E enjte, tetor 23, 2014 Kosova 00:24

Ekonomi

Buxheti për vitin 2013, i pakontrolluar

Ilustrim
Ilustrim
Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2013 nuk jep asnjë shpresë për ndonjë ndryshim eventual, të paktën deri në vitin 2015, dhe si i tillë do ta mbajë ekonominë e Kosovës në nivelin e njëjtë ashtu siç a qenë në këto katër vitet e  fundit, vlerësojnë ekspertë të çështjeve ekonomike në Prishtinë.

Buxheti i miratuar të enjten në Kuvendin e Kosovës kap shumë prej 1 miliard e 586 milionë euro.

Drejtori i Institutit “Riinvest” Lumir Abdixhiku thotë për Radion Evropa e Lirë, se buxheti i vitit 2013 është një buxhet i koncentruar në shpenzimin e parasë në formë të pakontrolluar me një luks të paparë qeveritarë dhe me  një projekt siç e quan ai  solo kapital siç është një autostradë Prishtinë – Hani i Elezit.

Lumir AbdixhikuLumir Abdixhiku
x
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku
Them se buxheti i aprovuar për këtë vit do të jetë më tepër një buxhet i Status quo-ës në njëfarë mënyre e betonon ecjen e Kosovës që e kemi pasur në  katër vitet e fundit dhe kjo ecje nuk ka qenë që ka përmbushur nevojat e zhvillimore të Kosovës në radhë të parë zgjidhjen e probleme të papunësisë varfërisë dhe deficitit tregtarë, e kështu me radhë”, thekson Abdixhiku

Edhe për katër vitet e ardhshme thotë Abdixhiku, Kosova do t’i koncentrojë të gjitha paratë në një projekt të vetëm pa zgjidhur nevojat tjera zhvillimore që ka Kosova.

Sipas tij, derisa problemi thelbësor i ekonomisë së Kosovës është mungesa e vendeve të  punës atëherë koncentrimi duhet të jetë drejt sektorit privat. Ky koncentrim siç thotë ai, bëhet fillimisht duke siguruar një ambient konkurrues të drejtë.

Nëse duam të kemi një standard të mirë të jetesës në Kosovë zgjidhja e problemeve  shëndetësore është esenciale në këtë drejtim. Në vend se paratë e rrugëve t’i financojmë me paratë e buxhetit, kishte qenë mirë që këto fonde t’i sigurojmë nga institucionet financiare ndërkombëtare, në radhë të parë nga projektet publiko-private dhe kështu që parat e buxhetit t’i shfrytëzojmë vetëm për këto nevoja imediate”, thotë Abdixhiku.

621 milion euro të buxhetit të Kosovës për vitin e ardhshëm janë planifikuar për investime kapitale, 40 për qind e të cilave do të dedikohen për projektin e autostradës Morinë - Merdar, kurse 30 milionë për fillimin e autostradës së re në drejtim të Hanit të Elezit.

Buxheti 2013 - pa burime të sigurta

Sipas ekspertit të çështjeve makro ekonomike, Musa Limani, kjo ndarje e buxhetit nuk është bërë në mënyrë të duhur.

Investimi në infrastrukturë rrugore sipas profesor Limanit, nuk konsiston me nivelin e zhvillimit ekonomik që e ka Kosova .

Niveli i tanishëm i Kosovës nuk preferon apo nuk lejon që pjesa dërmuese e investimeve kapitale të shkojnë në infrastrukturë dhe në atë në infrastrukturë rrugore për shkak se neve na mungon prodhimi. Sipas mendimit tim Qeveria e Kosovës është dashur t’i orientojë mjetet kah prodhimi dhe jo në infrastrukturë”, thotë Limani.

Infrastruktura rrugore, sqaron Limani, paraqet lami kapitale investive, që në vete nënkupton se absorbon një vlerë shumë të madhe të mjeteve, por që i kthejnë shumë vonë dhe nuk janë bartëse të zhvillimit ekonomik.

Buxheti i vitit 2013 sipas profesor Limanit është bërë pa burime të sigurta dhe me burime alternative.

Në aspektin teorik dhe praktik, buxheti, sipas Limanit, nuk duhet të bëhet me burime të pasigurta.

Përveç tjerash, ai kritikon krerët e institucioneve të Kosovës për premtime të pabaza dhe vështirë të realizueshme.

Të gjitha ata të cilët janë hartues dhe bartës të buxhetit të Kosovës duhet të ruhen nga deklaratat politike  kuptim të asaj që të mos premtojnë shumë pasi që nesër do të ballafaqohen me mungesën e këtyre mjeteve për arsye se nuk kanë burime të pamjaftueshme që të sigurojnë vlerat e premtuar siç është premtimi i rritjes së pagave apo ndërtimi i autostradave”, vlerëson ai.

Ndryshe, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë deklaruar se buxheti i vitit 2013, është buxhet i zhvillimit ekonomik dhe është i bazuar në burime të qëndrueshme dhe në harmonizim me Fondin Monetar Ndërkombëtar

Luljeta Krasniqi - Veseli

krasniqiveseli+gmail.com

Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum