Ndërlidhjet

Bisedimet pa strategji (?)


Fotografi ilsutruese
Fotografi ilsutruese
Analistët politikë në Prishtinë thonë se Kosova është duke i vazhduar bisedimet me Serbinë, pa një strategji të qartë dhe nga kjo, sipas tyre, nuk mund të ketë as rezultate. Analistët konsiderojnë se nëse edhe më tej vazhdohet kështu, palët duhet ta rishqyrtojnë pozicionin e tyre.


Raundi i tretë i bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit ka vazhduar edhe të premten. Ndonëse deri më tash nuk është shënuar ndonjë rezultat konkret për zgjidhjen e çështjeve, për të cilat është diskutuar, njohësit e rrethanave politike thonë se këto bisedime Kosovën nuk do ta dërgojnë askund.

Analisti politik, Halil Matoshi, thotë se bisedimet Prishtinë - Beograd janë duke u zhvilluar pa një strategji konkrete dhe nuk mund të ketë kurrfarë rezultatesh për vendin.
Bisedimet nuk janë as teknike, po janë super-politike, e që kanë vetëm një fitues, e kjo është Serbia.


“Nga këto bisedime duket se nuk ka asnjë rezultat, pos që Serbisë i hapen disa shtigje për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Ndërkaq, këto bisedime objektivisht Kosovës nuk i japin asgjë. Bisedimet nuk janë as teknike, po janë super-politike, e që kanë vetëm një fitues, e kjo është Serbia”, thotë Matoshi.

Analisti Matoshi konsideron se Kosova ka hyrë në këto bisedime vetëm e vetëm që udhëheqësit e institucioneve të vendit të kenë raporte të mira me ndërkombëtarët.

“Qeveria e Kosovës po i mban të hapura këto bisedime thjesht nga presioni ndërkombëtar mbi ta dhe për ta mbajtur pozicionin e tyre të mbrojtur nga bashkësia ndërkombëtare që është e pranishme në Prishtinë”,
konsideron Matoshi.

Ndërkaq, analisti tjetër politik, Driton Lajçi, thotë se edhe pse është dashur të ketë ndonjë rezultat nga takimet e zhvilluara deri më tash, përfitimet kanë qenë më shumë të karakterit politik sesa praktik.

“Rezultate konkrete, nëse mund të themi, nuk kanë dalë jashtë zyrës së takimeve ku po mbahen në Bruksel. Nuk ka pasur asnjë përfitim asnjë qytetar, as i Serbisë, e as i Kosovës. Përfitimet kanë qenë më tepër të karakterit politik sesa pragmatik dhe praktik”, vlerëson Lajçi.

Sipas Lajçit, nëse bisedimet vazhdojnë me këtë ritëm dhe pa rezultate, palët negociuese duhet ta rishqyrtojnë pozicionin e tyre.

Lajçi thekson edhe nevojën e ndërmjetësimit të Shteteve të Bashkuara, krahas ndërmjetësuesve të BE-së.
Nëse kështu zgjat ky ritëm i plogësht i këtyre takimeve, atëherë të gjitha palët detyrohen t’i rishqyrtojnë pozicionet e veta, si Kosova, edhe Serbia.


“Nëse kështu zgjat ky ritëm i plogësht i këtyre takimeve, atëherë të gjitha palët detyrohen t’i rishqyrtojnë pozicionet e veta, si Kosova, edhe Serbia. Gjithashtu, ndoshta shtrohet si pyetje edhe rishqyrtimi rolit të BE-së, si lehtësues i këtyre bisedimeve".

"Ndoshta do të duhet trokitur edhe në dyert e SHBA-ve në mënyrë që këtyre negociatave t’u jepet shpirt, të jetë një forcë më e madhe ndikuese dhe ndoshta një formatizimi i ri i përmbajtjes së këtyre bisedimeve”,
thekson Lajçi.

Që nga nisja e bisedimeve në fillim të muajit mars, palët kanë trajtuar problemet që ndërlidhen me regjistrin civil, kthimin e dokumenteve kadastrale, CEFTA-n e vulat doganore, energjinë dhe Postë-Telekomunikacionin, por pa ndonjë rezultat konkret.

Ndërsa, këtë javë pritet të diskutohet mbi lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të automjeteve dhe mbi temat, për të cilat nuk është arritur ndonjë marrëveshje në dy raundet paraprake.

Lexoni edhe këto:

Bisedimet ndikojnë në njohje
BE: Dialogu heq pengesat për integrim
XS
SM
MD
LG