Ndërlidhjet

Raportet e “ngrira” rrezikojnë tensione të reja


Ilustrim
Ilustrim

“Ngrirja”e pjesëmarrjes së përfaqësuesve të Listës Serbe në punën e Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës do të jetë e dëmshme për vet komunitetin serb në Kosovë, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, si shqiptarë ashtu edhe serbë.

Ngrirja e kësaj pjesëmarrjeje në legjislativ dhe ekzekutiv nga ana e Listës Serbe erdhi si përgjigje kundërshtuese ndaj miratimit të Ligjit për Trepçën nga ana e Kuvendit të Kosovës, ligj i cili është kundërshtuar edhe nga Qeveria e Serbisë, e cila ka miratuar vendimin që të mos njihen pasojat ligjore që dalin prej këtij ligji.

Për më tepër, kryetarët e katër komunave veriore të Kosovës, Mitrovicës së veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, kanë kundërshtuar miratimin e Ligjit për investime strategjike nga ana e Kuvendit të Kosovës dhe janë zotuar se ai nuk do mund të zbatohet në këto komuna, ngase, sipas tyre, nuk është harmonizuar me autoritetet lokale.

Halil Matoshi, analist i çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se bojkoti i përfaqësuesve të Listës Serbe ndaj institucioneve qendrore, por edhe porositë që dërgojnë drejtuesit e komunave në veri, po ashtu nga radhët e kësaj liste, janë në dëm të vet komunitetit serb.

“Dalja nga institucionet e shtetit, përkatësisht, bllokadat dhe shantazhet që i bëhen Republikës së Kosovës, i dëmtojnë, thjeshtë, substancialisht, interesat e serbëve të Kosovës, sidomos interesat e serbëve që janë në vendbanimet e tyre, në pronat e tyre, në brendësi të Kosovës, përkatësisht në Kosovën qendrore.”

“E pretendimet e Serbisë janë vetëm floskula për përdorim të brendshëm, sepse nuk ka asnjë mekanizëm që mund ta dëmtojë Kosovën në menaxhimin e pronës së saj. Mirëpo, po them, kjo shkakton tensione”, thotë Matoshi.

Rangjel Nojkiq, njohës i zhvillimeve politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se ngrirja e pjesëmarrjes në Kuvendin dhe në Qeverinë e Kosovës nga ana e Listës Serbe është veprim jo i mençur nga ana e kësaj liste.

Megjithatë, sipas tij, veprimi i Listës Serbe është në kuadër të mendësisë së përfaqësuesve të kësaj liste, të cilët, siç thotë ai, janë të varur kryekëput nga Beogradi zyrtar.

“Gjithsesi, Qeveria e Serbisë ka ndikim të madh mbi deputetët serbë, në njërën anë. Në anën tjetër, deputetët serbë nuk janë të pavarur gjatë funksionimit të tyre dhe kjo është treguar në shumë raste. Fundja, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë vet se do t’i dëgjojnë sugjerimet e përfaqësuesve të serbëve në institucionet në Prishtinë. Por, megjithatë, këtë guxim nuk po e tregojnë përfaqësuesit e serbëve. Ata asnjëherë nuk reagojnë në mënyrë të pavarur, por menjëherë, për çdo imtësi, vrapojnë në Beograd dhe kërkojnë mendimin Beogradit”, ka thënë Nojkiq.

Ai ka shtuar se kjo mënyrë e veprimit nuk është e mirë dhe i bën dëm jo vetëm serbëve të Kosovës, por edhe vet Serbisë, gjë për të cilën, sipas tij, kanë dhënë vërejtjet e tyre edhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare.

Shkaktarët që kanë çuar në bojkotin e Listës Serbe ndaj institucioneve qendrore, por edhe reagimin e drejtuesve të komunave të veriut, siç thotë Nojkiq, nuk mund të jenë pjesë e bisedimeve në Bruksel, sepse për këtë kërkohet pajtimi i të dyja palëve, Serbisë dhe Kosovës. Por, siç thotë ai, Kosova përjashton një mundësi të tillë dhe sipas tij, kjo situatë mund të prodhojë skenarë të padëshirueshëm.

“Ky do të jetë një konflikt i ngrirë, i cili do të mbetet i pazgjidhur dhe nxit mundësinë e ndonjë vendimi të njëanshëm. Vendimet e njëanshme mund të jenë, të themi, që Qeveria e Kosovës të dërgojë forca policore ose të tjera dhe në mënyrë të dhunshme të merret Trepça. Mendoj që kjo nuk do të ishte mirë, sepse do të mund të sillte një konflikt të ri, gjë që nuk është e mirë”, ka thënë Nojkiq.

Por, Matoshi nuk e sheh mundësinë e tensionimit të situatës deri në masën e krijimit të mundësive për një konflikt eventual.

“Kosova nuk është e aftë, nuk ka potenciale dhe resurse materiale që ta revitalizojë Trepçën aktualisht. Kjo do të marrë shumë kohë, kështu që lidershipi politik i Prishtinës po kalkulon me kohën. Do të thotë, edhe ashtu kjo punë nuk mund të bëhet, kështu që pretendohet se deri atëherë raportet me Serbinë do të shtensionohen dhe gjithçka do të rregullohet”, thotë ai.

Sidoqoftë, njohësit e zhvillimeve politike vlerësojnë se burimi i problemeve është preambula në Kushtetutën e Serbisë, e cila e konsideron Kosovën si pjesë të saj dhe rrjedhimisht edhe pronën e Kosovës, si pronë të veten.

Mbi këtë parim, Serbia po e udhëheqë edhe çështjen e Kodit telefonik për Kosovën, duke e konsideruar si pasuri të saj, gjë e cila është refuzuar nga Kosova. E gjithë kjo ka rezultuar me bllokim aktual të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për kodin telefonik. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG