Ndërlidhjet

logo-print

Tryeza për demarkacion - palët nuk heqin dorë nga qëndrimet

  • RFE /RL

Ambasadori i SHBA-së mbështet demarkacionin dhe bën thirrje për miratim në Kuvend të Marrëveshjes më Malin e Zi.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, bëri thirrje për fillimin e një procesi të ri të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, duke kërkuar edhe “mirëkuptimin e Podgoricës për këtë”.

Duke folur në tryezën e Kuvendit të Kosovës për demarkacion, Haradinaj kërkoi nga Kuvendi që të mblidhet në një seancë “të re për ta shfuqizuar marrëveshjen me Malin e Zi”.

“Kjo temë e ka rënduar Kosovën gjatë. Nuk e ka rënduar vetëm opozitën, por mendoj të gjithë. Nëse e rrëzojmë në Parlament këtë temë dhe e fillojmë një proces të gjetjes së zgjidhjes së kësaj teme, duke mbajtur shpresë në mirëkuptim edhe të fqinjit, se kjo nuk është e drejtuar kund fqinjit tonë Malit të Zi, atëherë mendoj se do të mund ta nxjerrim Kosovën nga një problem i madh dhe që e ka ndarë edhe shoqërinë, e në të vërtetë i ka shqetësuar qytetarët", tha Haradinaj.

Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se Komisioni shtetëror për përcaktimin e vijës kufitare me Malin e Zi, e ka bërë një punë duke u bazuar në një demarkacion politik. Ai e ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për, sic tha, “pazare me Qeverinë e Malit të Zi.

“Këta i kanë dhënë vetes kompetenca shtesë - na kanë ndryshuar kufirin. Ne kemi të drejtë ta zhvlerësojmë punën e Komisionit shtetëror të Kosovës, pasi që këta kanë kaluar mandatin nga ajo që kanë pasur detyrë dhe përgjegjësi. Këta na kanë sjellë një kufi tjetër”, tha Konjufca.

Kyetari i partisë Nisma, Fatmir Limaj, tha se procesi i demarkimit të kufiri mes Kosovës dhe Malit të Zi, por edhe disa procese te tjera i ka karakterizuar mostransparenca dhe si pasojë e saj janë krijuar tensione.

"Krejt ky problem 11 muaj është për shkak se ne kemi një qasje të gabuar ndaj shtetit tonë. Do të doja që kjo konferencë të shërbejë që në Kosovë të ndryshojë qasja ndaj shtetit. Nëse kjo asgjë nuk ka ofruar sot të paktën ata që kanë menduar se shteti është pronë e tyre private e shohin që vjen një moment kur njerëzit ngriten dhe kanë çka thonë", tha Limaj.

Ambasadori Delawie në mbështetje të demarkacionit

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, tha se pikëpamja e qeverisë së tij është “se miratimi i Marrëveshjes për demarkacion të kufirit me Malin e Zi është mirë për Kosovën dhe gjithë rajonin”.

Në fjalën e tij, në tryezën shkencore-profesionale në Kuvendin e Kosovës, ambasadori Delawie tha se “analizat e ekspertëve tanë hartografikë mbështesin demarkacionin e kufirit që e ka kryer Komisioni shtetëror i Kosovës”.

“E theksoj se puna e komisionit është e njëjtë sikundër ajo e përgatitur nga Kosova në Eurogeografics më 2007, në përgatitjet për pavarësi. Të njëjtat siç janë përdorur në planin Ahtisaari, që është bazë e pavarësisë së Kosovës. Të njëjtat që përshkruhen në Kushtetutën e Kosovës, të njëjtat që shihen në flamurin e Kosovës, që Kuvendi e miratoi më 2008”, tha ambasadori Delawie.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë e mirëpriti nismën e Kuvendit për të organizuar tryezën si një mundësi për një debat të hapur dhe të sinqertë për çështjen dhe do të shndërrohet në një “model të diskutimit të çështjeve të tjera edhe më të komplikuara në të ardhmen për vendin”.

Ky debat, i cilësuar si shkencor dhe profesional për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, ka filluar punimet në Kuvendin e Kosovës, me pjesëmarrjen e Komisionit shtetëror për shënimin e vijës kufitare, ekspertë të ndryshëm, deputetë dhe udhëheqës të institucioneve.

Mbi 110 pjesëmarrës, përfshirë edhe zyrtarë ndërkombëtarë, janë mbledhur në një sallë alternative të Kuvendit, në debatin e parë të hapur për çështjen që ka ngjallur kundërshtime të fuqishme të opozitës në vend.

Në hapjen e debatit, të cilin e cilësoi si shumë të nevojshëm, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, shprehu besimin se mesazhi i përbashkët do të jetë vullneti dhe përkushtimi i të gjithë spektrit politik që problemet dhe mosmarrëveshjet të adresohen përmes rrugëve demokratike.

"Duhet të punojmë për interesat e qytetareve dhe për dinjitetin e tyre. Kjo është një mundësi e mirë që ballafaqohen argumentet për kufirin. Është e rëndësishme që të përçohen mesazhe të mira që Kosova të këtë raporte të mira me shtetet fqinje", tha Veseli.

Debati shkencor-profesional u kërkua fillimisht nga 24 deputetë nga radhët e LDK-së, LVV-së dhe PDK-së që në fillim të muajit korrik, dhe ai u vendos të mbahet nga Kryesia e Kuvendit.

Presidenti dhe kryeministri në mbështetje të demarkacionit

Duke iu drejtuar të pranishmëve, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u bëri thirrje të gjithëve që të bëjnë “debat të hapur dhe profesional dhe të shpalosin argumentet."

Ai tha se shënjimi i vijës kufitare me Malin e Zi ka marrë mbështetje nga Bashkimi Evropian dhe Kosova, sipas tij, nuk ka humbur asnjë pjesë të territorit të saj.

Presidenti Thaçi i dha një mbështetje të fuqishme komisionit shtetëror, duke e cilësuar punën e tij “të drejtë” që ka nxjerrë një “marrëveshje me Malin e Zi e cila është përkrahur nga të gjithë mbështetësit e Kosovës”.

“Shënjimi i vijës kufitare ka marrë mbështetje nga Bashkimi Evropian. Ju ftoj për një debat sa më të hapur dhe sa më profesional, ku do të shpalosen vetëm argumentet. Ftoj që të keni parasysh se sot nuk është në pyetje vetëm marrëveshja, por edhe aftësia shtetërore e Kosovës. Aftësia për të arritur marrëveshje ndërkombëtare, për të funksionuar si shtet dhe si anëtar i barabartë”, tha presidenti Thaçi, duke nënvizuar se "Kosova nuk ka humbur asnjë metër katror të territorit të vet."

"Institucionet dhe komisioni kanë bërë demarkacion e nuk kanë bërë histori", ka thënë presidenti Thaçi.

Edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka dhënë pothuaj të njëjtin vlerësim me Presidentin, duke thënë se “Kosova nuk ka humbur terroritor me marrëveshjen e arritur më Malin e Zi".

Ai tha se puna që ka bërë komisioni shtetëror për demarkacion është e drejtë dhe caktimi i kufijve është bërë në mënyrë të saktë.

"Nëse themi se kemi humbur tokë, ejani sot ta argumentojmë. Unë mendoj se përfundimi i këtij takimi meriton të jetë pranim i fakteve se nuk guxojmë të luajmë me fatin e Kosovës dhe të qytetareve të saj për interesa politike as të pozitës e as të opozitës. Ne duhet të punojmë bashkërisht për interesa reale të çdo njeriu në Kosovë”, tha Mustafa.

Kryetari i Komisionit qeveritar për caktimin e vijës kufitare të Kosovës me Malin e Zi, Murat Meha, dhe anëtaret e tjerë të komisionit, para të pranishmeve kanë shpalosur fakte mbi të cilat është bërë demarkacioni . Meha tha se komisioni nuk ka krijuar hartë të re për zonat kufitare.

"Komisioni shtetëror nuk ka ndryshuar territor të zonave kadastrale kufitare, nuk ka ndryshuar terror të komunave kufitare, nuk ka ndryshuar vijën administrative të viti 1988. Komisioni nuk ka ndryshuar vijën kufitare e as territorin e Republikës së Kosovës as edhe për një metër katror të vetëm", tha Meha.

Shpejtim Bulliqi, deputet nga radhët e LDK-së, i cili që nga nënshkrimi i marrëveshjes me Malin e Zi për shënjimin e kufirit ka kundërshtuar vazhdimisht punën e Komisionit shtetëror, tha se ky Komision ka falsifikuar faktet.

"Me këtë material është nënshkruar marrëveshja...materiali që është sjellë te komisioni tjetër është materiali për mendimin tim i falsifikuar, ose i plotësuar sipas dëshirës së njerëzve", tha Bulliqi.

Opozita e ka kundërshtuar fuqishëm që prej shumë muajsh Marërveshjen e arritur me Malin e Zi, duke e cilësuar si të dëmshme për Kosovën, sepse sipas saj, ajo humb mijëra hektarë tokë.

Mali i Zi dhe Kosova kanë nënshkruar marrëveshjen për përkufizim të vijës kufitare në Vjenë në fund të muajit gushtit të vitit të kaluar, në praninë e presidentit malazez Filip Vujanović dhe kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa, si dhe në prani të ministrit të jashtëm të Austrisë Sebastian Kurz.

Demarkacioni u shndërrua në një kusht të rëndësishëm për procesin e liberalizimit të vizave, pasi Komisioni Evropian në rekomandimin e tij për lëvizje të lirë të qytetarëve kërkoi përfundimin e këtij procesi nga Kuvendi i Kosovës. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG