Ndërlidhjet

Thaçi kërkon përmbyllje të procesit të demarkacionit


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të hënën se asnjë proces nuk mund të rrezikojë liberalizimin e vizave, duke vlerësuar se përmbyllja e çështjes së demarkacionit me Malin e Zi është në interes të të dyja vendeve dhe të qytetarëve të tyre.

Ai tha se Kosova nuk ka çështje të hapura me Malin e Zi dhe se të dyja vendet duhet të përmbyllin sa më shpejt procesin e përkufizimit të vijës kufitare.

“Çështja e demarkacionit është në interesin e të dyja vendeve, që të përmbyllet sa më shpejt. Është në interesin e gjithë spektrit politik dhe qytetar. Kjo çështje nuk duhet të ndajë spektrin politik, përkundrazi, e ardhmja evropiane duhet të bashkojë spektrin politik dhe qytetarët”, tha ai.

Presidenti Thaçi tha se “agjendat ditore” nuk mund ta cënojnë dhe rrezikojnë procesin e liberalizimit të vizave dhe “asnjë interes i adresave të caktuara të ngushta politike nuk do të mund të tejkalojë interesin madhor, vullnetin madhor të qytetarëve të Kosovës, interesin e përbashkët dhe qëllimin e vizionin tonë evropian për liberalizim të vizave”.

Procesi i demarkacionit të Kosovës me Malin e Zi u vu kusht nga BE-ja për liberalizim të vizave, pas një periudhe disa mujore të kundërshtimeve të opozitës në Kuvendin e Kosovës dhe jashtë tij.

Demarkacioni me Malin e Zi, nga opozita, u cilësua si shkelje e tërësisë territoriale të Kosovës, megjithëse një grup i ekspertëve ndërkombëtarë, të ftuar nga ish-presidentja Atifete Jahjaga, nuk gjeti shkelje gjatë punës në përkufizim të vijës kufitare mes dy shteteve.

XS
SM
MD
LG