Ndërlidhjet

logo-print

Maqedoni: Pas vërshimeve, fillojnë sanimet e dëmtimeve


Ekipet e specializuara akoma janë në kërkim të vajzës së vogël 16 muajsh e cila është zhdukur nga duart e babait të saj, i cili ka qenë duke udhëtuar përgjatë qarkores së Shkupit në momentin vërshimeve të shkaktuara nga të reshurat e rrëmbyeshme të shtunën në mbrëmje, njoftojnë nga dikasteri i Policisë Maqedonase.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se në dikasterin e tyre është lajmëruar vetëm një e zhdukur.

Por, nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim thonë se nga vërshimet janë lajmëruar 4 persona të zhdukur fati i të cilëve akoma nuk dihet.

Qarkorja e Shkupit, e cila për tre ditë ishte e pa kalueshme pas vërshimeve dhe dëmtimeve gjatë motit të ligë të shtunën, tani është e hapur me paralajmërime të shumta në zonat e dëmtuara të asfaltit.

Në fshatrat e përmbytura të rrethinës së Shkupit ekipe të specializuara punojnë në tërheqjen e ujit.

Nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim bëjnë të ditur se në teren janë dërguar 250 punëtorë të specializuar të cilët punojnë në tërheqjen e ujit në ndihmë të mbi 5 mijë familjeve në 12 zona të banuara që pësuan nga vërshimet.

Nga dita e djeshme, ekipeve të shpëtimit i është bashkangjitur dhe një delegacion tetë anëtarësh nga Kosova nga drejtoria për menaxhim me Kriza i cili do të ndihmojë në tërheqjen e ujit me pompa deri të premten.

Përderisa banorët e viseve të vërshuara apelojnë që organet kompetente të reagojnë më shpejt nga fika e përhapjes së epidemive në kushte kur mbi 90 përqind e popullatës nuk është evakuar nga vendbanimet e vërshuara.

“Shtëpinë e kam të dëmtuar tërësisht, është e pa banueshme.. Askush nuk ka ardhur të na pyes hallin tonë në këtë lagje se jemi më thellë në fshat. Deri më tani si ndihmë kemi marrë vetëm ujë. Dje erdhi një bager, po shumë pak ka ndihmuar që të tërhiqet uji nevojiten më shumë mjete dhe organizim më i mirë i njësiteve të specializuara jo vetëm në disa vende“, thekson Seferi nga fshati Hasanbeg i Shkupit.

Edhe Vojo Minevski nga fshati Stajkovc IiShkupit është në pritje të vendosjes së pompave për të tërhequr ujin në shtëpinë e tij e cila është e pa banueshme meqë është e mbushur me ujë mbi 70cm.

Vojo thotë se përfaqësuesit politik më shumë bëjnë defile me ardhjen e tyre në viset e vërshuara sesa angazhohen për të ndihmuar në sanimin e dëmeve.

“Ishte këtu një ministër dhe arsyetohej se nuk kanë mundësi për të na siguruar pompa për tërheqjen e ujit. Në tërë fshatin janë vendosur 10 pompa të cilat duhet ta tërheqin ujin nga 110 shtëpi aq sa janë përmbytur. Duhet të reagohet me shpejtësi sepse këtu është fshat dhe ka kafshë të ngordhua gjithandej kemi frikë nga përhapja e ndonjë epidemie”, thotë Manevski nga fshati Stajkovc i Shkupit.

Ambasadori i BE-së në Shkup Aivo Orav, përmes rrjeteve sociale ka njoftuar se një ekip ekspertësh nga BE-ja ka filluar të bëjë vlerësimin e dëmeve nga moti që të shtunën goditi Shkupin me rrethinë.

Siç mësohet, ky ekip nga BE-ja krahas vlerësimit të dëmeve, duhet t’i jap rekomandime autoriteteve të Maqedonisë për mbrojtje civile në nivel nacional dhe lokal rreth riparimit të pasojave.

Një pjesë e ekspertëve thonë se mjetet dhe donacionet që vijnë nga jashtë duhet të menaxhohen drejtpërdrejtë nga donatorët e huaj dhe jo autoritet vendore për të eliminuar çfarëdo lloj keqpërdorimi të mundshëm.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG