E enjte, prill 17, 2014 Kosova 02:53

Rajoni

Maqedoni - Greqi: Në New York për çështjen e emrit

Flamuri i Maqedonisë
Flamuri i Maqedonisë
Madhësia e shkronjave - +
Kreu shtetëror i Maqedonisë konsideron se raundi i ri i bisedimeve rreth çështjes së emrit që do të realizohet të hënën dhe të martën në New York, ndërmjet ndërmjetësuesit të OKB-së, Metju Nimic, me negociatorët nga Maqedonia dhe Greqia, Zoran Jolevski dhe Adamantios Vasilakis, do të ndihmojë në përshpejtimin e dinamikës së bisedimeve për të ardhur te një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët, gjegjësisht Maqedonisë dhe Greqisë.

Ndërkohë, analistët politikë kanë mendime të ndara sa i përket lëvizjes nga pika zero e zhvillimit të negociatave, të cilat për një kohë të gjatë kanë bllokuar dhe procesin integrues të Maqedonisë në NATO dhe BE.

Ish-diplomati maqedonas Dimitar Mirçev konsideron se takimi i radhës në New York, ndërmjet negociatorëve Jolevski dhe Vasilakis, me ndërmjetësimin e  Metju Nimic, do të ndikojë në përshpejtimin e dinamikës së negociatave, duke i hapur rrugë zgjidhjes së kontekstit.

“Tani çështja është që të ofrohet një propozim i pranueshëm për të dyja palët, sepse ne, si shtet, kemi dëshmuar se jemi konstruktivë dhe se dëshirojmë të zgjidhet përfundimisht çështja e emrit, për të zhbllokuar procesin e integrimeve”, thotë Mirçev, aktualisht ligjërues i Marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Shkupit.

Mirçev, madje, është optimist se me ndërmjetësimin e Nimicit, mund të arrihen oferta konstruktive po qe se të dyja palët kësaj radhe në praktikë dëshmojnë sinqeritetin për të zgjidhur kontestin dydekadësh mes Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit, me atë që Samiti i radhës i NATO-s  të ketë epilog pozitiv për Maqedoninë, gjithsesi përfshirë këtu dhe samitin e dhjetorit të BE-së, kur pritet të caktohet nëse Maqedonia do të marrë apo jo datën për fillimin e bisedimeve.

Pamje në Shkup...Pamje në Shkup...
x
Pamje në Shkup...
Pamje në Shkup...
“Ndërmjetësuesi Zoran Jolevski tanimë e mbizotëron tërësisht problemin, e din saktësisht se deri ku mund të lëshohet pe nga pala maqedonase, ashtu që unë jam optimist se bisedimet mund të marrin një shtytje pozitive që do të çonte kah zgjidhja e kontestit”, nënvizon Mirçev.

Nga ana tjetër, Jonuz Abdullahu nga Universiteti Evropës Juglindore, në Tetovë nënvizon se kontesti për çështjen e emrit mund të zgjidhet vetëm përmes presionit të drejtpërdrejtë nga ana e faktorit ndërkombëtarë për të dyja palët, atë maqedonase dhe greke në stilin “merre ose lëre”.

“Faktori Ndërkombëtar, SHBA-ja, BE-ja, janë ata faktorë që mund të bëjnë trysni, mund të bëjnë një ulje të drejtpërdrejtë të palëve vendimmarrëse, palës greke dhe asaj greke, që ta zgjidhin problemin e krijuar”, potencon Abdulahu.

Ai shton se çështja e emrit më kot është shndërruar në problem politik, pikërisht për këtë arsye dhe kryeministri Nikolla Gruevski e ka të vështirë të marrë çfarëdo vendimi këtë vit kur vendi hyn në proces zgjedhor.

“Shumë pak mund të pritet nga ky takim, për një arsye, sepse këtij kontesti iu dha një dimension politik, ndërkohë që kontesti greko-maqedonas në fakt nuk paraqet ndonjë problem politik, por është më tepër është një problem i provokuar nga kryeneçësia e udhëheqësve politikë në Shkup dhe Athinë”, shprehet Abdullahu.

Ndryshe, shefi i diplomacisë maqedonase, Nikolla Popovski, gjatë ditës së diel ka thënë se “ky takim paraqet mundësi të mirë për të dëshmuar se sa palët e përfshira në kontestin në fjalë, janë të gatshme për kompromis dhe njëherësh sa i respektojnë ata obligimet e marra”.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum