Ndërlidhjet

Liberalizimi nuk e bind opozitën për Demarkacionin


Protestë kundër qeverisë në Prishtinë për çështjen e demarkacionit - foto arkivi
Protestë kundër qeverisë në Prishtinë për çështjen e demarkacionit - foto arkivi

Ratifikimi i marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi për shënjimin e vijës kufitare është kusht për aplikimin e liberalizimit të vizave për Kosovën, ka porositur të hënën Komisionari për Politikë Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn.

Por, përfaqësuesit e partive opozitare e kanë quajtur këtë kusht si gabim dhe kanë ritheksuar vendosmërinë e tyre për ta kundërshtuar këtë marrëveshje.

Ardian Gjini, anëtar i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, i ka quajtur të gabuara edhe procesin e shënjimit të vijës kufitare me malin e Zi, por edhe kushtin, të cilin e ka përmendur komisionari Hahn.

“Është gabim krejt procesi i Komisionit shtetëror të Demarkacionit dhe është gabim edhe kushti që është vendosur, por edhe që qeveria e ka pranuar këtë kusht. Bile, ka zëra që thonë se qeveria e ka kërkuar vet që ta ketë këtë kusht. Mali i Zi nuk e ka pasur kusht Demarkacionin me Kosovën kur e ka marrë liberalizmin e vizave”.

Albulena Haxhiu, deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, thotë për Radion Evropa e Lirë se kushtëzimi i liberalizimit të vizave për Kosovën me ratifikimin e marrëveshjes për Demarkacion me Malin e Zi, është i padrejtë dhe, siç e ka quajtur ajo, standard i dyfishtë, i cili sipas saj po zbatohet ndaj Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian, në procesin e liberalizimit të vizave..

“Ne e dimë që po flitet se çështja e Demarkacionit do të vij shumë shpejt në Kuvend. Mirëpo, natyrisht që jemi të obliguar që të vazhdojmë, siç kemi bërë deri më tani, do të thotë, duke e kundërshtuar një marrëveshje që i falë mbi 8 mijë hektarë Malit të Zi. Ne nuk mund të falim territore në emër të liberalizimit të vizave. Unë nuk besoj që ka qytetarë, i cili kishte për të falur territor për ta marrë liberalizimin e vizave".

"Liberalizimin do ta marrim, jam shumë e bindur për këtë, mirëpo në asnjë mënyrë nuk duhet të lëshojmë pe sa i përket çështjes së Demarkacionit”, tha Gjini.

Në anën tjetër, për të përshpejtuar procesin për marrjen definitive të liberalizimit të vizave, Kuvendi i Kosovës do të duhej ta ratifikojë marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, para se të shkojë në pushimin veror.

Në Kuvendin e Kosovës nuk ka një përgjigje të saktë nëse ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi do të vihet në rend dite para pushimeve verore.

Qeveria e Kosovës nuk e ka proceduar ende Projektligjin për ratifikim të kësaj marrëveshje.

Por, edhe në rast se një seancë e tillë e Kuvendit do të mbahej para pushimeve verore, sipas Ardian Gjinit, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk do të marrë pjesë në çfarëdo seance, përfshirë edhe atë e cila do të thirrej eventualisht për ratifikimin marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me malin e Zi.

“Aleanca nuk merr pjesë në këto seanca dhe në atë votim. Ne nuk jemi kundër Demarkacionit të kufirit me malin e Zi, por jemi kundër Demarkacionit të gabuar”.

Haxhiu ka theksuar se deputetët e Lëvizjes vetëvendosje do të marrin pjesë në seancën e kuvendit të Kosovës kur do të votohet për ratifikimin e marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, por, sipas saj, vetëm për ta penguar një gjë të tillë.

“Ne e kemi obligim, para së gjithash dhe mbi të gjitha, që të mos lejojmë jetësimin e kësaj marrëveshje. Natyrisht që do ta pengojmë dhe do të kthehemi në Kuvend në qoftë se kjo çështje do të jetë si pikë rendit të ditës”.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, të hënën, pas takimit me komisionarin Hahn, ka hedhur poshtë pohimet se Qeveria e Kosovës ka kërkuar që ratifikimi i marrëveshjes për Demarkacion të kufirit me Malin e Zi, të jetë kusht për liberalizim të vizave.

Siç ka theksuar ai, në marrëveshjen me Malin e Zi, është paraparë se lëshimet eventuale të argumentuara mund të diskutohen me Malin e Zi, por marrëveshja nuk mund të rinegociohet.

XS
SM
MD
LG