Ndërlidhjet

Kuvendi nuk e di kur procedohet demarkacioni


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Autoritetet në Prishtinë thonë se vonesa e ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi ka ‘dëmtuar interesat e vendit’.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha të hënën se institucionet e Kosovës nuk guxojnë të rrezikojnë më tutje me vonesën e miratimit të këtij projekt- ligji, duke i bërë thirrje qeverisë që ta ‘procedojë më shpejt atë'.

"Unë pres që [projekt-ligjin] për demarkacion ta kemi sa më shpejt në Kuvend. Është në interesin e vendit që të kalohet demarkacioni. Jemi duke e dëmtuar partneritetin të cilin e kemi më miqtë tanë dhe vetëm me miqtë tanë mund ta kemi Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran. Jemi duke e dëmtuar procesin zhvillimor të Kosovës", tha Veseli.

Pas një takimi të kryesisë së Kuvendit, Veseli tha se çështja e demarkacionit me Malin e Zi do ishte mirë të kishte përfunduar shumë më herët. Sipas tij, edhe partitë politike opozitare duhet të jenë pjesë e proceseve....

"Opozita duhet të jetë pjesë e konsensusit politik për interes të vendit", thaVeseli.

Por, partneri në koalicionin qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se përpara se të procedohet ligji në Kuvend duhet të zhvillohen bisedime mes pozitës e opozitës për të gjetur një “pajtueshmëri për demarkacionin”.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, tha se pritet që Qeveria ta procedojë në Kuvend së shpejti projekt- ligjin.

"Pritet të ketë bisedime, bashkëbisedime, si të përfaqësuesve të pozitës me ata të opozitës dhe Qeverisë. Kështu që nuk mund të them më tepër se sa kjo që mund të pritet të ketë bisedime në mënyrë që të përafrohen qëndrimet", tha Beqiri.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë paralajmëruar, pak ditë më parë, se projekt-ligji për ratifikimin e marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi do të mund t’i dërgohet Kuvendit brenda pak kohësh për votim.

Projekti ligji u tërhoq nga Kuvendi i Kosovës në fillim të muajit shtator, pas kundërshtimeve të fuqishme të opozitës, ndërsa Qeveria tha se "po kërkon pajtim në shkallë të gjerë” për ta riproceduar në Kuvend.

Marrëveshja për Demarkacion me Malin e Zi, që u nënshkrua në verën e vitit 2015 në Vjenë, në praninë ndërkombëtare, ka ngjallur një varg protestash të paritve në opozitë që e kanë kundërshtuar atë edhe me hedhjen e gazit lotsjellës në sallën e Kuvendit.

Opozita ka theksuar se riprocedimi i dokumentit nga Qeveria do të përshkallëzonte sërish situatën, duke kërkuar që i gjithë procesi, sipas saj, të ‘rinegociohet'.

Fatmir Limaj, kryetar i subjektit politik opozitar Nisma për Kosovën, i tha në fundjavën e kaluar Radios Evropa e Lirë se Qeveria “nuk e ka menaxhuar siç duhet çështjen” dhe se, sipas tij, është krijuar gjithë ky tension dhe gjithë ky polarizim i panevojshëm.

"E vetmja rrugë zgjidhjeje është t’i rikthehemi dialogut, të rikthehemi në proces transparent, t’i analizojmë shumë seriozisht vërejtjet që kanë dalë nga ekspertët dhe ta rikthejmë këtë proces në zero", ka thënë Limaj.

Marrëveshja për demarkacionin, thonë analistët, do të vazhdojë të ‘thellojë dallimet në skenën politike’, duke pamundësuar arritjen e ‘një pajtueshmërie që do të çonte’, siç thonë ata, ‘drejt normalizimit të punës së Kuvendit të Kosovës’.

Një përpjekje e shoqërisë civile për të arritur një pajtueshmëri mes palëve duket, siç thuhet, se nuk ka arritur ‘të bindë palët për të proceduar më tutje me demarkacionin’. (REL)

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG