Ndërlidhjet

Pas FIFA-s, qasje e re


Ilustrim
Ilustrim

Anëtarësimi i Kosovës në Federatën Botërore të Futbolli (FIFA), është moment historik për vendin dhe futbollin e tij, si dhe përmbyllë fazën e ndërkombëtarizimit të sporteve të Kosovës.

Por, tashmë nis një etapë e re për futbollin e Kosovës, vlerësojnë përfaqësuesit e Federatës dhe ekspertët e këtij sporti në vend dhe sipas tyre, duhet edhe qasje e re për zhvillimin e futbollit.

Se Kosova ka nevojë për infrastrukturë më të mirë për gara ndërkombëtare, është fakt të cilin e ka përmendur edhe Senes Erzik nga Komiteti ekzekutiv i FIFA-s, gjatë paraqitjes së raportit për Kosovën në Kongresin e 66-të, të kësaj organizate, para se të votohej për pranimin e Kosovës.

“Më e rëndësishmja është se ekziston pasion i madh për futbollin në vend dhe potencial i madh për zhvillim në rast se Federata e Futbollit e Kosovës merr mbështetjen dhe ndihmën për të cilën ka nevojë”, ka thënë Erzik.

Me konstatimin e Erzikut pajtohet edhe nënkryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thekson se tashmë ka nisur një epokë e re për futbollin e Kosovës.

“Me plot të drejtë e ka thënë ai (Erzik), sepse dallimin që e kemi ne nga shumë shtete, është se ne talentet i kemi, por infrastrukturën nuk e kemi. Por, nëse e kemi talentin, shpresoj shumë në organet tona qeverisëse në Qeveri, të cilat kanë premtuar. Thënë të drejtën, ato tashmë e kanë filluar punën rreth kësaj infrastrukture dhe realisht, do të bëhet një infrastrukturë solide dhe e pranueshme me normat e FIFA-s dhe UEFA-s, për një periudhë shumë të shpejtë”, thotë Ademi.

Pranimi në FIFA do t’i hapë rrugën kombëtares së Kosovës që të marrë pjesë në kualifikimet, të cilat nisin në muajin shtator, për Kupën e Botës që mbahet më 2018 në Rusi.

Ademi shton se deri në muajin shtator, kur nisin këto kualifikime, pritet që stadiumet në Mitrovicë dhe në Prishtinë të jenë të gatshme për takimet që mund t’i zhvillojë Kosova në kuadër të këtyre kualifikimeve.

Në përfaqësuese të ndryshme të botës, por kryesisht në vendet evropiane, aktualisht janë një numër i konsiderueshëm lojtarësh, që vlerësohen tejet kualitativ, të cilët janë nga Kosova ose me origjinë nga Kosova. Ata luajnë në kombëtaret e vendeve ku jetojnë.

Por, a do t’i ftojë Federata e Futbollit të Kosovës lojtarët e tillë që t’i bashkohen vendit prej ku i kanë rrënjët?

Përzgjedhësi i përfaqësueses së futbollit të Kosovës, Albert Bunjaku, thotë për Radion Evropa e Lirë se ftesa ka qenë dhe vazhdon të jetë për të gjithë ata lojtarë, të cilët mendojnë dhe dëshirojnë të jenë pjesë e përfaqësueses së Kosovës, në përputhje me profilin që kërkon kjo kombëtare.

Megjithatë, sipas tij, është çështje individuale se si do të vendosin ata, varësisht se në cilat kombëtare gjenden ata aktualisht

“Unë mendoj se pas pranimit, është edhe një mundësi e madhe që Kosova të bashkojë lojtarët që më herët kanë qenë të ndarë, për çështje të ndryshme. Kjo është një mundësi e mirë".

"Mirëpo, në momentin në të cilin gjendemi, duhet të jemi të kujdesshëm, sidomos me lojtarët që janë në prag të Kampionatit Evropian, ngase është në interesin e tyre që së pari ata të përqendrohen dhe fokusohen njëqind për qind në performancë profesionale, në Kampionatin Evropian”.

“Pas këtij kampionati, dyert e kombëtares së Kosovës janë të hapura për të gjithë ata që mendojnë dhe dëshirojnë shtetin ku kanë lindur apo prej nga vijnë, e sidomos për lojtarët që ngritin konkurrencën brenda grupit”, deklaron Bunjaku.

Ngjashëm shprehet edhe Ademi, i cili thotë se do t’i dëshirojnë mirëseardhje secilit lojtar që dëshiron të luajë për kombëtaren e Kosovës, por nuk do ta obligojnë asnjë, sepse ata duhet të vendosin vetë.

Të premten, më 13 maj, Federata Botërore e Futbollit (FIFA) e ka pranuar Federatën e Futbollit të Kosovës me 86 për qind të votave apo 141 vota prej 205 votave sa ishin gjithsej në Kongresin e 66-të, të FIFA-s, i cili u mbajt më 12 dhe 13 maj në Meksikë.

Kosova është bërë anëtarja e 210 e kësaj organizate botërore të futbollit.

XS
SM
MD
LG