Ndërlidhjet

logo-print

Presionet ndërkombëtare, faktor në zgjidhjen e krizës


Protestat në Shkup

Protestat në Shkup

Roli i faktorit ndërkombëtar lidhur me krizën në Maqedoni duket të jetë kyç, pas vendimit të VMRO-DPMNE-së, që e vetme të shkojë në zgjedhjet parlamentare, më 5 qershor.

Nismat e BDI-së, që përmes Gjykatës Kushtetuese të anulojë vendimin për shpërbërjen e Kuvendit dhe tjetra e një partie më të vogël, për mbledhjen e 62 firmave të deputetëve për thirrjen e seancën, vështirë se do të rezultojnë me sukses, thonë njohësit e çështjeve politike.

Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Mersel Bilalli, thotë se java e ardhshme mund të jetë vendimtare, pasi diplomati gjerman, Johannes Haindl, pritet të kthehet me vendime të prera për partitë.

“Mendoj se presioni është i madh edhe pse nuk është shumë i dukshëm. Përfaqësuesi gjerman, i cili të enjten dhe të premten ishte këtu, sipas informatave relevante ka shtruar problemin shumë strikt, në pika të caktuara duke vepruar në stilin, pas një jave kthehem dhe do të tregoni se e pranoni apo nuk e pranoni zgjidhjen. Pas kësaj vlerësoj se do të pasojnë sanksione shumë të fuqishme, të cilët besoj se në fillim do të jenë personale kurse më vonë edhe shtetërore”, thotë Bilalli.

I pyetur lidhur me përfshirjen e diplomatit gjerman në zgjidhjen e krizës, në kohën kur aktivisht ishin të përfshirë ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së, Bilalli thotë se një hap i tillë është ndërmarrë në koordinim mes administratës amerikane dhe asaj gjermane për të eliminuar akuzat dhe pretendimet e ndryshme se gjoja Uashingtoni në bashkëpunim me BE-në, po punojnë për destabilizimin e vendit.

“Nga politika zyrtare këtu në Maqedoni, ato vazhdimisht satanizoheshin se SHBA-të apo Perëndimi është i interesuar të shkatërrojë vendin me ndihmën e opozitës dhe shqiptarëve, kështu që VMRO-ja e ka më të vështirë të satanizojë faktorin gjerman të cilin gjithmon e ka konsideruar si aleat andaj do të ishte kundërproduktive për të që të veprojnë njejtë edhe me gjermanët”, thotë Mersel Bilalli, njohës i çështjeve politike.

Ish diplomati, Nano Ruzhin, thotë se autoritetet maqedonase kanë dëshmuar se nuk janë të afta të zgjidhin qoftë edhe një problem, andaj përfshirja më e fuqishme ndërkombëtare është më se e domosdoshme.

Emërimi i diplomatit, Johannes Haindl, për të ndërmjetësuar krizën, flet qartë, sipas Ruzhinit, se bashkësia ndërkombëtare është e përkushtuar të ndihmoj vendin në kapërcimin e një prej krizave më të thella që nga viti 2001.

“Një prani e tillë e ndërkombëtarëve është më se e domosdoshme pasi për fatk të keq ne po tregojmë një paaftësi të madhe pasi qeverie po sillet me një kokëfortësi të madhe duke mos treguar as gatishmërinë më të vogël për plotësimin e kritereve të kërkuara, jo vetëm nga opozita, por edhe nga i tërë komuniteti ndërkombëtar".

"Pra, është me rëndësi se bashkësia ndërkombëtare nuk e ka harruar Maqedoninë duke e menaxhaur me sukses situatën e krijuar dhe pritet që të nisin të përmbushen kërkesat e parapara me Marrëveshjen e Përzhinës, pasi alternativë tjetër nuk ka”, thotë ish diplomati Nano Ruzhin.

Ai pret që kriza të nis të zgjidhet pas disa muajve, por jo më së voni se deri nga mesi apo fundi i vjeshtës.

Ndryshe, VMRO DPMNE-ja e Nikolla Gruevskit, thotë se pavarësisht presioneve do të merr pjesë e vetme në zgjedhje, por kjo nga analistët shihet si presion nga kjo parti për të nxjerrë një pozicion më të favorshëm, ku më kryesori është ai i ruajtjes së vendimit të presidentit për faljen e zyrtarëve, ku bën pjesë edhe vet Nikolla Gruevski.

Por, opozita si pikë të parë të kërkesës së saj, ka pikërisht anulimin e këtij vendimi, që edhe ka thelluar krizën. Opozita kërkon që të gjithë ata që janë nën hetimin e Prokurorisë Speciale të përgjigjen para drejtësisë.

Opozita kërkon edhe pastrimin e listave zgjedhore dhe kritere tjera, të parapara me marrëveshjen politike të vitit të kaluar. Kërkesat e saj mbështeten edhe nga komuniteti ndërkombëtar.

XS
SM
MD
LG