Ndërlidhjet

logo-print

Kosova - në vendin e 70-të të shteteve të rrezikuara nga terrorizmi

  • RFE /RL

Ilustrim

Ilustrim

Kosova është radhitur në vendin e 70-të të listës së vendeve më të rrezikuara nga terrorizmi.

Në mesin e 143 vendeve të përfshira në këtë listë, në vendin e 92 radhitet Shqipëria, ndërsa Maqedonia është e 78-ta, Bosnjë-Hercegovina e 62-ta, Serbia është në vendin e 121-të, Mali i Zi është i 117-i, e kështu me radhë.

Mëtutje, në Indeksin Global të Terrorizmit 2016, të publikuar sot nga Instituti për Ekonomi dhe Paqe, theksohet se numri i vdekjeve nga terrorizmi ka rënë për 10% në vitin 2015. Nga terrorizmi në vitin 2015, janë vrarë 29, 376 vetë.

Në këtë raport, po ashtu, theksohet se grupi ekstremist, Shteti Islamik (IS) dhe grupet aleate me të ishin aktive në 28 vende në vitin 2015, ndërsa një vit më parë ky numër i shteteve ishte 13. Kjo shifër është shtuar për më tepër se dy herë.

Vendet që përjetuan përkeqësime të dukshme në Indeksin Global të Terrorizmit 2016 përfshijnë Francën, Turqinë, Arabinë Saudite, Kuvajtin dhe Tunizinë.

Kjo çoi në ndryshime të mëdha në radhitje krahasuar me vitin e kaluar dhe në përkeqësim të përgjithshëm tërezultatit në Indeksin Global të Terrorizmit, pasi këto rënie mbizotëruan përmirësimet në Nigeri dhe Irak.

Vendet anëtare të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, gjegjësisht 21 prej 34 vendeve anëtare, përjetuan të paktën një sulm terrorist, me shumicën e vdekjeve të shënuara në Turqi dhe Francë.

Danimarka, Franca, Gjermania, Suedia dhe Turqia regjistruan shifrat më të larta të vdekjeve nga terrorizmi vetëm për një vit, që nga viti 2000. Më shumë se gjysma e 557 vdekjeve kishin lidhje me grupin terrorist ISIL, sulmet e të cilit në Paris, Bruksel dhe Ankara ishin në mesin e sulmeve më të tmerrshme në historinë e këtyre vendeve.

Ndikimi ekonomik global i terrorizmit arriti në mbi 89 miliardë dollarë në vitin 2015. Iraku ka vuajtur më së shumti pasojat ekonomike nga terrorizmi, duke arritur shifrën prej 17 % të Bruto Prodhimit Vendor në vitin 2015.

Pesë vendet me ndikimin e përgjithshëm më të lartë nga terrorizmi janë Iraku, Afganistani, Nigeria, Pakistani dhe Siria.

Në këto vende ndodhën 72 % e të gjitha vdekjeve nga terrorizmi në vitin 2015.

Më poshtë sjellim radhitjen e disa prej vendeve në Indeksin Global të Terrorizmit 2016, ku shifra më e ulët tregon ndikimin më të madh nga terrorizmi: Iraku 1, Afganistani 2, Pakistani 4, Ukraina 11, Rusia 30, Irani 47, Taxhikistani 56, Bosnja dhe Hercegovina 62, Kosova 70, Maqedonia 78, Kirgizia84, Bjellorusia 86, Gjeorgjia 87, Kazakistani 94, Azerbajxhani 106, Armenia 108, Mali i Zi 117, Uzbekistani 117, Serbia 121, Moldavia 129, Turkmenistani 130. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG