Ndërlidhjet

Kuvendi përpiqet ta bindë BE-në për liberalizim vizash


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, përmes një deklarate politike, e cila pritet të miratohet nga grupet parlamentare, do të kërkojnë nga Bashkimi Evropian që qytetarëve të Kosovës t’iu njihet e drejta e lëvizjes së lirë në zonën Schengen.

Përmes kësaj deklarate të përbashkët, për të cilën ekziston pajtim parimor i grupeve parlamentare, synohet që vendeve të Bashkimit Evropian t’iu garantohet se partitë në pushtet dhe opozita, pavarësisht dallimeve që kanë lidhur me çështjen e shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi, megjithatë qëndrojnë të bashkuar në qëllimin që ky proces të përmbyllet sa më shpejtë që të jetë e mundur.

Por, a do të ketë efektet e pritura kjo deklaratë e përbashkët e grupeve parlamentare të Kuvendit të Kosovës, përderisa në raportin e fundit të Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogherini, thuhet se nuk mund të ketë liberalizim të vizave për Kosovën pa përmbushjen e kritereve të fundit.

Sadri Ferati, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës - parti brenda koalicionit qeverisës në vend - thotë për Radion Evropa e Lirë se deklarata e përbashkët politike e subjekteve parlamentare, në këtë moment, është solucioni më i mirë.

“Tani unë nuk jam i sigurt se sa do të jetë efekti dhe sa mekanizmat e Bashkimit Evropian do të mund të krijojnë besim në këtë situatë dhe që të mos ketë pasoja për vendimin për liberalizimit të vizave. Por, në situatën që jemi - me politizimet dhe polarizimet qe janë krijuar këtu - pastaj edhe bojkoti i Listës Serbe, që pothuajse e ka bërë të pamundur që të sigurohen 80 vota, mendoj që ai është një solucion i mençur dhe ndoshta më i miri për momentin, që partitë politike ta krijojnë një deklaratë të përbashkët dhe të zotohen se do të angazhohen që kjo çështje të marrë rrugë dhe se do t’i njohin rezultatet e vendimit që do të merret në Kuvend”, thotë Ferati.

Albulena Haxhiu, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, subjekt ky më i madhi opozitar në Kuvendin e Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se pavarësisht që nuk kanë marrë pjesë në takimin e ditës së martë, të shefave të grupeve parlamentare, megjithatë kjo lëvizje është e gatshme që të kontribuojë për t'u arritur liberalizimi i vizave për Kosovën.

“Natyrisht që ne do të jemi të gatshëm dhe të vullnetshëm që të përkrahim çfarëdo procesi që i hapë rrugë liberalizimit të vizave për Kosovën, por që përgjegjësia mbi këtë i bie qeverisë. Ne konsiderojmë që në qoftë se qeveria do të ishte e vullnetshme, kjo çështje tashmë do të ishte e harruar."

"Pra, unë nuk jam shumë e bindur në qoftë se do të ketë ndonjë ndikim, të paktën në institucionet e Bashkimit Evropian, një deklaratë e Kuvendit të Republikës, mirëpo, natyrisht ne jemi shprehur gjithnjë të gatshëm që qytetarët e Republikës së Kosovës të lëvizin lirshëm”, thotë Haxhiu.

Zafir Berisha, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e subjektit opozitar Nisma për Kosovën, thotë për Radion Evropa e Lirë se pret që deklarata e përbashkët e grupeve parlamentare që do t’u drejtohet vendeve të Bashkimit Evropian, do të jetë e efektshme.

“Unë po besoj që duhet të ketë efekt, për shkak se çështja e demarkacionit, si kusht, nuk ka vlejtur për asnjë vend tjetër. Edhe sot ka vende të Bashkimit Evropian që kanë konteste të kësaj natyre, por që nuk kanë qenë pengesë, sepse besoj që edhe ata janë zotuar që në këtë proces, do t’i zgjidhin me mjete paqësore kontestet e tyre. Në këtë drejtim, edhe ne në këtë vijë, jemi duke u zotuar përmes kësaj deklarate”, thotë Berisha.

Naim Rashiti, analist i Grupit Ballkanik për Politika, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se një deklaratë e përbashkët e grupeve parlamentare që shpreh konsensusit parimor që çështja e demarkacionit me Malin e Zi duhet të zgjidhet sa më shpejt, është e mirë, por pak e vonuar.

“Klima politike e krijuar nga takimet e fundit të dialogut politik ka mundësuar që edhe në Kuvend të ketë mirëkuptim më të madh, që edhe partitë në pushtet të kenë qasje më të pranueshme ndaj opozitës, por anasjelltas edhe opozita."

"E keqja e krejt këtyre veprimeve është që janë pak të vonuara. Do të ishte dashur që të ketë shumë më herët një diplomaci dhe veprim të tillë të të gjithë mekanizmave institucional dhe politik. Sigurisht që do të ketë efekt dhe në qoftë se mobilizohen të gjitha partitë parlamentare dhe lidershipi politik i këtij vendi, do të ketë efekt edhe në procesin e liberalizimit të vizave”, thotë Rashiti.

Marrëveshja për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi u nënshkrua në gusht të vitit 2015 nga autoritetet në Prishtinë e Podgoricë, me praninë ndërkombëtare. Marrëveshja më pas u cilësua e papranueshme nga opozita, e cila e kundërshtoi brenda Kuvendit përmes përdorimit të gazit lotsjellës, por edhe jashtë tij përmes protestave. (REL)

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG