Ndërlidhjet

Fëmijët, viktima të dhunës në familje dhe shkolla


Ilustrim
Ilustrim

Një numër shumë i madh i fëmijëve në Kosovë, sipas statistikave, kalon faza të dhunës psikike e fizike. Fëmijët i ekspozohen dhunës, si në familjet ku jetojnë, ashtu edhe në institucionet shkollore, apo në raste të caktuara edhe parashkollore.

Agjencia e Statistikave të Kosovës kishte kumtuar se, rreth 61 për qind e fëmijëve të anketuar deri në moshën 14 vjeç, kanë deklaruar se kishin pësuar nga dhuna psikike e ndëshkimi fizik nga anëtarët e ekonomisë familjare gjatë muajit të fundit. Kurse, sipas po këtyre statistikave, 59 për qind e fëmijëve kishin pësuar nga dhuna psikike, përderisa 24 për qind kishin pësuar nga ndëshkimi fizik.

Koalicionin për Mbrojtjen e Fëmijëve, KOMF, ka prezantuar këto të dhëna, që tregojnë shkallën e lartë të dhunës të ushtruar ndaj fëmijëve në Kosovë, me arsyen se modelet e disiplinimit shpeshherë orientohen drejt dhunës fizike dhe emocionale.

Naser Lajçi, nga organizata "Syri i Vizionit", organizatë kjo që merret me të drejtat e fëmijëve, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ndonëse kanë filluar të raportohen rastet e dhunës në shkolla, sfidë mbetet dhuna ndaj fëmijëve në familje.

“Nëse bazohemi në statistikat e Policisë së Kosovës, vërehet një rënie e dhunës ndaj fëmijëve, por, nëse i referohemi Ministrisë së Arsimit, vërehet një rritje e rasteve të raportimit të dhunës në shkolla dhe hapësirat përreth shkollave”.

“Të mbrohen fëmijët në institucionet shkollore është shumë më lehtë sesa në familje. Andaj, ne kemi lansuar edhe video që ka të bëjë me vetëdijesimin e prindërve dhe sensibilizimin e opinionit që fëmijët mund të rriten pa dhunë”, ka thënë Lajçi.

Sipas tij, problem mbetet menaxhimi i rasteve të dhunës në familje.

Ndryshe, gjatë vitit të kaluar, në Policinë e Kosovës janë raportuar 567 incidente të ndryshme që kanë ndodhur në shkolla ose në afërsi të objekteve të shkollave në Kosovë.

Zyrtarë në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, thonë se ekziston infrastruktura ligjore që ndalon përdorimin e dhunës fizike nëpër shkolla.

Merita Jonuzi, nga kjo ministri, ka thënë se vitet e fundit është rritur numri i raportimeve të dhunës ndaj fëmijëve, për dallim nga koha e kaluar, kur rastet e ndëshkimit me dhunë ndaj fëmijëve nuk janë dëgjuar.

“Dhuna është e ndaluar me ligj në arsimin parauniversitar. Ne kemi hartuar edhe protokollin për parandalim dhe referim të dhunës me qëllim që të shihet qasja ndër institucionale për trajtimin e dhunës. Dhuna në shkollë nuk vjen vetëm prej shkollës si fenomen, por ndodh edhe si rezultat i dhunës në familje, qoftë nga nxënësit, por edhe nga mësimdhënësit”, ka theksuar Jonuzi.

Këto efekte anësore, sipas Jonuzit, ndikojnë në situata konfliktuoze në shkolla, ndonëse është e sanksionuar me ligj.

“Në vitin shkollor 2015/16 janë raportuar mbi 40 raste”, ka thënë Jonuzi.

Ndërkaq, Agron Seferi, nga organziata ‘Save the Children’, ka bërë të ditur se tashmë përmes programeve që ata i aplikojnë, e që bazohen ne Konventën për Mbrojtjen e Fëmijëve, kanë arritur që të ndërtojnë një partneritet mes trekëndëshit fëmijë - prind - mësimdhënës, me qëllim që dhuna të mos përdoret tek fëmijët.

“Gjitha programet e ‘Save the Children’ fokusohen në parandalimin e dhunës ndaj fëmijëve. Ne si organizatë punojmë në partneritet me organizata që merren me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, e që i inkurajon fëmijët që ata ta denoncojnë dhunën. Për rastet e dhunës që ndodhin, ne mundohemi që t’i ngrisim rastet te zyrtarët shtetëror që ata të merren me trajtimin e dhunës”, ka deklaruar Seferi.

“Programet tona janë të bazuara në konventën për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe kemi arritur që të ndërtojmë partneritet të mirë me prindër, mësimdhënës dhe fëmijë që të lobojnë për të drejtat e tyre. Gjithashtu, ne si organizatë kemi lobuar që edhe në ligjin për mbrojtjen e fëmijëve të vendoset një nen që të ndalohet ndëshkimi trupor”, ka thënë Seferi.

Ndryshe, Kosova nuk ka ligj për mbrojtjen e fëmijëve. Zyrtarë të Organizatave për Mbrojtjen e fëmijëve disa herë kanë thënë se ky ligj është më se i nevojshëm. Ndërkaq, në raportin e fundit të progresit të Komisionit Evropian, potencohet se Kosova ka legjislacion për mbrojtjen e fëmijëve, por zbatimi nuk është i mirë.

Sidoqoftë, psikologët vendorë disa herë kanë potencuar faktin se dhuna mbetet fenomen shqetësues, që ndikon negativisht në zhvillimin e personalitetit të fëmijëve. Ata thonë se duhet të merren masa konkrete që dhuna të mos përdoret, duke përmendur edhe dhunën emocionale e që mund të bartet te nxënësit përmes linçimit, ofendimit, ngacmimit dhe stigmatizimeve të ndryshme. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG