Ndërlidhjet

Thaçi dhe Nikoliq në Samitin e Sarajevës

  • RFE /RL

Samiti i afaristëve nga rajoni, Sarajevë, 28 maj 2016.

Samiti i afaristëve nga rajoni, Sarajevë, 28 maj 2016.

Në Sarajevë po zhvillon punimet Samiti 100, një nismë që mbledhë afaristë nga rajoni, dhe që i paraprinë Samitit të Bërdo-Brionit, të presidentëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në Sarajevë për herë të parë në këtë nivel merr pjesë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ftesën e ka pranuar edhe presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq.

Samiti 100, është një nismë për nxitjen e bashkëpunimit në fushën e zhvillimit ekonomik ndërmjet vendeve të rajonit të Ballkanit.

Moto e Samitit 100, që zhvillon punimet prej 27 deri më 29 maj dhe që mbledh afaristë nga të gjitha shtetet e rajonit të Ballkanit, "Marrëveshja për një Epokë të re” është tejkalimi i dallimeve dhe përkushtimi për projektet që integrojnë ekonomitë e vendeve të rajonit.

Samiti 100 nisi para 5 vjetësh nga Asociacioni i Menaxherëve të Serbisë, Lidhja e Punëdhënësve të Kroacisë dhe Lidhja e Menaxherëve të Sllovenisë, si dhe Fondacioni Atllas nga Mali i Zi. Kësaj nisme i janë bashkuar edhe afaristë nga vendet e tjera përfshirë edhe Kosovën.

Në punimet e Samitit u tha se “ka ardhur koha që vendet e rajonit ta kuptojnë se janë mundësi e mirë për njëra-tjetrën dhe jo rrezik”. Gjatë ditës së shtunë, në punimet e këtij Samiti morën pjesë edhe presidentët e vendeve të rajonit, që do të zhvillojnë takimin e tyre në kuadër të Procesit të Bërdo-Brionit.

Mikpritësi i sivjetmë i nismës për thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe të nxitjes së dialogut të vendeve të rajonit me BE-në, është Presidenca e Bosnjë Hercegovinës, ndërkohë që është paralajmëruar edhe pjesëmarrja e presidentes së Kroacisë, Kolinda Grabar - Kitaroviq dhe e presidentit të Sllovenisë, Borut Pahor, dy vende anëtare të BE-së që kanë nisur edhe gjithë procesin e Bërdo-Brioni.

Pjesëmarrjen e tij e ka konfirmuar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ndërkohë që organizatorët kanë thënë se edhe president i Serbisë, Tomisllav Nikoliq, e ka konfirmuar ardhjen e tij në Sarajevë.

Ndryshe thuhet se presidenti serb, Nikoliq, do të qëndrojë për herë të parë në Sarajevë që prej marrjes së mandatit të presidentit.

Në Samit merr pjesë edhe presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ai i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, si dhe presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq.

Këtë vit mysafir nderi është presidenti i Italisë, Sergio Mattarella.

Në margjina të Samitit, janë paraparë edhe takime të presidentëve, të cilët do të bisedojnë për çështjet e hapura ndërmjet vendeve të tyre, kurse vetë Samiti do të trajtojë temat e bashkëpunimit rajonal integrimeve euro-atlantike dhe normalizimit të marrëdhënieve. (REL)

XS
SM
MD
LG