Ndërlidhjet

Kosovës i duhen reforma ekonomike


Ilustrim
Ilustrim
Autoritetet e Kosovës duhet të fokusohen në disa fusha ku mund të adresohen reformat ekonomike. Janë tri politika ku mund të fokusohet Qeveria e Kosovës: politika monetare, fiskale dhe politika tregtare, thonë ekspertë të çështjeve ekonomike.

Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thekson se Kosova nuk ka arritur të bëjë reforma të ndjeshme ekonomike, pavarësisht asaj se pa këto reforma nuk do të mund të ketë zhvillim të hovshëm ekonomik.

Berat Rukiqi
Berat Rukiqi
“Te aspekti i politikës fiskale janë bërë reforma, pasi që kemi ndryshime në dy vitet e fundit në pjesën legjislative, te politika monetare kemi fillimin e emetimit të letrave me vlerë, por në aspekte tjera të politikës monetare nuk ka pasur ndryshime. Te politika tregtare kemi ngecje të mëdha, sidomos te bërja biznes, sepse edhe këtu janë shqetësimet e bizneseve vendore”, thotë Rukiqi për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkohë, edhe në raportet e mekanizmave ndërkombëtarë, Kosova është kritikuar se nuk ka bërë sa duhet për të adresuar problemin e zhvillimit të ulët ekonomik dhe përmirësimin e politikave zhvillimore. Ata kanë thënë se është koha e fundit për të bërë reforma të thella ekonomike.

Rukiqi thekson se reformat duhet të kenë një qëllim final, e që është rritja e aftësisë konkurruese të ekonomisë së vendit dhe, sipas tij, të gjitha prioritetet duhet të kenë këtë qëllim.

“Duhet të bëjmë shumë më shumë për rritje të eksportit. Duhet të ketë reforma te qasja në financa, pra të ndikohet që normat e interesit të ulen. Duhet të shikohet mundësia që tregu të mbrohet nga importi, jo të ndalet importi për shkak se kjo nuk është e lejuar në bazë të rregullave ndërkombëtare, por të mbrohet prodhuesi vendor në bazë të legjislacionit që e kemi”, thekson Rukiqi.

Edhe profesori i Ekonomisë, Musa Limani, thotë për Radion Evropa e Lirë se në mungesë të reformave, ekonomia e Kosovës ka pësuar ngecje. Ai thekson se reformat do të ndihmonin ekonominë e një vendi.

Musa Limani
Musa Limani
“Tash për tash me keqardhje mund të konstatoj se Qeveria aktuale (dhe ato të mëhershmet), deri më tani nuk kanë arritur të bëjnë kurrfarë reformash ekonomike. Nuk ka arritur të hartojë një politikë konsekuente makroekonomike dhe për këtë ballafaqohemi me këto probleme ekonomike dhe me një krizë shumë të madhe sociale dhe me varfëri”, vlerëson Limani.

Ndryshe, autoritetet kosovare i kanë ndërmarrë disa reforma në fushën e politikave fiskale, por që ekspertët e çështjeve ekonomike thonë se këto janë të pamjaftueshme për zhvillimin ekonomik të një vendi. Ata thonë se për realizimin e prioriteteve ekonomike të përcaktuara në planin ekonomik të Qeverisë së Kosovës, duhet të bëhen reforma rrënjësore.
XS
SM
MD
LG