Ndërlidhjet

Të lëvizësh i 'sigurt' përtej urave mbi Ibër


Lëvizja përtej barrikadave
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:02:34 0:00

Lëvizja përtej barrikadave

Pavarësisht që liria e lëvizjes në qytetin e ndarë të Mitrovicës, nga ana jugore në atë veriore dhe anasjelltas, nuk mund të definohet as për së afërmi si e përkryer, megjithatë së fundmi, është shënuar mjaft përparim në këtë drejtim, vlerësojnë zyrtarët lokal të dy komunave të këtij qyteti, komunës jugore dhe asaj veriore.

Komuna e Mitrovicës së jugut është banuar me popullatë shumicë shqiptare, ndërkaq që Komuna e Mitrovicës së veriut është banuar me popullatë shumicë serbe.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së jugut, Agim Bahtiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se përderisa disa vite më parë, ka qenë e pamundur që qarkullimi i qytetarëve i të dyja komunave të bëhet i papenguar në njërën ose anën tjetër, tashmë situata ka ndryshuar.

“Unë mendoj se ka lëvizje të lirë, por mund të jetë edhe më e lirë në të ardhmen”, ka thënë Bahtiri.

Në anën tjetër, me gjithë përpjekjet e Radios Evropa e Lirë që të bisedojë lidhur me këtë temë me kryetarin e Komunës së Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, ai ka qenë jo i qasshëm.

​Por, Adrijana Hoxhiq, shefe e administratës komunale të Mitrovicës së veriut, thotë për Radion Evropa e Lirë se liria e lëvizjes për qytetarët nga të gjitha komunitetet në këtë komunë, ka shënuar përparim, sidomos që prej zgjedhjeve të fundit lokale, tre vjet më parë.

“Qytetarët ecin nëpër qytetin e tyre, fundja, lirshëm dhe këtu ekziston një progres. Kjo nuk do të thotë që gjendja në Mitrovicën veriore është e përkryer”, theksoi Hoxhiq.

Autoritetet lokale të dy komunave të Mitrovicës, vlerësojnë se largimi i barrikadave nga rrugët, sheshet, si dhe urat që lidhin brigjet e jugut dhe veriut të qytetit të Mitrovicës, është sinjal i përmirësimit të mundësive për liri të lëvizjes së qytetarëve nga të dyja anët e qytetit të ndarë.

Por, si e shohin qytetarët shqiptarë dhe serbë nga të dy komunat, situatën lidhur me lirinë e lëvizjes në përgjithësi në komunat e këtij qyteti?

Viktor Peci, me përkatësi etnike shqiptare, thotë se jeton në Komunën e Zveçanit. Për të shkuar në pjesën jugore të qytetit të Mitrovicës, ai e ka të domosdoshme kalimin nëpër pjesën veriore të këtij qyteti.

Por, siç thotë ai për Radion Evropa e Lirë, liria e lëvizjes, tash për tash është e kufizuar vetëm në aspektin institucional, por se banorët lëvizin, ndonëse me kujdes të shtuar.

“Banorët mund të lëvizin pa probleme, përderisa nuk bëjnë ndonjë problem. Në momentin që, mbase, vërehet se jam shqiptar, mund të kem ndonjë problem, por jo edhe aq. Me marrëveshjet e fundit që janë bërë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk paraqitet aq shumë ndonjë problem për banorët shqiptarë”, është shprehur Peci.

Faruk Ahmeti, shqiptar, i cili banon në Lagjen e Boshnjakëve në Komunën veriore të Mitrovicës, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka ndonjë pengesë për të lëvizur nga veriu drejt jugut të qytetit, por se droja mbetet.

“Momentalisht mirë. Pengesa nuk kemi. Por, frika ekziston gjithmonë, sepse unë po punoj në pjesën jugore dhe duhet mbajtur mendjen në anën veriore,s epse familjen e kam atje”, tha Ahmeti.

Në anën tjetër, një grua e moshuar, me përkatësi etnike serbe, Ljubinka Milosheviq, e cila jeton në Komunën e Mitrovicës së veriut, duke folur për Radion Evropa e lirë, thotë se mjaft shpesh shkon në anën jugore të qytetit, ku jeton shumica shqiptare.

“Shkojmë në dyqane dhe askush nuk na ngacmon. Blejmë gjësende dhe ata, shqiptarët, na i japin. Ndonjëri di serbisht e ndonjë nuk di. Pastaj, kthehemi dhe nuk ka asnjë problem”, tha Milosheviq.

Por, një i ri serb, Veljko Markoviq, po ashtu banor i Komunës veriore të Mitrovicës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se liria e lëvizjes për të ekziston vetëm në veri..

“Në këtë pjesë mund të thuhet se ka liri të lëvizjes, por atje te ura nuk ka edhe aq. Nuk e di a është kjo për shkak të mos durimit nga ana e dy popujve apo për arsye tjetër. por, kështu është”, tha Markoviq.

Parku i Paqes
Parku i Paqes

Ai, po fliste për urën kryesore mbi lumin Ibër, pranë së cilës jo rrallë janë shënuar incidente ndëretnike. Mbi këtë urë, deri më tash kishte qëndruar barrikada e ashtuquajtur “Parku i paqes”, e cila ishte vendosur aty më 18 qershor të vitit 2014, vetëm pak orë pasi që autoritetet lokale të Mitrovicës së veriut, kishin hequr barrikadën me rërë dhe gurë.

Tashmë në urë janë duke u zhvilluar punimet për renovimin e saj, që nënkupton edhe heqjen e barrikadës së ashtuquajtur “Parku i paqes”, si rezultat i marrëveshjes për liri të lëvizjes që është arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dialogun e Brukselit.

Bahtiri thotë se ura do të jetë e gatshme për qarkullim në janarin e vitit 2017.

“Diku kah 20 ose 22 janar, ne e kemi në plan që ta lëshojmë (për qarkullim) atë urë dhe kjo sinjalizon se qyteti po bashkohet”, tha Bahtiri.

Se a do të lëshohet kjo urë për qarkullim në afatin e paraparë dhe se a do të bashkohet qyteti i Mitrovicës, kjo mbetet të shihet.

Megjithatë, të shtunën e kaluar, më 29 tetor, në Mitrovicë të veriut është hequr barrikada e fundit te Shkolla Teknike.

Të nesërmen, po në këtë pjesë të qytetit, është hequr edhe pengesa e fundit, nga banorët shqiptarë, në udhëkryqin kryesor në “Lagjen e Boshnjakëve”. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG