Ndërlidhjet

Migrimi në rritje


Pavarësisht faktit se vendet e Evropës perëndimore kanë kthyer me detyrim shumë kosovarë, interesimi i qytetarëve për ta lëshuar Kosovën është në rritje.
Pavarësisht faktit se vendet e Evropës perëndimore kanë kthyer me detyrim shumë kosovarë, interesimi i qytetarëve për ta lëshuar Kosovën është në rritje.
Mungesa e perspektivës për të ardhmen është arsyeja kryesore që ndikon në rritjen e interesimit të qytetarëve për të braktisur Kosovën, thonë zyrtarë institucionalë.

Pavarësisht marrëveshjeve të arritura nga autoritetet kosovare me disa nga vendet e Bashkimit Evropian për riatdhesimin e kosovarëve me status të parregulluar në vendet përkatëse, migrimi i kosovarëve në vende të ndryshme të botës, nuk është në rënie, por ka tendencë të rritjes, thotë Rifat Blaku, ekspert i emigracionit.
Në tregun ndërkombëtar të punës vërehet një tendencë në pritje të liberalizmit të vizave...


“Në tregun ndërkombëtar të punës vërehet një tendencë në pritje të liberalizmit të vizave dhe në këtë kontekst edhe situata e punëkërkuesve kosovarë ka ngecur në mungesë të statistikave ekzakte për migrimin. Interesimi i të rinjve është i madh”
, thotë Blaku.

Sipas tij, institucionet e Kosovës kanë nënshkruar një varg marrëveshjesh për kthimin dhe riintegrimin e qytetarëve të Kosovës, të cilëve u është refuzuar qëndrimi në vendet evropiane.

Blaku thekson se, çështja e lëvizjes së qytetarëve është e pamundur të kontrollohet, për shkak se personat, të cilët janë të interesuar ta lëshojnë Kosovën, këtë veprim e bëjnë edhe në mënyrë ilegale.

“Kemi një situatë interesante, pritet kthimi dhe riintegrimi i kontingjenteve të caktuara për të treguar se në Kosovë ka liri qarkullimi dhe perspektivë për kthimin e të gjithëve, si parakusht për liberalizimin e vizave”.

“Ndërkohë, në kanale të dukshme dhe të padukshme në pritje për të gjetur punësim, ka kontingjente të caktuara ku institucionet është e pamundur t’i përcjellin”,
thekson Blaku.

Në anën tjetër, Lindita Loshi, udhëheqëse e Qendrës Rinore të Kosovës, thotë se sipas vlerësimeve të bëra nga kjo qendër, arsyeja e migrimit legal apo ilegal nga të rinjtë kosovarë po ndodh për shumë arsye.

Ndër to, Loshi përmend papunësinë, mosshkollimin e duhur dhe në përgjithësi mungesën e perspektivës për një të ardhme të mirë.
Papunësia, jo shkollimi i duhur etj., janë arsyet që të rinjtë po ikin nga Kosova.


“Edhe pse liberalizimi i vizave ka filluar të aplikohet në vendet e rajonit, Kosova ka mbetur prapa. Të rinjtë janë duke e shikuar mënyrën më të lehtë për të ikur nga Kosova”.


“Ka shumë të rinj kosovarë jashtë vendit, e edhe interesimi për të dalë jashtë është shumë i madh. Është për të ardhur keq sa është interesimi i të rinjve për migrim. Papunësia, jo shkollimi i duhur etj., janë arsyet që të rinjtë po ikin nga Kosova”, shprehet Loshi.

Ndërkaq, sipas autoriteteve policore, ka raste kur shtetet e ndryshme raportojnë për qytetarë kosovarë, të cilët e kalojnë ilegalisht kufirin.

Sipas Brahim Sadriut, zëdhënës në Policinë e Kosovës, këto raste nuk janë të shpeshta, derisa ky institucion nuk ka statistika të sakta se sa, në fakt, është migrimi ilegal i qytetarëve të Kosovës në shtetet e ndryshme të Bashkimit Evropian.
Janë raste të kohëpaskohshme dhe nuk kemi statistika se a ka rënie apo ngritje.


“Në disa raste kemi pasur rezultate për kapjen e qytetarëve që kalojnë ilegalisht kufirin për në shtetet tjera. Pasi të identifikohet shtetësia kosovare, ata kthehen në vendin e tyre. Janë raste të kohëpaskohshme dhe nuk kemi statistika se a ka rënie apo ngritje”, thotë Sadriu.

Por, me gjithë faktin se qytetarët interesohen të lëshojnë Kosovën, prej vitit 2000 e deri më tash, vendet e Evropës perëndimore kanë kthyer me detyrim shumë kosovarë, të cilët Kosovën e kishin lëshuar në vitet ‘90.

Lexoni edhe këtë: Migrimi - telashet dhe dobitë
XS
SM
MD
LG