Ndërlidhjet

QKUK-ja pa Kardiokirurgji


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Kardiokirurgjia në Qendrën Klinike Universitare ende nuk është hapur. Edhe pse zyrtarë të lartë qeveritarë kanë deklaruar se operacionet e zemrës do të kryhen këtë vit në këtë qendër, kjo nuk ka ndodhur.

Faik Hoti, drejtor i Departamentit për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se ky shërbim shumë shpejt do të hyjë në funksion.

“Projekti i Kardiokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është duke u zhvilluar në formë të partneritetit me Qeverinë italiane, e cila ka shprehur interesimin për të kontribuar në këtë departament. Tashmë është bërë një zgjidhje për hapësirën, derisa në fazën e mëtejshme do të rrjedhë procesi edhe për ngritjen e kapaciteteve, trajnimin e stafit që do të punojë aty, sepse si shërbim i ri, përveç anës financiare, kërkon edhe resurse njerëzore, e që në Kosovë janë të kufizuara”, bën të ditur Hoti.

Ndërkaq, Bekim Dula , kardiokirurg, thotë se numri i pacientëve që kanë nevojë për këtë lloj trajtimi, është shumë i madh. Kurse, sa i përket hapjes së Kardiokirurgjisë brenda Qendrës Klinike, Dula thotë se atë e sheh si të domosdoshme.
Këta pacientë kanë nevojë urgjente që të operohen në vendin e tyre.

“Këta pacientë kanë nevojë urgjente që të operohen në vendin e tyre.
Kosova nuk ka pasur asnjëherë Kardiokirurgji, edhe pse janë shpenzime të përballueshme për një shtet si Kosova. Për t’i bërë 1 mijë operacione mund të kushtojë deri në 3 milionë euro; shëndetësia është e kushtueshme”
, thotë Dula.

Sa i përket kardiokirurgëve, kardiokirurgu Dula thotë se Kosova ka një ekip për këtë lëmi, që do të mund të punonte me hapjen e Kardiokirurgjisë.

“Kardiokirurgjia kërkon një ekip dhe një bërthamë të këtij ekipi, Kosova e ka. Kjo mund të fillojë me një ndihmë që do të vinte edhe nga jashtë”, shton Dula.

Ndërkaq, Shpend Fazliu, zyrtar për informim në Qendrën Klinike Universitare thotë se janë duke bërë përpjekje që sa më shpejt do të funksionalizohet kardiokirurgjia.

“Në QKUK shërbimi i Kardiokirurgjisë nuk ofrohet. Në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë jemi duke bërë përpjekje maksimale që sa më shpejt të funksionalizohet ky shërbim, në bashkëpunim me donatorët e ndryshëm, me të cilët jemi në kontakt, meqë është shumë i kushtueshëm dhe duhet buxhet i madh për ta funksionalizuar”, shprehet Fazliu.

Sipas Fazliut, tashmë në marrëveshje me Ministrinë e Shëndetësisë do të bëhet edhe trajnimi i mjekëve të rinj, të cilët do të specializojnë në këtë lëmi.

“Jemi përqendruar te trajnimi i stafit. Do të do të bëhet trajnimi i mjekëve të rinj. Specialistët e ardhshëm do të trajnohen në vende të ndryshme evropiane dhe po mundohemi që sa më shpejt të ofrohet ky shërbim për pacientët”, sqaron Fazliu.

E, mungesën e Kardiokirurgjisë po e vuajnë pacientët, të cilët po detyrohen të shpenzojnë qindra mijëra euro për shërim jashtë vendit.
XS
SM
MD
LG