Ndërlidhjet

Punësimi i kategorive sociale për zbutjen e barrës buxhetore


Ilustrim - Pjesëtar i komunitetit RAE në një kamp të shkatërruar në Kosovë

Ilustrim - Pjesëtar i komunitetit RAE në një kamp të shkatërruar në Kosovë

Rreziku potencial që mund të ketë buxheti i Kosovës nga mjetet e shumta që ndahen për kategoritë sociale ka bërë që autoritetet e vendit të krijojnë strategji për punësimin e personave të cilët hyjnë në këto kategori.

Buxheti i Kosovës, i cili në vit kap vlerën mbi 1 miliardë euro, për personat të cilët hyjnë në skemën e kategoritë sociale, të krijuara nga Qeveria e Kosovës, ndan mbi 350 milionë euro.

Baza e politikave sociale në Kosovë përbëhet kryesisht nga skema e ndihmës sociale, skema e pensioneve, ku përfshihen pensionet e pleqërisë dhe ato kontribut-dhënëse, pastaj pensionet e personave me aftësi të kufizuara, pensionet e Trepçës dhe së fundi janë edhe beneficionet për veteranët e luftës, si dhe kategori tjera sociale.

Zëvendësministrja e Punës dhe Mirëqenies Sociale në Qeverinë e Kosovës, Rita Hajzeraj, tregon për Radion Evropa e Lirë se kategoritë sociale janë një barrë e madhe për buxhetin e Kosovës.

“Duke parë numrin e madh të përfituesve social ne kemi krijuar strategji. Kemi gjetur alternativa që ky numër që përfiton asistencë sociale të zvogëlohet. Ne nuk jemi vend social dhe do të duhet të zhvillojmë ekonominë dhe personat e tillë t’i punësojmë”, shton Hajzeraj.

Zgjerimi i shpejtë i shpenzimeve të buxhetit të Kosovës, që ka të bëjë me skema të ndryshme sociale, ishte kritikuar edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Përfaqësuesit e këtij mekanizimi patën deklaruar se mjetet për skemat sociale, veçanërisht beneficionet e lidhura me luftën, janë duke u bërë barrë presioni mbi buxhetin e Kosovës. Po ashtu, ishte vlerësuar se po minohen përpjekjet e autoriteteve për ta ruajtur qëndrueshmërinë fiskale.

Duke e parë rrezikun potencial të buxhetit të Kosovës, zëvendësministrja Rita Hajzeraj ka treguar se kanë filluar të krijojnë projekte të punësimit për të gjithë personat të cilët hyjnë në kategoritë sociale.

Ajo tregon se ka filluar të bëhet aplikimi për punë i personave të cilët hyjnë në këto kategori.

“Nga 1 qershori, shumica e njerëzve që kanë qenë në kategorinë sociale kanë shprehur interesim të punësohen në kompanitë private dhe ka mundësi që këta persona të mbesin në punë të përhershme. Kjo marrëveshje është bërë me përfaqësuesit shoqatave ekonomike dhe me bizneset e shumta private në Kosovë, të cilat kanë qenë të gatshme të ofrojnë këtë mundësi punësimi për këto kategori”, thekson Hajzeraj.

Rrezikun nga ngarkesa që po i bëhet buxhetit të vendit nga skemat e shumta sociale e kishin theksuar kohë më parë edhe ekspertë të çështjeve ekonomike.

Ata kishin vlerësuar se, meqenëse buxheti është nën presione të vazhdueshme, kryesisht nga segmentet sociale, ku gjithkush kërkon përfitime të drejtpërdrejta dhe jo përftime që krijohen përmes punësimit, vazhdimi i një situate të tillë sjell probleme dhe mund të sjell një krizë edhe më të rëndë ekonomike në vend.

Drejtori i Institutit për Politika Zhvillimore, Burim Ejupi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thekson se duhet të hapen vende të reja të punës dhe disa nga shuma e mjeteve që marrin këto kategori të zvogëlohet.

“Për tu larguar nga skemat sociale, ku ka shumë përfitues, përfshirë këtu tani edhe veteranët e luftës, pasi që numri i veteranëve doli më i madh sesa që është parashikuar, qeveria do të ishte mirë të zvogëlojë shumat që ata marrin, (që është paga minimale në Kosovë), në mënyrë që të mos jetë joshëse për veteranët, si dhe të hapen vende të reja pune”, ka theksuar Ejupi.

Ai shton se Qeveria e Kosovës duhet të bëjë po ashtu reformimin e skemave sociale apo pensionale.

“Nëse bëhet reformim me siguri se nuk do të ishte kjo barrë që ka shteti nga këto skema sociale. Ne kemi deri në 14 kategori të skemave sociale dhe kjo duhet të ndryshohet”, shton Ejupi.

Ndryshe, në Kosovë janë të regjistruara 25 mijë familje me mbi 100 mijë anëtarë, që marrin asistencë sociale. Veteranë të luftës së fundit në Kosovë, sipas Qeverisë së Kosovës, janë 46,230 persona.

Po ashtu, janë afër 100 mijë pensionistë të moshës që marrin pension, mbi 1,000 ish-punëtorë të Trepçës të cilët marrin pensione qoftë edhe të parakohshme dhe një numër i konsideruar i kategorive tjera. (REL)

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG