Ndërlidhjet

“Ligji për falje duhet urgjentisht të tërhiqet ngase pengon sundimin e së drejtës”, ka porositur zyrtarët e Maqedonisë zëvendës-ndihmës sekretari për çështje Evropiane dhe Euro-aziatike i SHBA-së, Hoyt Brian Yee, duke kërkuar nga partitë politike dhe liderët t’i japin mbështetje të plotë institucioneve që janë përgjegjëse për zbatimin drejtësisë, duke përfshirë këtu edhe Prokurorinë Speciale.

“Nëse liderët tërheqin abolicionin pjesërisht ose në mënyrë selektive kjo do të kontribojë në krijimin e ndjesisë për mosndëshkim dhe mungesë përgjegjësie në shtet. Përderisa nuk ka llogaridhënie dhe ballafaqim me drejtësinë për keqpërdorimet e mundshme në lidhje me skandalin e përgjimeve dhe krimeve të tjera, Maqedonia do të mbetet e ngujuar në këtë krizë politike dhe nuk do të mundet të ecë përpara NATO-s dhe BE-së. “ ka theksuar për mediat zyrtari i lartë amerikan Hoyt Brian Yee pas takimeve intensive që ka realizuar gjatë dy ditëve në Shkup me liderët e katër partive politike nënshkruese të marrëveshjes së Përzhinos, duke theksuar se në të gjitha takimet në fokus ka qenë cështja e abolimit nga presidenti Gjorgje Ivanov.

Yee njëherësh u ka bërë thirrje partive politike dhe qeverisë së Maqedonisë “që me vepra dhe jo me fjalë” të angazhohen në zbatimin marrëveshjes politike, të njohur si marrëveshja e Përzhinës.

“Qeveria përmes veprave duhet ta dëshmojë përkushtimin e saj për të pasur një demokraci të fuqishme dhe pluralizëm, gjithashtu për të zbatuar reformat që u përcaktuan me Marrëveshjen e Përzhinës që nënkupton inkuadrimin e opozitës dhe sektorit civil në procesin e reformimit të vendit".

"U bëjmë thirrje liderëve të Maqedonisë të zbatojnë reformat e Përzhinës, t’i forcojnë institucionet për të ndërtuar një Qeveri përfshirëse dhe me përgjegjësi”, ka theksuar zyrtari i lartë amerikan Hoyt Brian Yee.

Ai tha se nëse liderët veprojnë me përkushtim në drejtim të realizimit të obligimeve që dalin nga marrëveshja politike atëherë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë përkrahjen e saj të fuqishme për vendin.

“Institucionet e fuqishme dhe të pavarura janë nevojë urgjente e Maqedonisë. Ato duhet të jenë të lira për ta kryer punën e vet, pa ndërhyrje partiake dhe të kenë resurset e duhura, posaçërisht ato që zbatojnë drejtësinë. SHBA mbështet demokracinë dhe vendet ku ka sundim të ligjit“, ka deklaruar Hoyt Brian Yee.

Në funksion të zgjidhjes së krizës politike në Maqedoni të enjten dhe të premten në Shkup do të qëndrojë edhe i dërguari i posaçëm gjerman Johannes Haindl.

Në komunikatën e lëshuar nga ambasada gjermane në Shkup nuk jepen shumë detaje, ndërkohë që theksohet se diplomati gjerman Johannes Haindl, do të takohet edhe kësaj radhe me liderët e katër partive kryesore nënshkruese të marrëveshjes politike të Përzhinos duke futur në agjendë dhe presidentin e shtetit Gjorgje Ivanov dhe kryetarin e parlamentit Trajko Veljanovski.

Ardhja e sërishme e të dërguarit të posaçëm gjerman, Johannes Haindl në Maqedoni, koincidon me vizitën e zëvendësndihmës sekretarit shtetëror të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Hoyt Brian Yee.

Shkaku i krizës politike në Maqedoni edhe Holanda si shtet që për momentin kryeson me Këshillin e Bashkimit Evropian, ka nisur drejtorin gjeneral për Bashkëpunim Evropian, Robert de Groot, për t’u takuar me zyrtarët e lartë të vendit.

XS
SM
MD
LG