Ndërlidhjet

A do të prishet marrëveshja bërthamore me Iranin?


Raketa tokë-tokë Shahab-3 është shfaqur pranë një portreti të udhëheqësit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, në një ekspozitë në Teheran, vitin e kaluar.
Raketa tokë-tokë Shahab-3 është shfaqur pranë një portreti të udhëheqësit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, në një ekspozitë në Teheran, vitin e kaluar.

Njoftimi i Iranit, më 5 janar, se nuk do t’iu përmbahet kufizimeve në programin bërthamor, të përcaktuara me marrëveshjen e vitit 2015, e ka sjellë këtë marrëveshje në prag të kolapsit.

Marrëveshja e njohur si Plani i Përbashkët dhe Gjithëpërfshirës i Veprimit është arritur në vitin 2015 midis Iranit dhe gjashtë fuqive botërore: Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Francës, Gjermanisë, Rusisë dhe Kinës.

SHBA-ja është tërhequr në vitin 2018 nga marrëveshja.

Për Kelsey Devenport, drejtore e Politikave të Mospërhapjes (Bërthamore) në Shoqatën për Kontrollin e Armëve, njoftimi i Iranit e rrit kërcënimin që paraqet programi i tij bërthamor.

Megjithatë, sipas saj, ekziston ende një mundësi e vogël për të shpëtuar marrëveshjen, me të cilën Irani është pajtuar për frenimin e aktiviteteve të diskutueshme bërthamore, në këmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike.

“Njoftimi se do t’i japë fund zbatimit të kufizimeve nuk është njëjtë sikurse rifillimi i aktiviteteve të ndaluara”, thotë Devenport për Radion Evropa e Lirë.

“Tërheqja nga nivelet (e kufizuara) të pasurimit (të uraniumit) është një gjë e keqe, por ia lë së ardhmes atë që do të bëjë saktësisht Irani”, thotë Mark Fitzpatrick, nga Instituti për Studime Strategjike në Londër.

“Kjo i mban gjallë shpresat për një rezultat të negociuar që do ta ruante Planin e Përbashkët dhe Gjithëpërfshirës të Veprimit”, thekson ai.

Vendimi i Teheranit për të ndaluar zbatimin e marrëveshjes erdhi pas vrasjes së komandantit ushtarak të Iranit, Qasem Soleimani, nga një sulm me dron i SHBA-së, më 3 janar.

Ky vendim po ashtu i rriti tensionet me nënshkrueset evropiane të marrëveshjes: Gjermaninë, Francën dhe Britaninë, si dhe me Bashkimin Evropian.

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, tha më 6 janar se njoftimi i Teheranit “mund të jetë hapi i parë drejt fundit të kësaj marrëveshjeje”.

“Ajo që Irani ka njoftuar nuk është më në përputhje me marrëveshjen, kështu që ne do të ulemi me Francën dhe Britaninë për të vendosur për këtë, se si t'i përgjigjemi kësaj”, tha Maas.

Hapësirë për manovrim

Në deklaratën zyrtare të 5 janarit, Irani ka thënë se nuk do t’i respektojë më kufijtë në nivelin e pasurimit të uraniumit, në sasinë e stoqeve me uranium të pasuruar ose në hulumtimet dhe zhvillimet e aktiviteteve të tij bërthamore.

“Tani e tutje, programi bërthamor i Iranit do të zhvillohet vetëm në bazë të nevojave të tij teknike”, është thënë në deklaratë.

Megjithatë, Irani ka theksuar se bashkëpunimi i tij me Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore – e cila i ka monitoruar aktivitetet bërthamore të Teheranit – do të vazhdojë sikurse më parë.

Fitzpatrick thotë se veprimet e Teheranit janë "më të matura" sesa priste.

“Irani nuk e ka thënë se do të rrisë nivelin e pasurimit të uraniumit në 20 për qind, nuk ka thënë asgjë në lidhje me rrugën e plutoniumit drejt bombës dhe nuk e ka thënë se tërhiqet nga marrëveshja. Për më tepër, Irani u ka lënë vend inspektimeve të Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore”, thotë Fitzpatrick.

Devenport thotë se duke mos deklaruar konkretisht se çfarë hapash do të ndërmarrë, Irani lë hapësirë të konsiderueshme për të manovruar.

Nëse Irani dëshiron të grumbullojë uranium – të shkallës së nevojshme për një armë bërthamore – do ta bënte këtë me riinstalimin e shpejtë të centrifugave, thotë ajo.

Ali Vaze, drejtor i Projektit për Iranin pranë Grupit Ndërkombëtar të Krizave, thotë për Radion Evropa e Lirë se inspektimet bërthamore janë “vijë e kuqe” edhe për Rusinë dhe Kinën – dy nënshkrueset e tjera të marrëveshjes së vitit 2015.

“Nëse Irani e zvogëlon qasjen e Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, ky do të ishte sinjal se ai po përgatitet për braktisjen e marrëveshjes bërthamore”, thotë ai.

Nëse Teherani vendos të rrisë prodhimin e uraniumit të pasuruar, vendet evropiane mund të iniciojnë një mekanizëm mosmarrëveshjeje brenda marrëveshjes, i cili mund të rezultojë me vendosjen e sanksioneve nga Kombet e Bashkuara brenda 65 ditësh.

Irani, qysh në maj të vitit 2019, ka nisur të tërhiqet gradualisht nga zbatimi i marrëveshjes bërthamore, duke iu bërë presion vendeve të BE-së për ta ndihmuar atë në tejkalimin e pasojave që i kanë sjellë sanksionet e SHBA-së.

SHBA-ja, prejse është tërhequr nga marrëveshja bërthamore në maj të vitit 2018, ka vendosur sanksione të ashpra ekonomike ndaj Iranit, përfshirë edhe ato ndaj industrisë së naftës, që është burim kryesor i të ardhurave për Republikën Islamike.

Tehereani ka thënë më 5 janar se nëse sanksionet hiqen – gjë që nuk duket se do ta bëjë administrata e presidentit amerikan, Donald Trump – dhe Irani përfiton ekonomikisht nga marrëveshja, ky vend është i gatshëm t’i kthehet zbatimit të marrëveshjes bërthamore.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG