Ndërlidhjet

Jeta e komunitetit LGBTI (homoseksual, lesbike, biseksual e transgjinor) në përgjithësi, në Kosovë, nuk duket të jetë e lehtë. Kjo për shkak të diskriminimit që i bëhet këtij komuniteti.

Kështu thonë vetë pjesëtarët e këtij komuniteti, duke treguar se shoqëria dhe familja, i diskriminon në momentin kur tregojnë për orientimin e tyre seksual.

Ndryshe, rreth 20 për qind e popullatës së përgjithshme në botë thuhet se kanë tendenca të orientimit homoseksual, lesbike, biseksual apo transgjinor.

Blerta, ndonëse ka lindur vajzë, ajo asnjëherë nuk është ndjerë si e tillë. Ajo thotë se me kohë e ka kuptuar që i përket komunitetit transgjinor. Blerta tashmë në rrethin e saj njihet si djalë, derisa flet për sfidat me të cilat përballet në jetë.

“Kërkesat më të mëdha dhe tash për tash të parealizueshme janë ndërrimi i emrit dhe seksit biologjik, si person transgjinor. Mendoj se këtu është problemi kryesor, pasi nuk ofrohen kushte për transgjinorët. Sfida më e madhe në gjithë komunitetin LGBTI, është për personat transgjinor".

"Ndryshe, cilindo që e shikon është komunitet i diskriminuar. Shoqëria vetë i stigmatizon. Por, çfarëdo intervenimi që kërkohet lidhur me transgjinorët, ne duhet të udhëtojmë jashtë vendit për të marrë shërbime. Andaj, edhe organizatat që merren me të drejtat tona, janë duke e shqyrtuar mundësinë që kërkesat tona t’i shtyjnë përpara’’, tregon Blerta.

Agim Margilaj, i cili punon në njërën nga organizatat që mbron të drejtat e komunitetit LGBTI, thotë se ndonëse Kosova gëzon një strukturë ligjore goxha të avancuar në krahasim me shtetet e rajonit, prapë mbetet me shoqërinë më homofobike në rajon, sipas studimeve që janë bërë në vitin 2015.

“Sipas studimit, del se 81 për qind e komunitetit LGBTI ka përjetuar dhunë psikike apo fizike, për shkak të orientimit seksual apo identitetit gjinor. Andaj shoqëria nuk e pranon komunitetin LGBTI në rrethin e vet. Por, këta jetojnë në çdo fushë të jetës. Duhet të kemi parasysh që gjithsecili mund të jetë pjesë e komunitetit LGBTI”.

“Në Prishtinë komuniteti LGBT përballet me vështirësi prej ngacmimeve seksuale, dhunës dhe presionit në familje dhe njerëzve homofobik”, thotë Margilaj.

Në Kosovë janë tri organizata që mbrojnë të drejtat e komunitetit LGBTI. Këto kanë ngritur kapacitetet e veta që t’u ofrojnë ndihmë ligjore, në rast të shkeljes së të drejtave. Organizatat ofrojnë ndihmë ligjore, pra avokat falas, por edhe ndihmat psikosociale.

Në anën tjetër, për sfidat me të cilat përballet flet edhe një nga lesbiket, e cila thotë se problemet për orientim seksual, fillojnë pikërisht nga familja për të vazhduar jashtë shtëpisë:

“Komuniteti LGBTI jeton në kushte mjaft të vështira në Kosovë. Ngacmimet i marrin fillimisht prej rrethit familjar, shoqërisë. Prej personave të ndryshëm jam atakuar, dhe unë mendoj se është gabim se të gjithë jemi njerëz, sikur të gjithë të tjerët kemi ndjenja".

Por, zyrtarë qeveritarë thonë se duhet ende punë në vetëdijësimin e popullatës për të drejtat që duhet t’i gëzojë komuniteti LGBTI, pasi një gjë e tillë garantohet edhe me ligj, por edhe me Kushtetutë.

Habit Hajredini nga zyra për Qeverisje të Mirë në zyrën e kryeministrit jep hollësi të tjera:

“Nuk duhet të jemi të kënaqur me atë çka kemi arritur. Na pret sfidë e madhe neve si institucione secilin dikaster si arsimimin, sigurinë, shëndetësinë, mirëqenien sociale. Por, aty ku duhet të punohet më shumë është se duhet ngritur vetëdija, pasi kemi nevojë t’i informojmë të gjithë qytetarët, familjarët, për të drejtat që i garanton ligji, Kushtetuta për politikat që i dedikojmë për të mirën e qytetarëve pa dallim”.

“Mendoj se është bërë pak në këtë drejtim. Unë edhe një herë ju garantoj se në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës, që përkushtimi ynë dhe prioriteti që është vendosur për të punuar në fushën e të drejtave të komunitetit LGBTI, do jetë me prioritet në vazhdimësi dhe pritet që shumë shpejt të finalizohet edhe planin dy vjeçar për të drejtat e këtij komuniteti”, shpjegon Hajredini.

Në shkurt të këtij vitiështë promovuar video projekti muzikor, dedikuar komunitetit LGBTI, i quajtur ‘’Pantarei’’, nga artisti Shkumbin Tafilaj, me qëllim të sensibilizimit të opinionit lidhur me të drejtat e këtij komuniteti.(REL)

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG