Ndërlidhjet

Takimi Putin-Erdogan prodhon rezultate, Perëndimi shikon me nervozizëm

  • RFE /RL

Takimi i presidentëve të Turqisë dhe Rusisë, Erdogan (majtas) dhe Putin, 9 gusht 2016

Takimi i presidentëve të Turqisë dhe Rusisë, Erdogan (majtas) dhe Putin, 9 gusht 2016

Ende pa kaluar 24 orë nga takimi i presidentëve të Turqisë dhe Rusisë, rikthimi i lidhjeve në mes të Moskës dhe Ankarasë ka prodhuar rezultate.

Ministri i jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, ka thënë të mërkurën se Turqia dhe Rusia janë duke ndërtuar “mekanizëm të fuqishëm” sa i përket bashkëpunimit rreth Sirisë.

Një ditë pasi në Shën Petersburg u takuan liderët Rexhep Tajip Erdogan dhe Vladimir Putin, kryediplomati turk ka thënë se të dy vendet kanë qëndrime të njëjta sa i përket nevojës për armëpushim në Siri, ofrimin e ndihmës humanitare dhe sigurimin e një zgjidhjeje politike për t’i dhënë fund luftës në Siri.

Cavusoglu ka thënë se një delegacion nga Ministria e Jashtme Turke është duke vazhduar bisedimet me zyrtarët rusë edhe të mërkurën, më 10 gusht.

Turqia dëmtoi seriozisht lidhjet me Moskën pasi e rrëzoi një aeroplan luftarak rus afër kufirit të Sirisë, nëntorin e vitit të kaluar.

Gati një vit pas sanksioneve të Moskës, që e kanë goditur ashpër ekonominë turke, sidomos turizmin, Erdogan pranoi të kërkojë falje për vrasjen e pilotit rus, diçka që çoi deri te takimi në Shën Petersburg.

Deklaratat gatë takimit të së martës flisnin pothuajse për admirim të ndërsjellë, dhe sërish fakti që Putin ishte ndër të parët që i ofruan mbështetje pushtetit të Erdoganit pas grusht shtetit të dështuar të 15 korrikut në Turqi, u përmend në shenjë falënderimi nga lideri i Turqisë.

"E di që unë kam qenë një nga të parët që të kam telefonuar për të shprehur përkrahjen time në tejkalimin e krizës politike në lidhje me përpjekjen për puç”, ka thënë presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, në prani të homologut turk.

"Vërtetë, thirrja jote pak kohë pas përpjekjes për grusht shtet më 15 korrik, më kanë bërë mua personalisht dhe kolegët e mijë shumë të lumtur”, reagon presidenti turk, Erdogan.

Dhe, derisa lidhjet në mes të Turqisë dhe Rusisë janë rikthyer pothuajse më fuqishëm se me parë, “liderët e Perëndimit po shikojnë me nervozizëm”, shkruan për BBC-në, Michael Sahlin, nga Instituti për Studime Turke në Universitetin e Stokholmit.

“Duke e patur parasysh ‘acarin’ në marrëdhëniet e partisë turke në pushtet, AKP me SHBA-të dhe Bashkimin Evropian, vendimi i presidentit Rexhep Tajip Erdogan që të zgjedh Rusinë për vizitën e tij të parë jashtë vendit, pas dështimit të grusht shtetit, është i mbushur me simbolizëm”, vlerëson qysh në fillim të analizës së tij, Sahlin.

Ministri i jashtëm turk, Cavusoglu, thotë, megjithatë, se përmirësimi i lidhjeve me Rusinë nuk e kanë qëllimin t’i dërgojnë mesazh Perëndimit, ndonëse ai nuk harroi të përmend sërish të mërkurën se kritikat e BE-së për mënyrën se si Turqia ka trajtuar të dyshuarit e grusht shtetit janë gabim i madh. Për këtë arsye, ideja e anëtarësimit të Turqisë në BE ka filluar të shënojë rënie në përkrahje popullore.

Turqia është anëtare me rëndësi në NATO dhe për këtë simbolizmi i vizitës së Erdoganit në Moskë është kuptuar nga Perëndimi, i cili po shikon me vëmendje nëse politike turke po ndryshon rrënjësisht, apo jo, shkruan më tej Michael Sahlin, i cili dikur ka qenë edhe ambasador i Suedisë.

Ndërsa në Turqi, jo vetëm përkrahja popullore ndaj anëtarësimit në BE po bie, por edhe gjuha e zyrtarëve të shtetit ndaj perëndimit po bëhet gjithnjë e më e ashpër.

Ministri turk për çështje evropiane, Omer Celik, gjatë intervistës dhënë televizionit “Haberturk” në Ankara, sërish ka thënë se Turqia mund ta anulojë marrëveshjen me Brukselin për ndalimin e refugjatëve nga Lindja e Mesme që të shkojnë drejt Evropës.

"Qëndrimi jonë është i fuqishëm. Nëse BE-ja nuk e jep një datë konkrete për të na dhënë neve mundësinë e udhëtimit pa viza, ne nuk do e zbatojmë marrëveshjen e riatdhesimit dhe nuk do të bëjmë progres të mëtutjeshëm në këtë çështje. Ata po pyesin nëse po e kërcënojmë Bashkimin Evropian. Ne nuk e kërcënojmë askënd, ne nuk shantazhojmë askënd”, ka thënë Celik.

Ndërkaq kryeministri turk, Binali Yilidirim, duke iu drejtuar mbrëmjen e së martës anëtarëve të partisë në pushtet, AKP në Ankara, iu ka thënë atyre se është e sigurt që kleriku, Fetullah Gylen, që jeton në SHBA, do kthehet dhe dënohet në Turqi, për organizimin e grusht shtetit. Uashingtoni ka refuzuar plotë herë ekstradimin e Gylenit, pasi Ankaraja nuk ka dërguar dëshmi që do e verifikonin përfshirjen e klerikut në grusht shtetin e 15 korrikut.

"Ne padyshim se do e dënojmë Gylenin për martirët dhe veteranët tanë. Ne do e dënojmë atë tregtar të fesë, atë gënjeshtar të fëlliqur dhe atë vrasës të pamëshirshëm”, ka thënë kryeministri turk, i bindur se Ankaraja patjetër do e rikthejë atë në Turqi.

Dhe derisa ai fliste i bindur se Ankaraja do e kthejë Gylenin në Turqi, anëtarët e partisë në pushtet thërrisnin me aq sa kishin zë... “ne e duam dënimin me vdekje”. (REL)

Përgatiti: Artan Haraqija

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG