Ndërlidhjet

Kosova, anëtarja më e re e FIFA-s


Pas UEFA-s, në pritje të FIFA-s
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:54 0:00

Pranimi në UEFA – njërën prej gjashtë konfederatave kontinentale të FIFA-s – ishte kushti i parë për anëtarësim në organizatën botërore të futbollit.

Kosova është bërë anëtarja e 210-të e Federatës Botërore të Futbollit.

FIFA e ka pranuar Federatën e Futbollit të Kosovës si anëtare me të drejta të barabarta.

Prej 205 votave, sa ka qenë totali i tyre në Kongresin e 66-të të FIFA-s, që është mbajtur në Meksikë, 141 kanë shhkuar në favor të Kosovës.

Fadil Vokrri, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës, i ka falënderur të gjitha vendet që kanë votuar në favor të pranimit të Kosovës në FIFA dhe ka thënë se Kosova do të përkushtohet për të ngërthyer vlerat që prezanton kjo organizatë.

“I falënderoj të gjithë që na kanë mbështetur, administruesit, lojtarët dhe ata që i duartrokitën këtij vendimi. Lojtarët e vendit tim kanë pritur mjaft gjatë për këtë vendim, që të jenë pjesë e familjes së futbollit. Po flasim për një regjion që jo larg ka kaluar nëpër luftë dhe po flas në emër të atij regjioni, duke iu përkushtuar vlerave të FIFA-s”, ka deklaruar Vokrri.

Kryetari i FIFA-s, Gianni Infantino, i është përgjigjur, duke thënë se shpreson që “ky vendim do t’i kontribuojë ndërtimit të urave”.

Zëvendëspresidenti i Federatës Serbe të Futbollit, Zhelko Kojiq, para votimit, ka thënë se Serbia ka dyshime të bazuara lidhur me ligjshëmërinë e vendimit për pranim të Kosovës në UEFA dhe e kundërshton atë.

Ai gjithashtu u ka bërë thirrje vendeve anëtare të FIFA-a që të mos votojnë për pranimin e Kosovës në këtë mekanizëm.

Sidoqoftë, Kosova tani është anëtare FIFA-s dhe vetëm dhjetë ditë më parë, ajo është pranuar në Federatën Evropiane të Futbollit - UEFA.

Menjëherë pas publikimit të rezultatit të votimit në Konferencën e FIFA-s, nënkryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ky është një moment i gëzueshëm dhe i shënuar për Kosovën dhe futbollin e saj.

Por, e veçanta e këtij momenti, sipas tij, është se 86 përqind e anëtarëve të FIFA-s kanë votuar për Kosovën.

“Krejt kjo tregon që është mbivotuar një e padrejtë që i është bërë Kosovës deri më tani dhe realisht është shpërblyer një drejtësi paksa e vonuar, pasi nuk janë pak 25 vjet në geto...dhe ne do t’ia shpërblejmë me punë, angazhim dhe rregullsi, në të mirë të futbollit të Kosovës...dhe do të jetë e bindur edhe vetë FIFA dhe të gjithë ata delegatë që kanë votuar për pranimin e Kosovës”, ka thënë Ademi.

“Shpresoj që do të jemi pjesë e një mozaiku të futbollit të FIFA-s, UEFA-s dhe të botës”, ka shtuar ai.

Edhe përzgjedhësi i përfaqësueses kombëtare të Kosovës në futboll, Albert Bunjaku, i cili aktualisht është në Suedi, duke folur për Radion Evropa e Lirë e ka përshkruar momentin e pranimit të Kosovës në FIFA si mjaft emocional.

“Në këtë moment i mendoj të gjitha ata që e dhanë jetën për Kosovën dhe lirinë tonë, e që faktikisht edhe sporti është pjesë e lirisë; e pastaj, të gjithë ata që për vite me radhë e mbajtën sportin gjallë, e deri te gjeneratat e fundit, në krye me kryetarin Vokrri, që kanë bërë një punë shumë të madhe.”

“Tani na pret një punë shumë e madhe dhe unë jam mjaft optimist, sepse ky vend di të japë shpresë për rininë kosovare. Kjo është shumë me rëndësi”, ka thënë Bunjaku.

Pranimi në UEFA – njërën prej gjashtë konfederatave kontinentale të FIFA-s – ishte kushti i parë për anëtarësim në organizatën botërore të futbollit.

FIFA, tani 210-anëtarëshe, përfshin vende nga e gjitha bota dhe turneu i saj kryesor është Kupa e Botës, e cila organizohet çdo katër vjet.

Pranimi në FIFA do t’i hapë rrugën kombëtares kosovare që të marrë pjesë në kualifikimet për Kupën e Botës më 2018, të cilat nisin në shtator.

Janë disa lojtarë kosovarë që luajnë dhe kanë shënuar suksese me kombëtare të tjera. Rregullat e FIFA-s nuk i lejojnë lojtarët të ndryshojnë angazhimet e tyre, por ka spekulime se në rastin e Kosovës mund të bëhen përjashtime.

Një gjë e tillë do të kishte ndikim të madh në ekipet kombëtare të Zvicrës dhe Shqipërisë, të cilat kanë numër të madh të lojtarëve me rrënjë kosovare.

Në rastin e Zvicrës bëjnë pjesë lojtarë si Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri e Valon Behrami, ndërsa kapiten i kombëtares shqiptare është Lorik Cana.

Çështja e lëvizjes së tyre nga njëra kombëtare në tjetrën është ngritur, por nuk është zgjidhur kur Kosova është zgjedhur anëtare e UEFA-s, javën e kaluar.

Me statutin e FIFA-s, lojtarët që janë të përshtatshëm për më shumë se një vend, lejohen të lëvizin vetëm një herë dhe vetëm nëse paraqitja e tyre për vendin e parë nuk ka qenë një ndeshje e madhe, me konkurrencë ndërkombëtare. Tani, FIFA duhet të vendosë se çfarë të bëjë me lojtarët që më herët nuk e kanë pasur Kosovën opsion.

FIFA është themeluar në vitin 1904, ndërsa Kupa e parë e Botës është mbajtur në vitin 1930, në Uruguaj.

XS
SM
MD
LG