Ndërlidhjet

logo-print

IS-i, larg nga të qenët i vdekur

  • RFE /RL

Ilustrim

Ilustrim

Më 29 qershor të vitit 2014, kur Abu Bakr al-Baghdadi ka mbajtur fjalim nga Xhamia e Madhe e al-Nurit në Mosul të Irakut, duke njoftuar për krijimin e një kalifati islamik, ai veçmë i ka pasur shenjat dallues të një shteti.

Ka pasur kufij, ku patrullonin agjentët e tij. Ka pasur ushtri, njësite të forcave speciale, polici, aparat të inteligjencës, zyrë për media, mbledhës të taksave, inxhinierë dhe politikë të jashtme dhe të brendshme.

Ndryshe nga paraardhësit e tij në Al Kaida, të cilët kanë krijuar shtet vetëm në mendjet e ndjekësve, Shteti Islamik i al-Baghdadit ka arritur të kapë dhe të sundojë territore, e jo vetëm qytete individuale apo lagje.

Shtetet e Bashkuara llogarisin se forcat kurde dhe ushtria irakiane kanë kthyer 40 përqind të territorit që është kontrolluar nga Shteti Islamik. Një zyrtar amerikan i mbrojtjes ka thënë së voni se të ardhurat e Shtetit Islamik nga nafta janë shkurtuar për 50 përqind.

Gjenerali amerikan, Peter Gersten, ka thënë se sulmet ajrore të koalicionit ndërkombëtar kanë shkatërruar 800 milionë dollarë, para të gatshme, që Shteti Islamik i ka fshehur në shtëpi të ndryshme.

Sipas tij, dezertimet nga grupi ekstremist janë rritur për 90 përqind. Gersten ka thënë se ka pasur rënie masive të numrit të luftëtarëve të huaj në Shtetin Islamik, nga rreth 2,000 në muaj një vit më parë, në rreth 200 sot.

Për t’i bërë gjërat edhe më keq, shumë udhëheqës të lartë të grupit militant janë vrarë nga sulmet ajrore të koalicionit. Në muajin mars është vrarë Abd al-Rahman Mustafa al-Qaduli, financier i lartë i Shtetit Islamik.

Një tjetër sulm ka vrarë Omar al-Shishanin, “ministrin e luftës” për Shtetin Islamik.

Megjithatë, pavarësisht disfatave ushtarake që ka vuajtur Shteti Islamik, ai është larg nga të qenët i vdekur. Sfida të mëdha mbeten për Shtetet e Bashkuara.

SHBA ka pasur prani ushtarake në një formë ose në një tjetër në Siri për disa muaj. Por, problemi kryesor është se SHBA nuk ka inteligjencë të mjaftueshme në terren për t’i drejtuar në mënyrë efektive sulmet ajrore.

Sipas shifrave të fundit të Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara, koalicioni ndërkombëtar ka kryer 91,000 fluturime dhe vetëm 12,000 sulme ajrore. Dhe, përdërisa Shteti Islamik tkurret në fushën e betejës, do të jetë edhe më vështirë për të gjetur, identifikuar dhe shkatërruar caqet e tij nga ajri.

Për të mposhtur Shtetin Islamik, Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë përpjekje të përsosin taktikat e tyre. Grupi ekstremist është duke bërë ende avancime. Më 27 prill është raportuar se ai ka kapur pesë fshatra në Siri që kontrolloheshin nga rebelët anti-regjim.

Shteti Islamik ka dëshmuar aftësitë e tij për t’u përshtatur edhe ndaj fitoreve, edhe ndaj humbjeve.

Pavarësisht fitoreve ushtarake kundër Shtetit Islamik, gjatë 20 muajve të kaluar, edhe komandantët e koalicionit të SHBA-së pranojnë se ka sfida të reja përpara.

Shteti Islamik tani është duke shfrytëzuar dobësinë ushtarake të njërit prej armiqve kryesorë – rebelëve anti-regjim – dhe është duke gërmuar në pozicionet e tyre në Siri dhe Irak. Faza e ardhshme e kësaj lufte është pak a shumë e hapur. Shteti Islamik e di se stuhia është pranë dhe është duke u përgatitur me ofensiva të reja.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG