Ndërlidhjet

Lunacek: Pas propozimit për heqjen e vizave, topi në fushën e Kosovës


Eurodeputetja Lunacek, ia lë "topin në duar" qeverisë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:34 0:00

Eurodeputetja Lunacek, ia lë "topin në duar" qeverisë

Pas propozimit të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave, “topi tani është në fushën e Kosovës”, ka deklaruar eurodeputetja Ulrike Lunacek gjatë një konference për media në Prishtinë.

Ndërsa po mbante afër vetes një top futbolli me hartën dhe ngjyrat e Kosovës në kohën e pranimit në UEFA dhe FIFA, Lunacek potencoi se pas propozimit pozitiv nga Brukseli, Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës tani duhet të finalizojnë Marrëveshjen me Malin e Zi për Demarkacionin si dhe t’i shtojnë përpjekjet për ndjekjen dhe gjykimin e rasteve të krimit dhe korrupsionit.

Të dyja këto qëllime, janë vënë si kritere për përshpejtimin e zbatimit të procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Topi i mbetet ashtu edhe Parlamentit Evropian. Ne kemi nisur procedurat, dhe jam shumë optimiste që në Parlamentin Evropian gjithçka do të shkojë mirë. Pjesa tjetër që i mbetet "topi", është te Këshilli Evropian, ku vendet anëtare të BE-së duhet të votojnë si dhe Këshilli për Drejtësi dhe Punë të Brendshme”, ka deklaruar Lunacek.

Korniza kohore për liberalizimin e vizave për Kosovën mund të shkojë në disa muaj, kështu që eurodeputetja Lunacek, nuk ka mundur ta parashikojë se kur do të fillojë lëvizja e qytetarëve të Kosovës pa viza.

“Kanë mbetur edhe dy seanca plenare të Parlamentit para stinës së verës, kështu që nuk e shoh se mund të përfundojë aq shpejtë. Këshilli Evropian është pjesa më e vështirë, sepse ata duhet të votojnë. Disa nga këto shtete kanë shumë azilkërkues nga Kosova, kështu që iu bëj thirrje qytetarëve që të mos kërkojnë azil në vendet e BE-së, sepse vetëm e dëmton procesin e liberalizimit të vizave”, ka thënë ajo.

“Pjesa tjetër kryesore që duhet të bëhet ende shumë punë, janë marrëveshjet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Të dyja palët kanë ende punë për të bërë. Kosova sa i përket statutit të Asociacionit të komunave serbe, ndërsa Serbia duhet të bëjë më shumë për marrëveshjen e kodit telefonik, energjinë...”, ka theksuar Lunacek.

Ajo për qëndron në Kosovë në kuadër të një vizite që një delegacion i Parlamentit Evropian po ua bëjnë institucioneve të Kosovës për të diskutuar zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit.

“Me Marrëveshjen për Stabilizim Asocim është hera e parë që Bashkimi Evropian ka nënshkruar marrëveshje kontraktuale me Kosovën, dhe është pjesa ligjore e parë për Kosovën, për integrim në Bashkimin Evropian”, ka theksuar Lunacek.

Ajo është shprehur e kënaqur me faktin që në diskutimet për MSA-në dhe proceset euro-integruese po merr pjesë edhe opozita.

“Më vjen mirë që deputetët opozitarë, kur bëhet fjalë për integrim evropian, janë mbështetës të këtij procesi. Unë e shoh këtë si një fillim të mbarë dhe shpresoj që në çdo vendimmarrje në të ardhmen të gjithë deputetët do të marrin pjesë, duke mos bllokuar procedurat e Kuvendit”, është shprehur Lunacek.

Krejt në fund, Lunacek ka përgëzuar Kosovën edhe për pranim në UEFA dhe FIFA.

“E di që për ju dhe qytetarët e Kosovës, futbolli është shumë me rëndësi, jam shumë e lumtur që Kosova u pranua në UEFA, dhe tani në FIFA po ashtu, isha shumë e befasuar, pa i përmendur problemet e brendshme që ka FIFA. Është shumë me rëndësi që lojtarët e Kosovës do të marrin pjesë ne kampionatet botërore dhe evropiane”, ka thënë ajo.

Sipas eurodeputetes Lunacek, pranimi në federatat ndërkombëtare të futbollit do t’i mundësojë Kosovës që të zhvillojë ndeshje edhe me vendet që e kanë njohur apo nuk e kanë njohur atë si shtet.

Problemet politike, ka vijuar ajo, duhet të qëndrojnë jashtë sportit.

XS
SM
MD
LG