Ndërlidhjet

BSPK: Të tërhiqet vendimi për shtrenjtim të energjisë


Vendimi i Zyrës së rregullatorit të Energjisë për ngritjen e çmimit të energjisë për 8.9 për qind, është kundërshtuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Në një konferencë për media, ata theksuan se ky vendim është i papërballueshëm dhe po i dëmton edhe më tej qytetarët, pasi që sipas tyre, po ndikon në ngritjen zinxhirore të çmimeve edhe të artikujve tjerë.

Ata kërkuan nga kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, Kuvendi dhe Zyra e Rregullatorit, që ta rishikojnë dhe ta tërheqin këtë vendim.

Nënkryetari i BSPK-së Avni Ajdini tha se duhet të gjenden mënyra tjera për mbulimin e shpenzimeve që mund t’i ketë një Korporatë Energjetike dhe jo të ngrihet çmimi i energjisë.

Është dashur të bëhet një analizë e mirëfilltë për ngritjen e çmimit. Është dashur të merret parasysh shporta e qytetarit. Por, njerëzit e caktuar aty nuk kanë aftësi për menaxhim. Lënda e parë për energji në Kosovë është falas, dhe nuk kanë asnjë akcizë në lëndën e parë. Dhe dobësia e udhëheqjes së menaxhimit e ka sjell ngritjen e çmimit. Në kurriz të qytetarit dëshirojnë t’i mbulojnë humbjet e veta”, theksoi Ajdini.

Vendimi për shtrenjtimin e energjisë elektrike prej 8.9 për qind është marrë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë ditë më parë.

Çmimi mestar i energjisë elektrike në Kosovë para këtij vendimi ishte 5.6 cent për kilovat, që sipas zyrtarëve të Korporatës Energjetike të Kosovës është çmimi më i lirë në rajon.

BSPK theksoi se nëse nuk do të bëhet tërheqja e këtij vendimi do të mund të kërkojnë nga qytetarët që ta bojkotojnë pagimin e energjisë elektrike.

Zyrtarët e Korporatës Energjetike të Kosovës, në një deklarate dhënë kohë më parë Radios Evropa e Lirë kanë theksuar se janë rreth 400 milionë euro që konsumatorët i kanë borxh kësaj kompanie për rrymën e shpenzuar gjatë 13 vjetëve të fundit.

Pjesa veriore e Mitrovicës, që është e banuar më shumicë serbe, mbetet rajoni më borxhet më të mëdha, pasi që nga përfundimi i luftës, KEK-u nuk ka pasur qasje në atë pjesë.

Borxhi i përgjithshëm i konsumatorëve në pjesën veriore të Mitrovicës, sipas KEK-ut llogaritet të jetë rreth 100 milionë euro.

Shtrenjtimi i energjisë elektrike në Kosovë, për 8.9 edhe sipas disa qytetarëve është i papërballueshëm.

Sidomos për skamnorët dhe pensionistët ndikon shumë kjo ngritje e çmimit të energjisë. Për ata që kanë paga më të larta nuk është vështirë. Qeveria është dashur të ndihmojë në këtë dhe të mos e lejon këtë shtrenjtim”, u shpreh Isak Neziri.

Për Ilaz Gashin, ngritja e çmimit të energjisë elektrike po ndikon edhe në ngritjen e produkteve tjera ushqimore.

Gjithçka është shtrenjtë. Nuk mund të ja dalash më një rrogë 170 euro e me këto çmime të larta është në të vërtetë vështirë”, tha ai.

Vendimin e ZRRE-së ngritjen e çmimit të energjisë elektrike, e kanë kundërshtuar edhe Organizatat Joqeveritare në Kosovë.
XS
SM
MD
LG