Ndërlidhjet

logo-print

Paratë e pushtetit cenojnë integritetin e mediave 


Ilustrim

Ilustrim

Paratë të cilat ndahen nga arka e shtetit për të promovuar politikat e qeverisë kanë bërë që fusha e medieve - në pjesën më të madhe - të jetë e korruptuar, është theksuar në tribunën e sotme kushtuar zhvillimit të mediave dhe gazetarisë si profesion në vendet e Evropës Juglindore.

Goran Mihajllovski, i cili punon për më shumë se tri dekada si gazetar, thotë se mungesa e sigurisë financiare i bën gazetarët pre e presionit nga ana e pushtetit, veçanërisht kur atakohen interesat e drejtuesve të institucioneve gjatë informimit për dukuri të caktuara.

“Nëse ju nuk u siguroni gazetarëve rroga të mira, kushte të mira për punë, mëditje gjatë udhëtimeve zyrtare, ndërkohë që në të shumtën e rasteve rrogat vonohen, në këto rrethana as që mund të bëhet fjalë për gazetari të pavarur, e aq më pak të prisni që ai gazetar - në kushte të rënda financiare - të veprojë, të informojë me profesionalizëm, duke mos përfillur presionin që i bëhet në forma të ndryshme nga ana e pushtetit”, vlerëson Goran Mihajllovski, themelues i portalit “Dua të them”.

Ndërkaq, Xhelal Neziri nga Instituti për gazetari hulumtuese, SCOOP, thotë se influenca e pushtetit në media ka ulur edhe cilësinë e gazetarëve.

“Mediat që janë të varura nga pushteti nuk kanë edhe aq nevojë për gazetarë kualitativ dhe ato zakonisht angazhojnë gazetarë të rinj, të cilët i paguajnë pak. Nga ana tjetër, mediat të cilat janë të pavarura nuk kanë mjete të mjaftueshme për të angazhuar gazetarë me përvojë dhe kështu të prodhojnë gazetari cilësore. Në këto rrethana as që bëhet fjalë për gazetari hulumtuese”, thotë Neziri.

Ndërkaq, Mlladen Çadikoski, gazetar në mediat elektronike, konsideron se mediat të cilat nuk informojnë në favor të politikave shtetërore pothuajse e kanë të pamundur të mbijetojnë në fushën e medieve, aq më pak nëse vendosin të jenë kritik ndaj veprimeve të caktuara të qeverisë ose bartësve të institucioneve shtetërore.

“Së pari, mungon vullneti politik për media të lira dhe të pavarura. Më duhet të theksoj se gjatë një procesi sistematik, kjo përbërje qeveritare arriti të ç`rrënjosë standardet e gazetarisë profesionale dhe të imponojë standarde të cilat nuk janë për tu mburrur”, vlerëson Mlladen Çadikoski.

Ndryshe shoqata e gazetarëve të Maqedonisë dhe faktori ndërkombëtar disa herë kanë theksuar nevojën e miratimi të një ligji i cili do të duhet të rregullojë punën e mediave, duke shmangur të gjitha mekanizmat që pushteti të ketë influencë ndaj tyre. (REL)

XS
SM
MD
LG