E dielë, tetor 26, 2014 Kosova 02:50

Aktuale

Statusi special-ide reale për veriun?!

Mitrovicë
Mitrovicë

Artikujt e ndërlidhur

Prishtina kërkon heqjen e strukturave ilegale nga veriu

Autoritetet kosovare thanë se raportet aktuale në mes të Kosovës e Serbisë po mbajnë peng procesin integrues të vendit në Bashkimit Evropian, ndërsa shfaqën shpresën që në kuadër të dialogut aktual për normalizim raportesh të zgjidhen çështjet e hapura në mes të dyja palëve.
Problemet në veri të Kosovës pritet të jenë temë diskutimi në takimin e 17 janarit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, homologut të tij serb, Ivica Daçiq, dhe nikoqires së takimit, përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.

Ndonëse ka vlerësime dhe pritje të ndryshme për rezultatin e këtyre diskutimeve në aspektin afat-shkurtër, një gjë duket të jetë e qartë: gjendja në pjesën veriore të Kosovës, e cila përgjatë më shumë se 13 vjetësh që nga paslufta i ngjante një konflikti të ngrirë, po shkon drejt “shkrirjes”.

Të paktën kështu thonë analistët politikë në Prishtinë e Beograd, të cilët thonë se veriu po shkon drejt një statusi special.

Dushan Janjiq, drejtor i Fondit për Marrëdhënie Ndëretnike në Serbi, tha se në pranverën e vonshme apo në verën e 2013-s mund të arrihen disa marrëveshje për pjesën veriore të Kosovës - përfshirë një marrëveshje për të ashtuquajturat institucione paralele të shtetit serb në të gjithë vendin.

Dushan JanjiqDushan Janjiq
x
Dushan Janjiq
Dushan Janjiq
“Për momentin, e kemi një qëndrim të qartë në Beograd, i cili po promovon idenë e një asociacioni të komunave për të gjitha komunat serbe. Në fund të fundit, ky model mund të zbatohej në veri. Supozoj që ky do të jetë optimumi i kërkesës serbe. Në anën tjetër, e kemi deklaratën e kryeministrit, Hashim Thaçi, se në fillim të janarit ai do të përgatisë propozimet e veta. Kjo do të thotë se të dyja palët janë të gatshme për dialog”, u shpreh Janjiq.

Komenti i tij vjen pak kohë para konkretizimit të “platformës mbi Kosovën” në Parlamentin e Serbisë.

Dokumenti në fjalë sugjeron një entitet të veçantë për zonat e banuara me serbë në Kosovë, ndërsa pritet të finalizohet në fillim të janarit në legjislativin e Serbisë.

Prishtina zyrtare kishte kundërshtuar fuqishëm idetë e qeverisë serbe për ndonjë status special për veriun, ndërsa kishin këmbëngulur në tërësinë territoriale të vendit.

Mirëpo, Shpend Kusani nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave, tha se marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM), ka sinjalizuar një trajtim ndryshe të kësaj pjese të vendit.

Marrëveshja për një status special për veriun, sipas Kursanit, do të promovohet si “triumf” i secilës palë negociuese, ndërsa do të jetësohet gradualisht në praktikë.
...gjatë 2013-s, prapë do të kemi copëza marrëveshjesh për veriun, por jo diçka që përfundimisht do ta zgjidhte problemin atje.

“Popullata në veri nuk do ta ketë të qartë se çfarë statusi është atje. Po ashtu, pala kosovare nuk do të ketë sovranitet të plotë në veri sikurse që e ka në jug. Kështu, gjatë 2013-s, prapë do të kemi copëza marrëveshjesh për veriun, por jo diçka që përfundimisht do ta zgjidhte problemin atje”, tha Kursani.

Banorët lokalë të veriut-kryesisht serbë, kanë kundërshtuar vazhdimisht autoritetet kosovare, sidomos kur këto të fundit shpallën pavarësinë e vendit në shkurt të 2008-s.

Incidentet me motiv ndër-etnik e vunë, përgjatë 2012-s, disa herë veriun e Mitrovicës në qendër të vëmendjes së opinionit publik.

Ndërkohë, kanë qarkulluar ide të ndryshme për zgjidhjen e këtij problemi.

Analisti serb tha se modeli i Sllavonisë Lindore  (zona autonome serbe e Sllavonisë Lindore, Baranjës dhe Sirmisë Perëndimore-entitet politik serb në lindje të Kroacisë i themeluar gjatë luftërave jugosllave) mund të jetë më i përshtatshmi për zhbllokimin e status quo-së në veri.

“E vetmja gjë që shoh për momentin është modeli që ishte aplikuar në Sllavoninë Lindore. Pra, një kohë e caktuar e administrimit ndërkombëtar të katër komunave në veri-një apo dy vite me qëllim përgatitjen e komunave veriore për ta pranuar ligjin kosovar dhe për të marrë pjesë në zgjedhjet kosovare”, tha Janjiq.

Synimin për të shtrirë autoritetin shtetëror përmes mbajtjes së zgjedhjeve lokale në zonat veriore të vendit e kanë shprehur edhe liderët e lartë të Kosovës.

Fati i realizimit të këtij qëllimi, mbetet, megjithatë në ecurinë e bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE-ja ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe vullnetit të serbëve lokalë të veriut për t’i dëgjuar urdhrat e udhëheqësve të të dyja vendeve.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum