Ndërlidhjet

Për Evropën, 2015-a viti më vdekjeprurës nga terrorizmi


Bruksel, mars 2016

Bruksel, mars 2016

Terrorizmi u bë më i frikshëm e më i afërt për Evropën, kur militantë të grupit Shteti Islamik lanë të vrarë 130 njerëz nëntorin e vitit 2015 në Paris. Në atë kohë, francezët ende flisinin për sulmin e janarit të atij viti në gazetën satirike franceze “Charlie Hebdo”, ku dy vëllezër, që thonin se i takonin grupit terrorist Al-Qaeda, vranë 11 njerëz.

Pastaj, 2016-a veçse rriti frikën e panikën në mesin e evropianëve, kur persona të tjerë, të identifikuar si pjesëtarë të Shtetit Islamik, kryen sulme terroriste në aeroportin dhe stacionin e metrosë në Bruksel. Edhe këtu mbetën të vrarë 32 njerëz.

Dyshohet se vëllezërit Khalid dhe Brahim el-Bakraoui realizuan sulmet vetëvrasëse më 22 mars në kryeqytetin belg.

Ndërsa, Mohamed Abrini e ka pranuar se është bombarduesi i tretë që është kapur nga kamerat e sigurisë në aeroportin e Brukselit, por që ka ikur pa e hedhur veten në erë.

Mediat franceze kanë cituar një burim të inteligjencës të ketë thënë se edhe ‘vende të tjera’ evropiane, përveç Belgjikës, ishin në planet e sulmuesve dhe se Britania e Madhe ishte përmendur si cak i mundshëm për sulme.

Gazeta e përditshme britanike “Independent” citon prokurorët belgë të kenë thënë se Abrini e ka pranuar se grupi ishte duke planifikuar edhe sulme të tjera në Francë. Një deklaratë e hetuesisë thotë se më vonë ata kishin vendosur ta sulmonin Belgjikën në vend të Francës, sepse ishin ‘habitur’ me shpejtësinë e hetimeve të policisë.

“Independent” shkruan se ata kishin dashur që sulmi të përkonte me kampionatin evropian të futbollit, që pritet të nisë në Francë më 10 korrik, me shpresën që autoritetet do të frikësoheshin e do ta anulonin këtë garë të njohur.

Ndërkohë, i dyshuari kryesor për sulmet e nëntorit në Paris mbetet Salah Abdeslami. Muajin e kaluar, katër ditë para sulmeve të Brukselit, ai u arrestua nga policia belge dhe tani po mbahet në një burg të sigurisë së lartë në qytetin Bruges në Belgjikë.

Duke komentuar sjelljen e tij në burg, mediat belge citojnë gardianët e burgut të kenë thënë se Abdeslam është shembull për të burgosurit e tjerë, duke lavdëruar sjelljen e tij prapa grilave. Ai tani kontrollohet çdo shtatë minuta, në pritje të ekstradimit të tij në Francë.

Sipas gazetës britanike “The Times”, nëse Abdeslam shpallet fajtor në Francë për organizim të sulmeve të Parisit, ai rrezikon burgim të përjetshëm.

E përditshmja britanike “Daily Telegraph” e quan vitin 2015 si më vdekjeprurësin në Evropë në më shumë se një dekadë, me të shtënat që janë zëvendësuar me sulmet me bombë, duke e konsideruar këtë si kërcënimin më të madh për Perëndimin.

Kjo e përditshme thirret në raportin e “Grupit për Vlerësimin e Rreziqeve”, sipas së cilit terroristët tashmë synojnë sulme ndaj civilëve dhe tubimeve publike në Perëndim. Hulumtimi thotë se që nga viti 2013, tani shihet një rritje në shkallën globale të rrezikut nga terrorizmi, me 18 vende që preken nga rritja e kësaj shkalle të nivelit të rrezikut, përfshirë Belgjikën dhe Suedinë.

Përgatiti: Valjeta Kosumi
XS
SM
MD
LG