Ndërlidhjet

logo-print

Serbët e Kosovës kërkojnë liberalizim të veçantë


Ilustrim

Ilustrim

Pas propozimit pozitiv për liberalizim vizash për Kosovën nga Komisioni Evropian, lëvizja e qytetarëve të Kosovës pa regjim vizash do të jetë e mundur së shpejti, por vetëm me pasaportë biometrike të Republikës së Kosovës.

Një ditë pasi Komisioni Evropian dha propozimin pozitiv për liberalizim vizash për Kosovën, komisioneri për Çështje të Brendshme, Migracion dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos, pati theksuar se BE-ja do të pranojë vetëm pasaportat biometrike të Kosovës, për shtetasit e saj.

Por, një vendim i tillë, ka shqetësuar përfaqësuesit e komunitetit serb në institucionet e Kosovës, të cilët vlerësojnë se kjo do t’u krijojë vështirësi serbëve që jetojnë në Kosovë dhe të cilët e gëzojnë të drejtën e dyshtetësisë. Sipas tyre, ata kanë pasaporta të Serbisë, të lëshuara nga Qendra Koordinuese e këtij shteti.

Branimir Stojanoviq, zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës, nga radhët e Listës Serbe, duke folur për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se duhet gjetur një zgjidhje për këta qytetarë që, siç thotë ai, të mos diskriminohen.

“Duhet të mundësohet për të gjitha pasaportat, edhe për ato që i lëshon Qendra Koordinuese ose ndonjë drejtori tjetër. Për ne, kjo është çështje teknike. Është krejtësisht e pakuptimtë. Paramendojeni që kjo të zhvendoset në terrenin që pasaportat e ndonjë vendi evropian nuk vlejnë, atëherë kur i lëshojnë për qytetarët që në mënyrë administrative nuk janë të barabartë ashtu sikurse të gjithë qytetarët tjerë. E rëndësishme është që kjo të tejkalohet. Në këtë kuptim, unë do të përpiqem që me përfaqësuesit e bashkësive tjera të bisedojmë me Bashkimin Evropian dhe t’i motivojmë ata që të barazohet ai status”, ka thënë Stojanoviq.

Ai ka shtuar se do të ishte korrekte që edhe përfaqësuesit e shqiptarëve të mos kenë kundërshtime dhe të japin një rekomandim të tillë.

Ditë më parë, Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, përmes një komunikate për medie, pati theksuar se “Beogradi do të kërkojë nga Bashkimi Evropian që liberalizimi i vizave të vlejë edhe për popullin serb që jeton në Kosovë, pavarësisht dokumentit që posedojnë”.

Sipas tyre, liberalizimi i vizave nuk duhet të vlejë për “llojin e dokumentit” por për “të gjithë banorët e territorit, të cilit i është dhënë liberalizimi”.

Në anën tjetër, Petar Miletiq, ish-nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se me liberalizimin e vizave “humbësit më të mëdhenj”, sipas tij, janë serbët që jetojnë në Kosovë, por edhe ata që janë të zhvendosur nga Kosova.

“Serbët e Kosovës, të paktën, e kanë mundësinë që ta marrin pasaportën e Kosovës dhe kjo u është lënë në zgjedhjen e tyre, e duan apo nuk duan një gjë të tillë. Por, ata që e kanë braktisur Kosovën pa vullnetin e tyre, në vitin 1999 dhe tash jetojnë nëpër qytetet e Serbisë qendrore, si dhe mund ta marrin vetëm atë pasaportë që e lëshon Qendra Koordinuese, do të jenë e vetmja popullatë në Evropë që do të mbetet pa liberalizim. Unë mendoj se kjo është e padrejtë”, ka theksuar Miletiq.

Edhe ai shpreh mendimin se duhet pranuar pasaportat që lëshohen nga Qendra Koordinuese.

Por, ministri i Punëve të Brendshme i Qeverisë së Kosovës, Skënder Hyseni, i cili të hënën u ka bërë thirrje qytetarëve serbë të Kosovës që të pajisen me pasaportat biometrike të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se porosia e komisionarit Avramopoulos ka qenë e qartë.

“Me një pasaportë biometrike, secili qytetar i Kosovës mund të udhëtojë. Nuk dua të jap asnjë koment në spekulimet politike - teknike të autoriteteve të Beogradit. Komisioneri Avramopuluos ka qenë shumë i saktë në deklarimet e tij, shumë preciz dhe absolutisht në pajtim me çdo normë të sjelljes politike dhe teknike. Kështu që,regjimi i udhëtimit pa viza për qytetarët e Kosovës vlen për të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë një pasaportë biometrike të Republikës së Kosovës”, tha ministri Hyseni.

Ai ka shtuar se liberalizimi i vizave për Kosovën vlen për të gjithë qytetarët e saj, pa dallim etnie apo fetare. Sipas tij, është kriter teknik dhe politik që banorët e një shteti nuk mund të udhëtojnë si qytetarë të një shteti tjetër dhe me pasaportë të shtetit tjetër.

Sidoqoftë, propozimi i Komisionit Evropian për liberalizim vizash për Kosovën pritet të miratohet në një kohë të afërme edhe nga Këshilli i Bashkimit Evropian dhe Parlamenti Evropian.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG