Ndërlidhjet

Kuvendi voton për shtyrjen e zgjedhjeve në Maqedoni


Kuvendi i Maqedonisë

Kuvendi i Maqedonisë

Parlamenti i Maqedonisë me 96 vota pro ka votuar ndryshimet e kodit zgjedhor që mundëson shtyrjen e datës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 5 qershor.

Pas konstatimit të dorëheqjes së ministrit të Policisë, Oliver Spasvski, ministres për Punë dhe politikë sociale, Frosina Remenski, si dhe tre zv/ministrave të tjerë nga radhët e opozitës maqedonase, koordinatori i grupit parlamentar i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë tha se dorëheqjet ishin deponuar në rast se Maqedonia futet në zgjedhje dhe meqë zgjedhjet pezullohen atëherë me këtë veprim shkelet marrëveshja politike e Përzhinos duke e futur Maqedoninë si shtet në skenarë të errët.

“VMRO-DPMNE dhe BDI po e hedhin Maqedoninë në një skenar humbës dhe po shlyejnë qeverinë teknike, duke kthyer dhunshëm ish ministrat. Institucione në Maqedoni nuk ka. E keni rrezikuar të ardhmen e vendit dhe përgjegjësia për këtë ju takon juve. Po bëni krim mbi qytetarët e Maqedonisë”, është shprehur koordinatori i grupit parlamentar të LSDM, Goran Sugraevski, pas çka deputetët e opozitës maqedonase kanë lëshuar mbledhjen e kuvendit.

Ndërkohë deputeti i VMRO DPMNE-së të udhëhequr nga ish kryeminsitri Nikolla Gruevski tha se opozita maqedonase reagon me nervozizëm sepse, siç tha, ka frikë për t'u përballur me elektoratin në zgjedhje.

“Në Maqedoni nuk është problem lista zgjedhore, por rejtingu katastrofal i LSDM-së dhe frika e tyre për t'u ballafaquar me popullin”, tha Ilia Dimovski koordinator i grupit parlamentar të VMRO DPMNE-së.

Ndërkaq, koordinatori i grupit parlamentar të partisë shqiptare në pushtet, deputeti i BDI-së, Talat Xhaferi, tha se mbledhja e kuvendit ka për qëllim nxjerrjen e vendit nga kriza.

“Duke mos pasur një zgjidhje të qëndrueshme dhe një propozim konkret se kur mund të mbahen zgjedhjet e ardhshme, qofshin ato të regullta ose të parakohshme parlamentare, ideja është që dy nenet kritike që sanksionojnë çështjet e që kanë të bëjnë me datën e zgjedhjeve të parakoshme, tani të anuluara me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të vihen jashtë funksionit”, ka thënë kordinatori i grupit parlamentar të BDI-së, Talat Xhaferi.

Në mbledhjen e sotme të parlamentit nuk ka marë pjesë as Partia Demokratike Shqiptare. Lideri i kësaj partie, Menduh Thaçi, e ka kundërshtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Vendim më të 'gërditshëm' në karrierën time politike nuk kam parë. Ky vendim është marrëveshje e BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së që gjatë bisedimeve javën e kaluar mbrojtën qëndrim se nëse fillon punën parlamenti, atëherë duhet të kthehet qeveria e vjetër VMRO DPMNE-BDI që s'ka kurrfarë logjike për shkak se përgjegjësit kyesorë të kësaj situate, përkatsisht të kësaj krize, janë pikërisht këto dy parti".

"Të jemi korrektë, ka një pozitivitet të vogël në këtë situatë, debllokohet teknikisht situata, por politikisht ende nuk është debllokuar situata”, është shprehur Thaçi.

Ambasada amerikane në Shkup ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë për pezullimin e zgjedhjeve të 5 qershorit dhe vendimin për shpërndarjen e Kuvendit.

Edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Shkup, Charles Garrett, përmes një postimi në rrjetin social në Twiter, ka theksuar se duhet të shfuqizohet vendimi i presidentit Gjorgje Ivanov për faljen e politikanëve, duke theksuar rëndësinë e të qenët të barabartë para ligjit për të gjithë qytetarët.

"Falja duhet menjëherë të tërhiqet. Parimi themelor në demokraci është që të gjithë qytetarët të jenë të barabartë para ligjit”, ka shkruar në Twitter ambasadori britanik në Shkup Charles Garrett.

Ndërkohë në Shkup dhe disa qytete të Maqedonisë kanë vazhduar protestat e organizatave joqeveritare, të cilat mbahen nën moton “pa drejtësi nuk ka paqe” duke lëshuar para parlamentit dhe pjesë të bisedave të përgjura të publikuara nga opozita maqedonase, në bazë të të cilave pretendohet se zyrtarë të lartë të shtetit janë të përfshirë në afera të rënda korruptive.

Revolucioni shumëngjyrësh, më shumë se një muaj, organizohet nga lëvizja Protestoj, pjesë e së cilës janë mbi 80 organizata qytetare.

Lëvizja Protestoj ka theksuar se Gjykata Kushtetuese, me vendimin e sotëm për të ndërperë të gjitha aktivitetet zgjedhore, si dhe mbledhja e parlamentit kanë dëshmuar se gjërat mund të marrin një rrjedhë të mbarë, por protestat do të vazhdojnë gjersa mos të shfuqizohet vendimi i presidentit Gjorge Ivanov për abolim, gjykata kushtetuese të deklarohet për kushtetutshmërinë e Prokurorisë Speciale Publike, të formohet një departament special në Gjykatën Penale, i cili do të jetë kompetent për lëndët që janë nën kompetencën e Prokurorisë Speciale Publike, si dhe në bisedimet për zgjidhjen e krizës të kyçet dhe sektori civil.

Do thksuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe mbledhja e parlamentit është bërë gjatë realizimit të takimeve instenzive të zëvendës/ndihmës sekretarit të shtetit për Evropë dhe Azi në Departamentin e shtetit Hojt Brian Yee me liderët e katër partive politike kryesore nëshkruese të marrëveshjes së Përzhinos

Diplomati amerikan Hojt Brian Yee sot nuk ka bërë asnjë koment para mediave, ndërkohë që nga ambasada amerikane në Shkup është bërë e ditur se qëndrimet e tij Yee do t'i paraqesë nesër në orët e paradites.

XS
SM
MD
LG