Ndërlidhjet

logo-print

Trendi i blerjeve online nga qytetarët e Kosovës, thuhet të jetë rritur 200 për qind, krahasuar me dy apo tre vjetët e kaluar. Nga rreth 12 mijë sa ka qenë numri i porosive online në vitin 2015, tani porositë e qytetarëve arrijnë në mbi 200 mijë kërkesa në vit.

Produktet që më së shumti blihen online nga qytetarët e Kosovës janë produkte e konsumit, si tekstili dhe bizhuteritë.

Këto të dhëna i bëjnë të ditura për Radion Evropa e Lirë zyrtarë të Doganave të Kosovës.

Zëdhënësi i këtij mekanizimi, Adriatik Stavileci, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tregon se është parë një trend në rritje i kërkesave të qytetarëve për të blerë online.

“Nëse para tre-katër vjetëve ne kemi pasur qarkullim të blerjeve online brenda një viti nga 10 mijëderi në 12 mijë, tashmë ky trend ka kaluar deri në 100 mijë dhe ka raste që edhe mbi 200 mijë brenda një viti. Sa i përket procedurave, janë të thjeshta dhe janë të përcaktuara edhe me kodin doganor. Secila dërgesë mbi 22 euro obligohet për taksa”, bën të ditur Stavileci.

Nëse dikush importon mallra përmes blerjeve online, paguan 10 për qind taksë doganore dhe 18 për qind Tatimi mbi Vlerën e Shtuar.

Derisa, çfarëdo dërgese që përbëhet nga mallra të një vlere jo të madhe, e cila dërgohet drejtpërdrejt nga një vend jashtë Kosovës, te një pranues brenda Kosovës, i lejohet lirimi nga detyrimet e importit. Mallrat me vlerë të vogël nënkupton mallrat, vlera e përgjithshme e të cilave nuk tejkalon shumën prej 22 eurosh për secilën dërgesë. Ky lirim nuk vlen për produkte alkoolike, parfume dhe ujëra tualeti, duhan e produkte duhani.

Ndërkohë, zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, sqaron edhe për mallrat, të cilat nuk janë të lejuara të blihen online.

“Kryesisht në porositë online janë të lejuara të gjitha ato mallra, për të cilat nuk ka ndonjë ndalesë. Pra, janë të gjitha mallrat e lejuara, përveç mallrave që kërkojnë licenca të veçanta, siç janë tek importi i armëve, narkotikëve apo psikotropeve, që quhen në gjuhën doganore”, shpjegon Stavileci.

Rritja dhe zhvillimi i sistemit bankar në Kosovë, sipas një analize që ka bërë Dogana e Kosovës, thuhet të ketë ndikuar direkt në qarkullimin e blerjeve online. Në Kosovë janë 10 banka komerciale, të cilat ofrojnë shërbime për qytetarët e Kosovës.

Blerja nëpërmjet internetit dhe arritja e dërgesës përmes shërbimit postar në adresë të shtëpisë, kursen kohën dhe paranë, pasi mund të blesh artikuj më lirë se sa në tregun vendor, thonë qytetarët, të cilët blejnë online.

Shpendi, një qytetar nga Prishtina, në shumë raste shfrytëzon internetin për blerjet online.

Blej online pasi që disa prej produkteve, sidomos shumica prej produkteve teknologjike, nuk janë në tregun e Kosovës. Mundësia e pagesës dhe blerjes online, na ofron më shumë në blerjen në tregun evropian, atë amerikan e kështu me radhë”, thotë ai.

Ngjashëm shprehet edhe Arjeta:

“Arsyeja pse blej online është që shumë herë janë më lirë sesa në shitore, kanë oferta më të shpeshta, humb më pak kohë. Blerja online ka edhe mangësitë e veta - ka raste kur produkti në foto duket më i mirë se në realitet, nuk i merr në të njëjtën ditë që i porosit etj”.

Rritja e qarkullimit të produkteve të blera nëpërmjet internetit dhe arritjes me shërbimin postar, kishte shtyrë Doganën dhe Postën e Kosovës të nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi lidhur me lehtësimin e procedurave për zhdoganimin e dërgesave me rastin e pranimit të mallrave.

Deri me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, të gjithë qytetarët që kanë pranuar mallra përmes dërgesave postare, kanë qenë të detyruar të shkojnë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ose në Qendrën Transit të Postës në Fushë Kosovë, për të pranuar dërgesën dhe për të paguar taksën doganore.(REL)

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG