Ndërlidhjet

Pa marrëveshje rreth deklaratës për liberalizim të vizave


Ilustrim

Ilustrim

Kuvendi i Kosovës, në seancën e të enjtes, me 27 tetor, pritet të shqyrtojë dhe të votojë për miratimin e një deklarate me të cilën do t’i drejtohet Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave, duke kërkuar që çështja e Demarkacionit me Malin e Zi të mos jetë pengesë dhe se ajo do të zgjidhet sa më shpejtë të jetë e mundur.

Por, në seancën e ditës së enjte, nuk pritet të ketë konsensus të partive politike, atyre në pushtet dhe atyre në opozitë, lidhur me atë se çfarë duhet të përmbajë draft-rezoluta me të cilën Kuvendi do t’i drejtohet Bashkimit Evropian.

Harmonizimi i draft-rezolutës ka dështuar edhe gjatë një takimi të përfaqësuesve të partive politike parlamentare, i cili u mbajt të martën në Prishtinë.

Ata nuk pajtohen lidhur me pikën e tretë të draft-rezolutës ekzistuese, e cila thotë që “partitë në pushtet dhe opozita, pavarësisht dallimeve që kanë lidhur me çështjen e shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi, megjithatë qëndrojnë të bashkuar në qëllimin që ky proces të përmbyllet sa më shpejtë që të jetë e mundur”.

Përderisa partitë në pushtet e përkrahin këtë pikë, partitë opozitare e kanë kundërshtuar atë.

Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, subjekt ky opozitar më i madhi në Kuvend, thonë se në tekst duhet të thuhet se “marrëveshja ekzistuese për Demarkacionin me Malin e Zi është e vdekur dhe ajo duhet të kthehet në pikën zero”.

Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga Radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, parti në pushtet, thotë për Radion Evropa e Lirë se opozita ka dërguar sinjale se nuk do të tërhiqet nga qëndrimi i saj.

“Në qoftë se nuk ka konsensus, atëherë unë e shoh si problematikë vet diskutimin, sepse mendimi im është që edhe opozita nuk mund të tërhiqet nga qëndrimi i vet dhe nuk do të tërhiqet. Kështu që, nëse zhvillohet debat dhe nuk arrihet asgjë, është problem në vete. Por, sidoqoftë, nëse s’ka konsensus, edhe një deklaratë me shumicë votash në qoftë se miratohet, nuk do të ishte diçka e keqe për Kosovën”.

Në anën tjetër, Albulena Haxhiu, deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e subjektit opozitar, Lëvizjes Vetëvendosje, thotë se në rast që propozimet e opozitës nuk përfshihen në draft-rezolutë, atëherë deputetët e këtij subjekti, do të jenë të rezervuar ndaj kësaj deklarate.

“Në qoftë se nuk pranohen propozimet, të cilat do t’i dërgojë Lëvizja Vetëvendosje - sepse tani, në këtë moment, ne nuk i kemi të gjitha të shkruara, mirëpo natyrisht që ato do t’i procedojmë para seancës plenare - dhe në qoftë se nuk pajtohen me propozimet tona, atëherë nuk ka kuptim që ta përkrahim një draft-deklaratë, e cila është më shumë hedhje hi syve të qytetarëve dhe nuk zgjidhë asgjë. Pra, ne shpresojmë që të njëjtit do të na i përkrahin këto propozime dhe në qoftë se po, atëherë natyrisht që do ta përkrahim një deklaratë. Në të kundërtën, do të rezervohemi karshi të njëjtës”.

Por, a do të ketë efekt një deklaratë e Kuvendit të Kosovës drejtuar Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave, qoftë me konsensus, qoftë me shumicë votash?

Nënkryetari i Kuvendit, Haliti, është skeptik se një deklaratë e tillë, në cilindo variant qoftë, mund të ketë efekt te Bashkimi Evropian.

“Po dua të besoj që është një përpjekje për t’i dhënë një mesazh pozitiv Bashkimit Evropian dhe për të gjetur një rrugë bashkëpunimi ndërmjet pushtetit me opozitën. Unë e shoh me efekt pozitiv në këtë aspekt. Ndërsa, cili do të jetë efekti në zyrat ku merren vendimet në Bashkimin Evropian, unë nuk jam shumë i sigurt, për faktin se tani Bashkimi Evropian ka çështje shumë të mëdha, shumë të rëndësishme dhe problemi i demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi nuk është ndonjë çështje, të cilës i kushtohet rëndësi aq e madhe”, tha Haliti.

Mendim të përafërt ka edhe deputetja Haxhiu. Ajo madje thotë se praktikat e deritashme kanë treguar se vet institucionet e vendit në shumicën e rasteve nuk kanë respektuar rezolutat e Kuvendit të Kosovës.

“Edhe në qoftë se palët pajtohen që t’i marrin parasysh vërejtjet tona, është tepër e vështirë që përmes një deklarate të Kuvendit të Republikës të ndryshohet qëndrimi i Bashkimit Evropian. Ju e dini që ka shumë rezoluta, të cilat janë votuar në Kuvendin e Republikës dhe ato nuk janë respektuar as nga vet institucionet e republikës. E tash, të njëjtit që nuk i kanë respektuar, po presin që me një deklaratë të Kuvendit të bëhet diçka në këtë drejtim”.

Sidoqoftë, raportuesja në Parlamentin Evropian për çështjen e vizave për Kosovën, Tanja Fajon, ditë më parë ka thënë se është vështirë të thuhet nëse deklarata e Kuvendit të Kosovës do të ishte e mjaftueshme për Bashkimin Evropian për liberalizim të vizave.

Ajo ka theksuar se “nëse me këtë deklaratë shkohet sërish kah hapja e çështjes së kufirit, Komisioni Evropian apo shumë shtete anëtare do të mund ta shfrytëzonin këtë për vazhdimin e mëtutjeshëm të bllokadës, për sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën”. (REL)

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG