Ndërlidhjet

Rinumërimi i votave në SHBA lë në hije emërimet në kabinet

  • RFE /RL

Trump (majtas) dhe Clinton

Trump (majtas) dhe Clinton

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, duket se është indinjuar nga njoftimet për rinumërimin e votave të 8 nëntorit, në disa shtete.

Zyrtarët në Uiskonsin po përgatiten të nisin rinumërimin zyrtar më 1 dhjetor.

Sipas rezultateve fillestare, Trump ka mundur ish-Sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, me rreth 22,000 vota në Uiskonsin.

Përpjekja për rinumërim nuk udhëhiqet nga Clinton, por nga kandidatja e partisë së tretë, Jill Stein, e cila ka marrë një pjesë të vogël nga vota popullore.

Stein ka kërkuar rinumërim në Pensilvani të hënën, tre ditë pasi ka bërë kërkesë të ngjashme për Uiskonsinin. Avokatët e Clintonit kanë thënë se do të vëzhgojnë rinumërimin në Uiskonsin.

“E kemi obligim ndaj më shumë se 64 milionë amerikanëve që kanë votuar për Clintonin, të marrim pjesë në procedurat e vazhdueshme”, ka thënë avokati i përgjithshëm i fushatës së Clintonit, Marc Elias.

Së bashku me Miçigenin, Pensilvania dhe Uiskonsin i kanë dhënë Trumpit vota të mjaftueshme për të fituar në Kolegjin Zgjedhor, edhe pse Clinton ka fituar rreth dy miliona vota më shumë të popullit.

Po ashtu të hënën, Miçigeni ka certifikuar rezultatet finale, të cilat tregojnë se Trump ka fituar 10,704 vota më shumë se Clintoni.

Trump, ndërkohë, ka mbrojtur fitoren e tij. Ai ka thënë se ka fituar edhe votën popullore, nëse “hiqen miliona njerëz që kanë votuar ilegalisht”.

Trump nuk ka ofruar prova për këtë pretendim, por ka insistuar se “mashtrime të rënda të votuesve” kanë ndodhur në Kaliforni, Nju Hempshir dhe Virxhinia. Të trija këto shtete i ka fituar Clinton.

Zyrtarët në të trija shtetet i kanë hedhur poshtë pretendimet e Trumpit.

Shtëpia e Bardhë po ashtu ka thënë se nuk ka prova për mashtrime në garën presidenciale.

Në të njëjtën kohë, Trump është duke punuar për të mbushur pozicionet kyçe në administratën e tij, përfshirë sekretarin e Shtetit, të Thesarit dhe atë të Mbrojtjes.

Ai ka takuar të hënën ish-drejtorin e CIA-s, David Petraeus, gjeneral në pension i ushtrisë, i cili është dënuar për shkëmbim të informacioneve të klasifikuara me të dashurën e tij, në vitin 2012. Petraeus raportohet se po konsiderohet për rolin e sekretarit të Shtetit.

Edhe pse nuk ka gjasa, rinumërimi mund të ndikojë në votën finale të Kolegjit Zgjedhor, zgjedhësit e të cilit do të takohen më 19 dhjetor për të zgjedhur formalisht presidentin.

Inaugurimi presidencial është caktuar për 20 janar. (REL)

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG