Ndërlidhjet

Mustafa: Demarkacionin duhet ta votojnë të gjithë deputetët e Kuvendit


Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa,
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa,

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i tha Radios Evropa e Lirë, se pret që marrëveshja për demarkacion të votohet nga të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, përfshirë edhe ata të opozitës meqë, siç tha, kauza për “kundërshtim është vërtetuar e paqëndrueshme”.

Mustafa tha se është në përgjegjësinë e deputetëve që të vendosin, por vlerësoi se nuk ka asnjë “arsye që deputetët të mos e përkrahin Marrëveshjen, duke mundësuar forcimin e sovranitetit të vendit dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në BE”.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryeministri Mustafa përjashtoi mundësinë e futjes së Kosovës në një cikël dhune politike, megjithëse e cilësoi sulmin mbi Kuvendin e Kosovës si “atak shumë të rëndë dhe kundër pavarësisë së vendit”.

Kryeministri Mustafa e cilësoi “të papërgjegjshme Serbinë në raport me zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel” dhe tha se dialogu ndërmjet dy vendeve duhet të rifillojë me format dhe koncept tjetërdhe se ai duhet të profilizohet dhe të përcaktohet një afat kohor kur duhet të përmbyllet.

Radio Evropa e Lirë: Zoti kryeministër, një javë me shumë zhvillime është përmbyllur. Një debat shkencor për demarkacionin me Malin e Zi ju hapi mundësive juve që ta dërgoni marrëveshjen në Kuvend për ratifikim, përmes kundërshtimeve. Ndërkohë, ndërtesa e Kuvendit u qëllua me mjete shpërthyese. Mos po hyn kështu Kosova në një cikël të dhunës politike?

Isa Mustafa: Ka pasur kundërshtime lidhur me demarkacionin, por unë besoj se është në interes të Republikës së Kosovës që të përfundohet shënjimi i kufirit me Malin e Zi, sepse është në interes politik të saj, në mënyrë që të përcaktojë sovranitetin dhe të forcojë sovranitetin përmes shënjimit të vijës kufitare me këtë shtet, me të cilin ne kemi pasur marrëdhënie të shkëlqyeshme tërë kësaj kohe, e cila e ka përkrahur pavarësinë e Kosovës dhe na ka përkrahur në të gjitha proceset integruese evropiane. Është çështje që do t’i kontribuojë stabilitetit në rajon dhe jo vetëm fqinjësisë së mirë me Malin e Zi dhe me vendet e tjera dhe po ashtu do të ndërtojë paqe dhe marrëdhënie të mira edhe në të ardhmen me Malin e Zi.

Sa i përket pjesës tjetër, konsiderojmë se janë përfunduar të gjitha trajtimet dhe se kufiri është vënë sipas Kushtetutës, sipas planit Ahtisaari dhe sipas kohës kur është shpallur pavarësia e Republikës së Kosovës. Qëndrojmë prapa kësaj sepse na ka vërtetuar këtë Komisioni shtetëror dhe mendojmë se nuk ka asnjë arsye që kauza politike e cila është krijuar lidhur me këtë ta pengojë demarkacionin, përkatësisht ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion.

Është fakt se ka ndodhur një atak shumë i rëndë mbi institucionet e Republikës së Kosovës, përkatësisht mbi Kuvendin e Republikës së Kosovës, para dy netësh. Është një akt të cilin e kam vlerësuar si akt kundër pavarësisë së Kosovës, sepse Kuvendi është institucioni më i lartë legjislativ dhe përfaqësues i Republikës së Kosovës, prandaj askush nuk ka të drejtë që për motive çfarëdo qofshin ato të atakojë institucionet më të larta të Republikës së Kosovës në formë të tillë. Unë shpresoj se organet do ta bëjnë punën e vet, se kryesit e kësaj vepre do të dalin përpara drejtësisë dhe se do ta kemi edhe përkrahjen e qytetarëve kundër të gjitha veprimeve dhe akteve të tilla.

Radio Evropa e Lirë: Po insistoj sërish. A po hyn Kosova, për shkak të gjithë kësaj që po ndodh, jo vetëm të çështjes së demarkacionit dhe kundërshtimeve të tjera të mëhershme, e posaçërisht për shkak të kësaj që ndodhi me sulmin ndaj Kuvendit, në një cikël të dhunës politike?

Isa Mustafa: Unë mendoj se nuk do të hyjë, sepse nuk ka asnjë arsye që Kosova të hyjë në cikël të dhunës. Ju e patë se kishte shumë pak protestues të cilët iu përgjigjen thirrjes së Lëvizjes Vetëvendosje para pak ditësh përpara Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe kjo flet se qytetarët nuk i besojnë më kauzës së rrejshme dhe të paqëndrueshme të opozitës.

Prandaj, unë besoj shumë në qytetarët, besoj në vetëdijen e tyre dhe besoj në interesin që e ka Kosova të mbajë stabilitet, të ndërtojë marrëdhënie të mira me fqinjët dhe veçmas me partnerët tanë ndërkombëtarë e që së bashku të jemi në proceset evropiane dhe euro-atlantike, sepse kemi procese tepër të rëndësishme që janë përpara nesh, veçmas ai i liberalizimit të vizave dhe transformimit të FSK-së në Forcë të Armatosur të Republikës së Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Kjo që thoni ju, i bie se procesi i demarkacionit mund të kalojë në Kuvendin e Kosovës me procedurë të përshpejtuar?

Isa Mustafa: Procedura është e rregullt. Unë tani nuk paragjykoj se si do të votojë Kuvendi i Republikës së Kosovës, por jam shumë i bindur se Qeveria e ka bërë punën mirë, komisioni e ka bërë punën mirë, prandaj është në përgjegjësinë e deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ata të vendosin lidhur me këtë. Unë nuk shoh asnjë arsye që deputetët të mos e përkrahin këtë dhe nuk shoh asnjë interes më të madh të deputetëve se sa që ta forcojnë sovranitetin e vendit dhe që të mundësojnë që qytetarët e Republikës së Kosovës të lëvizin lirshëm, ashtu si lëvizin të gjithë qytetarët e tjerë në vendet e BE-së.

Radio Evropa e Lirë: Po flisni për deputetët e Kuvendit të Kosovës në tërësi apo për deputetët e partive në pushtet?

Isa Mustafa: Unë po flas për të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, sepse edhe përkundër kauzës politike të cilën e ka krijuar opozita, veçmas në këtë rast Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kjo kauzë është vërtetuar e paqëndrueshme, sepse nuk ka asnjë element se Kosova ka humbur asnjë metër katror territor nga ajo çka kemi administruar në vitet e 70-ta. Prandaj unë pres që kjo duhet të votohet nga të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, sepse interesi ynë nuk është vetëm interes i pozitës, por është interes i të gjithëve, interes i qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:35 0:00

Radio Evropa e Lirë: Zoti kryeministër, më lejoni që t’ju pyes: Ka një ngecje në bisedimet e Kosovës me Serbinë, që ka nxitur edhe debate ndërmjet palëve dhe të them akuza të ndërsjella për marrëveshjet e arritura në Bruksel. Kur pritet të rifillojë dialogu dhe a do të ndryshojë ndonjë gjë në këtë proces të dialogut?

Isa Mustafa: Ka mbetur që dialogu të rifillojë atëherë kur të konstituohet qeveria e Serbisë, pas zgjedhjeve në Serbi, por ju e shihni se ende kjo nuk po kryhet. Mendoj se dialogu duhet të fillojë me një format dhe koncept krejtësisht tjetër, sepse kjo çka po duket tani lidhur me moszbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara, prolongimin e tyre dhe papërgjegjësinë totale të Serbisë lidhur me marrëveshjet që janë nënshkruar, dhe përforcimet e strukturave paralele, flet se dialogu nuk po jep rezultate për të cilat po zhvillohet dhe nuk ka seriozitet të palës serbe sa i përket dialogut.

Ne do të bëjmë vërejtje konkrete dhe shumë të adresuara në BE lidhur me këtë gjendje. Ne duhet të profilizojmë saktë dialogun, duhet të kemi një agjendë të qartë të dialogut dhe po ashtu duhet të kemi një afat se për sa ne do të dialogojmë, sepse nuk mund të humbim kohë pakufi me dialog me Serbinë. Po e shohim se nuk ekziston vullneti i palës serbe që të zbatojë marrëveshjet e paketës së dialoguar. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG