Ndërlidhjet

WSJ: Të shtysh zgjedhjet?


Ilustrim
Ilustrim
Të përballesh me stuhi të fuqishme është gjithnjë një çështje serioze dhe ngjashëm ndodhi këtë javë me uraganin Sandy, i cili bëri një rrugë shkatërruese në veri-lindje.

Por, nuk i ndaloi spekulimet e marra se zgjedhjet e së martës mbrëma mund ose duhet të shtyhen për shkak të motit, shkruan "Wall Street Journal".

I pyetur nga Simon Roger i Politikës, nëse presidenti Obama ka autoritetin për të shtyrë zgjedhjet, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney tha, “Nuk e di.”

Përgjigja e saktë, sa i përket si çështjeve ligjore, ashtu edhe arsyes së shëndoshë, është jo, thekson gazeta.

E marta e parë pas së hënës së parë të nëntorit është themeluar nga një akt i Kongresit të vitit 1845 si datë e njëjtë për të gjitha shtetet për të zgjedhur përfaqësuesit e vet presidencialë.

Amerikanët janë mbërthyer për këtë datë, që nga ajo kohë, duke mos hequr dorë, pa marrë parasysh rrethanat e imponuara, si Lufta Civile, Depresioni i Madh dhe Lufta e Dytë Botërore. Republika disi mbijeton, argumenton "Wall Street Journal".

Në vitin 2004, Shërbimi për Kërkime i Kongresit publikoi një dokument, në të cilin shqyrtohej mundësia e shtyrjes së zgjedhjeve.

Ai sqaroi se ndryshime të shumta mund të bëhen në shtetet që përballen me raste të emergjencave ose mosmarrëveshjeve mbi rezultatet e zgjedhjeve presidenciale, të paktën deri në takimin e Kolegjit Zgjedhor në dhjetor.

Por, publikimi, shkruan WSJ, nuk është i qartë për një gjë.

“Nuk ka asnjë autoritet kushtetues aktual, që të shtyjë, anulojë ose caktojë datë tjetër të zgjedhjeve për zyrën federale në shtete të ndryshme.

Të gjithë pushtetin për këtë e ka vetëm Kongresi.

Herën e fundit kur u ngrit çështja serioze në lidhje me shtyrjen e zgjedhjeve presidenciale ishte në vitin 1864, në kulmin e Luftës Civile.

Atëbotë Abraham Lincoln tha se “në qoftë se kryengritja do të mund të na detyrojë të heqim dorë, ose të shtyjmë zgjedhjet kombëtare, ajo me të drejtë mund të pretendojë se na ka pushtuar dhe shkatërruar tashmë”.

Një vend që nuk ia dorëzoi demokracinë e saj një kryengritjeje, nuk do ta bëjë këtë as para një stuhie, potencon WSJ.

Përgatiti: Albana Isufi
XS
SM
MD
LG