Ndërlidhjet

Presioni mbi deputetët mund ta kalojë demarkacionin


Kuvendi i Kosovës do të mund ta kalojë ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, për shkak të presioneve që deputetët mund t’iu nënshtrohen, kanë deklaruar njohës të rrethanave politike në vend.

Sipas tyre, presioni politik do të rritet posaçërisht ndaj atyre deputetëve të Kuvendit të Kosovës, nga partitë në pushtet, që kanë shprehur rezervat e tyre ndaj gjithë procesit të demarkacionit.

Miratimi i Marrëveshjes për demarkacion, thonë njohës të rrethanave, mund të kalojë në njërën nga seancat e ardhshme të Kuvendit, pavarësisht kundërshtimeve që mund të ngrisin sërish deputetët e opozitës në vend.

Analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin varet vetëm nga presionet që mund t'iu bëhen disa deputetëve, në të kundërtën qeveria aktualisht nuk i ka votat e mjaftueshme për ta kaluar këtë proces.

“Është e qartë se kanë filluar presionet qoftë të hapura, qoftë në prapa skenë ndaj deputetëve të koalicionit qeverisës që nuk pajtohen me këtë demarkacion dhe votimi apo jo i demarkacionit do të varet nga suksesi i presionit qoftë ndërkombëtarë apo brenda partiak ndaj deputetëve të cilët nuk janë ende të bindur që ta votojnë”.

“Mirëpo, nëse këto presione arrijnë sukses, atëherë natyrisht qeveria do të trimërohet dhe do ta dërgojë demarkacionin në Kuvend, mirëpo nëse jo, atëherë mund ta presim edhe shpërbërjen e qeverisë dhe zgjedhjet e reja”, thekson Muhaxhiri.

Mbetet sigurimi i dy të tretave të votave të deputetëve për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, ngase nuk është vetëm opozita, por janë edhe disa deputetë nga partitë në pushtet që nuk e pranojnë versionin aktual të marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi.

Petrit Zogaj, analist dhe drejtor ekzekutiv i organizatës "Fol", në një prononcim për Radion Evropa e Lirë tregon se koalicioni qeverisës nuk po tregon se ka votat e mjaftueshme që kjo marrëveshje të kalojë.

Mirëpo, Zogaj shton se koalicioni qeverisës po mundohet të bën gjithçka që është e mundur që demarkacioni të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës.

“Mund të ketë presion, mund të ketë bindje, mund të ketë diskutime, por e shoh që lidershipi i të dyja partive politike në qeveri janë të interesuar që kjo marrëveshje të kalojë, por, kanë deputetë rebel që po tregohen se nuk mund të binden për të votuar marrëveshjen që Hashim Thaçi e ka nënshkruar në gusht të vitit të kaluar”, thekson Zogaj.

Ndërkohë, një debat për demarkacionin, i organizuar të mërkurën në Kuvendin e Kosovës, me pjesëmarrjen e Komisionit shtetëror, të ekspertëve, shoqërisë civile, deputetëve të të gjitha grupeve parlamentare dhe udhëheqësve të institucioneve të vendit, ka ripërsëritur qëndrimet e palëve.

Opozita thotë se demarkacioni duhet të zhbëhet për të rinisur një tjetër proces, por paritë në pushtet dhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare kanë bërë thirrje për votimin e marrëveshjes me të cilën do të hapej perspektiva e Kosovës.

Këtë debat në të cilin u diskutua për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri e quan të kotë i cili nuk mund të rezultojë me asnjë element konstruktiv dhe të dobishëm.

“Në esencë nuk do të ketë kurrfarë rezultati është një tentim i zbrazët i cili për fat të keq do të vazhdojë mjegullojë çështjen e demarkacionit dhe nuk do të rezultojë me afrimin e qëndrimit të të dyjave palëve”, thekson Muhaxhiri.

Ndërkohë, analisti Petrit Zogaj, i cili ka ndjekur për së afërmi debatin e zhvilluar në kuvend për demarkacionin, thekson se ky debat vetëm sa i ka thelluar përçarjet mes palëve edhe më shumë.

“Çfarë ka shërbyer ky debat, vetëm se ata ia kanë detajuar kundërshtimet dhe mosmarrëveshjet më thellë dhe nuk pritet që ky debat t’i përafrojë qëndrimet,përkundrazi i ka larguar tutje dhe pothuajse e ka bërë të pamundshme që të arrihet ai konsensusi që kërkohet”, thotë Zogaj.

Mali i Zi dhe Kosova kanë nënshkruar marrëveshjen për përkufizim të vijës kufitare në Vjenë në fund të muajit gushtit të vitit të kaluar në praninë e presidentit malazez Filip Vujanović dhe kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa, si dhe në prani të ministrit të jashtëm të Austrisë Sebastian Kurz.

Ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi është kushti i fundit të cilin Bashkimi Evropian pret që Kosova ta zbatojë, para se kjo e fundit ta marrë liberalizimin e vizave. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG