E premte, tetor 24, 2014 Kosova 18:07

Aktuale

Me IBM, bie niveli i kontrabandës në veri

Kosovë...
Kosovë...
Që kur ka filluar të zbatohet Marrëveshja për Menaxhim e Integruar të Kufirit, e njohur ndryshe edhe si IBM, zyrtarët nga Dogana e Kosovës dhe ata të Policisë së Kosovës, thonë se kontrabanda në vendkalimet kufitare në veri të Kosovës është minimale.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, thekson se vënia nën kontroll e pikave kufitare 1 dhe 31 në veri të Kosovës nga ana e KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, edhe para fillimit të zbatimit të IBM-së ka bërë që kontrabanda në krahasim me vitet e kaluara të bije.

Sa i takon çështjes së kontrabandës, që prej fillimit të zbatimit në praktikë të kësaj marrëveshjeje, ne kemi vërejtur një ulje të kësaj dukurie. Edhe me herët ka qenë në nivel mjaft të ulët, kryesisht më herët që ka pasur kontrabandë me mallra ushqimore apo me mallra që nuk kanë pas ndonjë vlerë shumë të theksuar apo vlerë që ka përberë ndonjë problem, por sido që të jetë, me zbatimin e kësaj marrëveshjeje kemi filluar të vërejmë efektet e para të uljes së kontrabandimit të mallrave”, thotë Stavileci.

Në veri, vendkalimet kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, për vite me radhe janë konsideruar si pika hyrëse të kontrabandës.

Megjithatë, Stavileci shprehet se kontrabanda 100% nuk mund të ndalet asnjëherë.

Është e pamundur me e ndërtuar një sistem doganor në të cilin kontrabanda nuk ekziston ose është 100% territori i mbrojtur nga kontrabandimi. Gjithmonë ekziston një rrezik se disa nga mallrat do të kontrabandohen, nëse në veri jo, atëherë në pjesë të tjera”, thekson ai.

Më pak kontrabandë dhe më shumë të hyra

Edhe autoritetet policore kanë thonë se në veri të Kosovës, pas fillimit të zbatimit të IBM-së, ka rënie të kontrabandës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës në rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, shpjegon se zyrtarët policorë gjithnjë e më pak raportojnë për raste të kontrabandës në veri.

Sa i takon çështjes së kontrabandës, që nga fillimi i zbatimit të IBM-së, mendoj se jo vetëm prej këtyre ditëve sa ka filluar së zbatuar kjo marrëveshje, por edhe kohëve të fundit, që kur KFOR-i ka një kontroll me të shtuar në dy vendkalimeve të pikave ilegale, pastaj kontrollin më të shtuar në rrugët dytësore ose rurale, ato që konsideroheshin si ilegale për kalim nga territori i Serbisë në atë të Republikës së Kosovës mund të themi se kontrabanda është zvogëluar dukshëm”, bën të ditur Hoti.

Ndryshe, autoritetet doganore thonë se masat e marra për luftimin e kontrabandës, kanë bërë që të ketë rritje të të hyrave buxhetore.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, shpjegon se vetëm brenda një periudhe kohore, të ardhurat janë rritur

Deri para arritjes se IBM-së, të hyrat kanë qenë shumë të ulëta, faktikisht nuk kemi pasur, për shkak se ato dy pika nuk kanë funksionuar dhe nuk ka pasur import të mallrave komerciale. Kurse, në momentin që është arritur marrëveshja e IBM-së, deri më tani, të hyrat përafërsisht sillen deri 30 mijë euro brenda një dite. Kjo është mesatarja, kurse dje kemi pasur një rritje të të hyrave prej 50 mijë euro”, tregon Stavileci.

Në anën tjetër, përfaqësues të organizatave ekonomike në Kosovë thonë se për ta eliminuar kontrabandën në tërësi, duhet të fuqizohet kontrolli i brendshëm dhe se institucionet kosovare duhet të bëjnë shumë për luftimin e kontrabandës.

Arton Konushevci

arton.konushevci+gmail.com

Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka një fëmijë.

Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum