme për të sjellë mirëqenie për qytetarët e këtij vendi, kanë deklaruar ambasadorë të akredituar në Prishtinë.

Sipas tyre, luftimi i këtyre dukurive do t’u hapte rrugë investimeve të huaja dhe do të përshpejtonte rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Në një debat me temën, “Korrupsioni në Kosovë - Luftimi apo promovimi i korrupsionit”, organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie dhe ai britanik, Ruairi O’ Connell, kanë theksuar se niveli i lartë i korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk duhet pranuar dhe duhet të punohet që të ndryshohet kjo gjendje.

Ambasadori amerikan, Greg Delawie, ka thënë se zhdukja e tërësishme e korrupsionit është e pamundur të ndodhë, por ajo që mund të pritet, ka vijuar ai, është luftimi i kësaj dukurie.

Luftimi i korrupsionit, ka shtuar ai, nënkupton përkushtimin e qeverisë, shoqërisë civile dhe të gjithë mekanizmave përkatës.

Kurse hapi tjetër, sipas ambasadorit Delawie, ka të bëjë me përkushtimin e plotë të luftimit të korrupsionit brenda sistemit gjyqësor.

Mes tjerash, ai ka nënvizuar se korrupsioni dëmton gjithë Kosovën dhe zhvillimin e saj si shtet dhe shoqëri.

“Korrupsioni është problem i madh për Kosovën, i zvogëlon investimet e huaja, shton papunësinë dhe minon sundimin e ligjit. Po ashtu, ngadalëson përparimin e Kosovës në rrugën drejt integrimeve evropiane”, ka thënë Delawie.

“Zyrtarët publik të akuzuar për korrupsion duhet të suspendohen përderisa rastet të mos zbardhen”, ka thënë Delawie.

Monitorimi i drejtpërdrejtë i bërë sistemit prokurorial dhe sistemit gjyqësor nga Instituti i Kosovës për Drejtësi i publikuar të mërkurën, ka vënë në pah se Kosova vuan nga mungesa e vullnetit për të luftuar korrupsionin në praktikë, në të gjitha hallkat e pushtetit.

“Luftimi i korrupsionit të nivelit të lartë mbetet retorikë, përderisa rezultatet konkrete mungojnë. Subjekt i hetimeve dhe ngritjes së aktakuzave për korrupsion, vazhdojnë të mbesin personat e profilit të ulët, eventualisht të mesëm dhe personat të cilët janë zhveshur nga pushteti apo përkrahja politike”, thuhet në këtë monitorim.

Ndërkaq, ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë Ruairi O Connell, u ka bërë thirrje autoriteteve kompetente që të luftojnë krimin dhe korrupsionin në Kosovë.

Sipas tij, është koha që Kosova të ketë një shtet ligjor, ku sundon ligji dhe ku askush nuk është mbi ligjin.

“Ju Inkurajoj që të gjithë ju gjykatësit e ndershëm të Kosovës (heronjtë e Kosovës) të luftoni krimin duke denoncuar të gjithë ata që janë të përfshirë në krim dhe korrupsion. Ne kemi një interes të përbashkët, nëse dështon sundimi i ligjit në Kosovë ju do të vuani nga shumë probleme, nga krimi i organizuar dhe korrupsioni dhe edhe më keq”, ka thënë ambasadori Ruairi O’Connell.

O'Connell thotë se ndihet i shqetësuar kur dëgjon shumë lajme të argumentuara që flasin për dështimin e sistemit të drejtësisë dhe për instalimin e kulturës së pandëshukeshmërisë në sistemin e drejtësisë.

Sipas tij, qytetarëve të Kosovës iu kthehet shpresa vetëm duke respektuar ligjin dhe duke luftuar të korruptuarit.

“Vetëm në vendet ku ka respektim të sundimit të ligjit ka investitorë. Investitorët duhet të të ndihen të sigurt që të investojnë më shumë në Kosovë, ju jeni ata që i ofroni sigurimin juridike duke luftuar të paprekshmit brenda dhe jashtë sistemit të drejtësisë. Drejtësia duhet të veprojë, nuk duhet të njeh emra dhe pozita, por duhet ti njoh kryerësit e veprave të cilët duhet t’i ndjekë dhe t’i gjykojë”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër, Nehat Idrizi, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës ka theksuar se korrupsioni si fenomen është i pranishëm në Kosovë dhe se po punohet në vazhdimësi në luftimin e kësaj dukurie.

“Korrupsioni nuk mund të luftohet lehtë, këtu duhet një angazhim i të gjitha institucioneve, në radhë të parë i institucioneve të sundimit të ligjit, por edhe të të gjitha institucioneve tjera që të luftohet kjo dukuri”, ka theksuar ai.

Ndryshe, në raportet ndërkombëtare, përfshirë edhe atë të Transparency International, që masin perceptimet e qytetarëve, Kosova vlerësohet me nivelin më të lartë të korrupsionit në rajon.

Raporti i progresit i Komisionit Evropian për Kosovën, ka adresuar qartë kërkesën për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Kosovë.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG