Ndërlidhjet

Institucionet fetare më të besueshme se ato shtetërore


Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë

Barometri më i ri i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë ka nxjerrë në pah rezultatin se qytetarët e Kosovës më shumë u besojnë institucioneve fetare se sa atyre shtetërore.

Ky edicion i barometrit reflekton perceptimin e besimit të qytetarëve në institucionet fetare, si dhe perceptimin e tyre lidhur me kërcënimet dhe rrezikun që vijnë nga grupet ekstremiste.

Në anketë kanë marrë pjesë 1 mijë e 70 të anketuar nga të gjitha rajonet e Kosovës dhe nga të gjitha bashkësitë etnike. Anketimi i qytetarëve është bërë nga 21 deri më 29 tetor të vitit 2015.

Rreth 57 për qind e qytetarëve të anketuar kanë shprehur qëndrimin se u besojnë institucioneve fetare, ndërsa rreth 22 për qind e të anketuarve u besojnë gjykatave.

Në Qeverinë e Kosovës besojnë 14 për qind e qytetarëve të anketuar. Por, rreth 57 për qind e të anketuarve konsiderojnë që Qeveria e Kosovës nuk ka pasur sukses në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit.

Vetëm 5 për qind e të anketuarve e vlerësojnë si pozitive punën e qeverisë lidhur me këtë çështje, ndërsa të tjerët konsiderojnë se qeveria, deri diku ka pasur sukses.

Vesë Kelmendi, hulumtuese e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, gjatë prezantimit të hulumtimit, ka thënë se në perceptimin e qytetarëve ka ndikuar mungesa e sundimit të ligjit, mosinteresimi i institucioneve të shtetit për vendet rurale, si dhe sistemi i degraduar arsimor.

“Qytetarët që vijnë kryesisht nga zonat rurale, kanë më shumë besim në institucionet fetare. Kjo ka ndodhur për shkak se ata janë neglizhuar nga institucionet shtetërore, ndërsa qëndrimet e tyre i kanë më shumë të përafërta me prijësit e tyre fetar”, ka theksuar Kelmendi.

Ajo ka shtuar se banorët e Ferizajt, Gjilanit dhe Mitrovicës janë ata që më shumë u besojnë institucioneve fetare.

Kelmendi ka thënë gjithashtu se gratë më shumë u besojnë institucioneve fetare edhe pse shumë shpesh ato janë anashkaluar nga institucionet e tilla dhe nuk janë të përfaqësuara brenda këtyre institucioneve, në të cilat kryesisht nuk kanë qasje.

Rreth 65 për qind e të anketuarve, të cilët më shumë u besojnë institucioneve fetare janë nga zonat rurale.

Në anën tjetër, Lah Nitaj, zyrtar i Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, ka theksuar se ndikimi i organizimi të dobët të sistemit të arsimit në perceptimin e qytetarëve nuk është fakt i qëndrueshëm, për shkak se sipas tij, sistemi arsimor i Kosovës është i organizuar mirë.

“Sfidë e përgjithshme mbetet kualiteti i arsimimit”, ka thënë Nitaj, duke shtuar se Kosova ka numrin më të madh të studentëve në krahasim me vendet që e rrethojnë.

Arsyen se pse qytetarët u besojnë më shumë institucioneve fetare, Besa Ismajli, profesoreshë në fakultetin e Shkencave Islame në Prishtinë, e shpjegon me faktin se sipas saj, Bashkësia Islame në Kosovë është më tepër e angazhuar në terren, tek qytetarët.

Ajo ka theksuar se rezultatet e barometrit, duhet të jenë bazë për politikat e ardhshme në vend.

“Institucionet fetare në Kosovë kanë arritur aty ku të tjerat nuk kanë arritur, po që është dashur të arrijnë. Kjo mbase për mungesë të resurseve, por konsideroj që është moment i fundit që institucionet fetare të mbështeten, në mënyrë që ato tu ngjajnë institucioneve që janë brenda kornizave ligjore”, ka theksuar Ismajli.

Ndryshe, rreth 95 për qind e qytetarëve të anketuar konsiderojnë të dëmshëm shkuarjen në Siri dhe Irak, ndërkaq që 76 për qind e të anketuarve konsiderojnë se organizatat e shpallura ndërkombëtarisht si terroriste, Shteti Islamik dhe Al-Nusra janë rrezik i madh.

Rreth 55 për qind e të anketuarve konsiderojnë që luftëtarët nga Kosova që janë kthyer nga luftërat në Siri dhe Iraku, duhet t’i nënshtrohen programeve strikte për ri-integrim dhe rehabilitim.

Por, megjithatë, 75 për qind e të anketuarve, konsiderojnë se këta luftëtarë paraqesin rrezik për sigurinë e shtetit.

Florian Qehaja, drejtor i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, vlerëson që perceptimet e qytetarëve janë mjaft të rëndësishme dhe duhet të shfrytëzohen në funksion të luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Megjithatë, sipas tij, besimi më i madh i qytetarëve në institucione fetare se sa në ato të qeverisë, nuk duhet parë nga prizmi i rritjes së ekstremizmit të dhunshëm, por duhet trajtuar nga aspekti i sociologjisë së religjionit.

Sipas tij, ekzistojnë përpjekje për t’i përgjithësuar këto probleme në dëm të shoqërisë së Kosovës.

“Fakti që shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës janë kundër rritjes së ekstremizmit të dhunshëm, janë kundër shkuarjes së qytetarëve tanë në Siri dhe Irak, si dhe pjesa e papërfillshme nuk ka mendim, tregon gjendjen në të cilën gjendemi. Veprimet e disa individëve, të cilat janë bërë mbështetësit e një ideologjie në dëm të interesave shoqërore dhe shtetërore, janë të margjinalizuar dhe nuk reflektojnë qëndrimin e shumicës së popullatës së Kosovës”.

Qehaja ka shtuar që pavarësisht faktit që institucionet e vendit kanë arritur ta parandalojnë rritjen e ekstremizmit të dhunshëm në dy vjetët e fundit, megjithatë është e nevojshme angazhim edhe më i madh në mënyrë që të arrihet qëllimi për çrrënjosjen e ekstremizmit.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG