Ndërlidhjet

Gati çdo familje afgane ka përjetuar largimin nga shtëpia


Ilustrim
Ilustrim

Numri i afganëve të detyruar të largohen nga shtëpitë dhe të zhvendosen brenda vendit të tyre është rritur në 1.2 milion njerëz gjatë tre vjetëve të fundit, bën të ditur organizata për të drejtat e njeriut Amnesty International.

Grupi me seli në Londër thotë në raportin e tij të ri se shifra, kur kombinohet me 2.6 milionë afganë që jetojnë si refugjatë jashtë vendit, do të thotë se “gati çdo familje në Afganistan ka përjetuar largimin nga shtëpia në një kohë” gjatë 40 vjetëve të kaluar.

Raporti “Fëmijët e mi do të vdesin këtë dimër: Premtimi i thyer i Afgansitanit për të Zhvendosurit” ka gjetur se njerëzit e zhvendosur brendapërbrenda në Afganistan vujanë nga mungesa e strehimit të përshtatshëm, mungesa të mëdha të ushqimit dhe ujit, pothuajse joekzistenca e kujdesit shëndetësor dhe praktikisht asnjë mundësi për edukim dhe punësim.

“Derisa vëmendja e botës duket se është larguar nga Afganistani, ne rrezikojmë të harrojmë gjendjen e atyre që kanë mbetur pas konfliktit”, ka thënë Champa Patel, drejtore për Azinë Jugore në Amnesty International.

Viteve të fundit, në Afganistan, ka pasur situatë gjithnjë e më të paqëndrueshme, sidomos pasi trupat ndërkombëtare janë larguar në fund të vitit 2014. Largimi i tyre i ka lënë forcat afgane të sigurisë në krye të luftës kundër kryengritësve talibanë.

Shumë civilë që ikin nga dhuna, vendosen në kampe për të zhvendosur brenda vendit të tyre. Duke folur vetëm për vitin 2016, hulumtuesi për Azinë Jugore në Amnesty International, Olof Blomqvist, ka thënë se bëhet fjalë për gati 1,000 njerëz në ditë.

Raporti bazohet në intervista me më shumë se 100 individë të zhvendosur në kampe dhe vendbanime në Herat, Kabul dhe Mazar-e Sharif.

Raporti thotë se situata e të zhvendosurve brendapërbrenda nuk është asgjë më pak se dëshpëruese dhe se është përkeqësuar qysh në fillim të vitit, për shkak të dyndjes së refugjatëve.

“Njerëzit që janë detyruar të ikin nga shtëpitë e tyre për shkak të një situate të tmerrshme, kanë përfunduar në një tjetër situatë po aq të tmerrshme, sepse askush nuk është atje për t’i mbrojtur ata ose të drejtat e tyre”, ka thënë Blomqvist.

Amnesty International vëren se gjendja e të zhvendosurve afganë është përkeqësuar, me gjithë premtimet e njëpasnjëshme të qeverive afgane për ta përmirësuar atë dhe për të zhvilluar një politikë të re për personat e zhvendosur.

Ministria për Refugjatë dhe Riatdhesim është veçuar për kritika. Amnesty International thotë se ajo është përballur me akuza, nisur nga korrupsioni i gjerë deri te paaftësia absolute.

“Ajo ka nevojë për burime dhe personel cilësor, ka nevojë për ekspertizë për zbatim të politikës, sepse, për shkak të historisë së saj me akuza të rënda për korrupsion, shumë njerëz, si në Qeverinë afgane, si në mesin e aktorëve ndërkombëtarë, hezitojnë t’i sigurojnë burime ministrisë”, ka thënë Blomqvist për Radion Evropa e Lirë.

Pos që jetojnë në baraka të baltës ose tenda, pa ujë dhe pa kanalizim, shumë persona të zhvendosur janë nën kërcënimin e dëbimit me forcë.

“Ata (të zhvendosurit) përballen me keqtrajtime të shpeshta edhe nga qeveria, edhe nga aktorët privatë, të cilët janë përzierje e njerëzve të fuqishëm lokalë dhe e kryekomandantëve”, ka thënë Blomqvist.

Në një incident, dy persona janë vrarë vitin e kalur në një portestë, kur persona të armatosur kanë shkuar të demolojnë kampin Chaman-e-babrak në Kabul. Asnjë hetim nuk është kryer dhe asnjë person nuk është mbajtur përgjegjës.

Raporti i Amnesty International konstaton se lojtarët kryesorë ndërkombëtarë duhet të bëjnë më shumë “për të siguruar se të drejtat e njerëzve të zhvendosur respektohen”. (REL)

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG