Ndërlidhjet

Hyseni: Brenda një viti asnjë rast i shkuarjes së kosovarëve në luftërat e huaja


Ilustrim
Ilustrim

Po bëhet gati 1 vit që nuk është shënuar asnjë rast i shkuarjes së qytetarëve të Kosovës për të marrë pjesë në luftërat e huaja në Siri dhe Irak, ka konfirmuar ministri i Punëve të Brendshme i Qeverisë së Kosovës, Skënder Hyseni. Ai e ka bërë këtë deklaratë, të mërkurën, në takimin me anëtarët e Forumeve lokale të Sigurisë të regjionit të Prishtinës.

Ministri Hyseni ka theksuar se, me këtë fakt, institucionet e Kosovës mund të ndjehen krenare për punën që kanë bërë në parandalimin e pjesëmarrjes së qytetarëve të saj në luftëra të huaja. Por, sipas tij, në asnjë mënyrë institucionet, sidomos ato të rendit, por edhe shoqëria në tërësi, nuk duhet të ndjehen komod dhe të sigurta dhe të thonë se terrorizmi është një e keqe që mund t’i godas vetëm qendrat e mëdha botërore dhe jo Kosovën.

Garanci të tilla, ka thënë ministri Hyseni, nuk mund të japë askush dhe asnjëherë. Megjithatë, ai ka thënë se gjatë një viti janë shënuar raste kur shtetas të Kosovës janë ndaluar që të shkojnë në luftëra të huaja, përkatësisht në Siri dhe Irak. Ai gjithashtu, nuk e përjashton mundësinë që qytetarë të caktuar të kenë mundur të gjejnë rrugë alternative, pa dijen e shtetit, që të udhëtojnë drejt vendeve në konflikt.

“Kemi pasur tre raste të përpjekjes që i kemi ndaluar. Dy raste në Prishtinë dhe një rast tjetër në Stamboll. Dhe unë e theksoj që nuk kemi asnjë rast të regjistruar (të shkuarjen së luftëra të huaja). Kufijtë e Kosovës janë kufij të një vendi demokratik dhe secili e ka të drejtën hyjnore që ta kalojë me pasaportë të rregullt apo me letërnjoftim, si në rastin e Maqedonisë. Ku mund ta dimë ne se ku shkon një qytetar i Kosovës nëse kalon nëpër rrugë tokësore jashtë kufijve të Kosovës. Ne po flasim për raste të regjistruara dhe të tilla nuk kemi”, ka thënë Hyseni.

Në anën tjetër, Mentor Vrajolli nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, duke folur për radion Evropa e Lirë shpreh mendimin se vlerësimet e Ministrit të brendshëm të Kosovës, Hyseni, janë të qëndrueshme. Sipas tij, rreziku nga shfrytëzimi i rrugëve alternative nga ana e qytetarëve të Kosovës për të shkuar në Siri dhe Irak, ekziston. Por, megjithatë, siç thotë Vrajolli, edhe monitorimi i personave që kanë shpërfaqur tendenca për shprehje të bindjeve radikale, është më i madh.

“Mungesa e tyre apo alibia e vendndodhjes së tyre ndikon që të kuptojmë se këta persona vetëm se e kanë marrë rrugën për vendet e tilla. Në bazë të informacioneve që i kemi - për shkak se ne kemi edhe hulumtues në terren, të cilët kanë kontakt, qoftë me familjarët e personave të radikalizuar, qoftë me qytetarë, imamë apo zyrtarë komunale dhe zyrtarë shkollash- dhe asnjëri nga kontaktet që kemi pasur deri më tash, nuk ka aluduar se ndonjë person, i cili është dyshuar më herët se ka përfaqësuar bindje radikale, të mungojë në shoqëri apo të ketë marrë ndonjë rrugë të tillë”, thotë Vrajolli.

Ministri Hyseni ka theksuar se ekzistojnë probleme me ndëshkimin adekuat, në pajtim me ligjin, të atyre që bëjnë shkelje të Ligjit për parandalim të pjesëmarrjes në luftëra të huaja, për mungesë të provave. Por, sipas tij, edhe ata persona janë nën vëzhgimin e organeve të rendit. Ministri Hyseni ka thënë se institucionet e rendit në Kosovë tashmë i kanë informacionet mbi numrin e shtetasve të Kosovës, të cilët aktualisht gjenden në vendet ku zhvillohen konfliktet, në Siri dhe Irak.

“Informacionet e fundit që i kam edhe nga burimet e ndryshme inteligjente janë që aktualisht në Siri dhe Irak janë rreth 78 apo 80 qytetarë të Republikës së Kosovës. Fatkeqësisht, gjysma e tyre janë fëmijë dhe gra”, ka thënë Hyseni.

Por, Vrajolli, thekson se informacionet për personat që kanë shkuar në Siri dhe Irak janë të ndryshme. Sipas tij, një numër i shtetasve të Kosovës që kanë shkuar atje, kanë marrë me vete edhe familjen.

“Për numrin e saktë është vështirë të flitet. Nuk di sa ka statistika të sakta dhe sa është numri i tyre. A është aq apo më i madh, kjo mbetet të verifikohet nga institucionet përkatëse. Megjithatë, disa prej tyre janë vrarë, kanë humbur jetën dhe familjarët e tyre kanë mbetur të ngujuar. Të miturit, është tendenca për t’i përdorur për rekrutim, ndërsa, gratë mund të jenë rimartuar me persona tjerë xhihadistë”, thotë Vrajolli.

Që nga viti 2012, rreth 300 shqiptarë të Kosovës i janë bashkuar organizatave të shpallura ndërkombëtarisht si terroriste në Siri dhe Irak. Aktualisht vlerësohet se në konfliktet e huaja po marrin pjesë 70 deri 80 shqiptarë nga Kosova, ndërkaq që rreth 50 syresh thuhet të jenë vrarë.

Në maj të 2016, një gjykatë në Kosovë e dënoi me 10 vjet burg një imam me akuzën për nxitje, përçarje dhe urrejtje midis grupeve të ndryshme fetare në vend. Së bashku me imamin u dënuan edhe 6 persona të tjerë nga një grup i të arrestuarve. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG