E premte, tetor 31, 2014 Kosova 07:11

Ekonomi

Letrat me Vlerë - investim në të ardhmen

Prishtinë...
Prishtinë...
Në fillim të këtij viti, Kosova për herë të parë ka lëshuar Letra më Vlerë.

Që nga fillimi i zbatimit të këtij projekti, Qeveria e Kosovës ka mbajtur ankande mujore, me ç’rast, deri më tani ka emetuar dhe më sukses ka shitur 40 milionë euro Letra me Vlerë, në formë të Bonove të Thesarit me maturim 91 ditor.

Menderes Ibra, këshilltar në Ministrinë e Financave, tregon se deri më tani, është treguar një interesim i madh nga bankat komerciale që veprojnë në Kosovë për letrat më vlerë, mirëpo, sipas tij, nuk mungon as interesimi i investitorëve privat. 

Kjo dëshmohet me atë se në secilin ankand ka pasur kërkesa sa dyfishin e shumës së ofertuar për investim nga akterët primarë (bankat komerciale),  krahas shumës së emetuar”.

Për shembull, në ankandin e fundit të mbajtur me 17 prill, janë emetuar 10 milionë euro, kurse kemi pranuar oferta për 28.1 milionë euro”, thotë Ibra. 

Edhe zyrtarë të bankave komerciale në Kosovë tregojnë interesimin për tregun e letrave më vlerë.

Iliriana Tahiraj, zyrtare për Marrëdhënie më Publikun në “Raiffeisen Bank”, konfirmon se kjo bankë është pjesëmarrëse aktive në ankandet publike për marrjen e Letrave më Vlerë, të shpallura nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Raiffeisen Bank ka mjetet e nevojshme për të blerë letrat me vlerë, të cilat më pas do të mund të përdorën për mbështetjen dhe zhvillimin e projekteve të ndryshme në Kosovë”, thekson Tahiraj.

Edhe udhëheqës të “ProCredit Bank”, pohojnë se kanë mirëpritur fillimin e lëshimit të letrave me vlerë në Kosovë, gjë që e konsiderojnë si hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të mëtutjeshëm të tregut financiar në Kosovë.
 
Nëpërmes postës elektronike, zëvendës drejtori gjeneral në ProCredit Bank - Florin Lila, ka thënë se ky institucion financiar ka marrë pjesë në të gjitha ankandet e shitjes së Letrave me Vlerë, të shpallura nga Qeveria e Kosovës gjatë këtij viti.

Sidoqoftë, ekspertë për çështje ekonomike, konsiderojnë se emetimi i letrave me vlerë, është një burim shtesë për financimin e nevojave për zhvillimin ekonomik të Kosovës, konkretisht në projektet e rëndësishme.

Besnik Krasniqi, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, thotë se emetimi i Letrave më Vlerë, e bën më të rëndësishëm tregun kosovar.

Megjithatë, ai konsideron se i tërë suksesi i Letrave më Vlerë do varet nga besimi që kanë investitorët ndërkombëtarë dhe vendorë ndaj institucioneve qeveritare. 

Kur vjen puna te kredibiliteti i Letrave me Vlerë, unë kam drojën se besimi tek institucionet nuk është në nivelin e duhur. E tërë çështja, dhe ndoshta suksesi i tregut të Letrave më Vlerë, do të varet nga ajo se sa do t’i besojnë investitorët, sidomos ata vendorë dhe ndërkombëtarë, tregut të Kosovës”.

Duke pasur parasysh se Kosova viteve të fundit është ranguar mjaft keq, në kuptimin e nivelit të korrupsionit dhe qeverisjes”, shprehet Krasniqi.
 
Edhe, zyrtarë të Ministrisë se Financave, flasin për rëndësinë e Letrave më Vlerë.

Rëndësia e Letrave me Vlerë  është mjaft e madhe për sistemin financiar dhe ekonominë e vendit tonë në përgjithësi. Kjo është mënyrë shumë e mirë e investimit të shtetasve të Republikës së Kosovës në zhvillimin ekonomik të vendit. Pra, ne konsiderojmë se përmes investimit në Letrat më Vlerë të qeverisë, bëhet investim në të ardhmen e vendit tonë”, thotë Menderes Ibra.

Autoritet kompetente në Prishtinë, kanë planifikuar që gjatë këtij viti të lëshojnë 74 milionë euro në Letra më Vlerë .

Nadie Ahmeti

nadie.ahmeti+gmail.com

Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum