E mërkurë, prill 16, 2014 Kosova 06:24

Kronika

Drejt liberalizimit të vizave, me zhvillim e drejtësi - jo me billborde

Ilustrim
Ilustrim
Madhësia e shkronjave - +
Në verën e këtij viti Kosova pritet të vendosë regjimin e vizave për 87 vende - kryesisht aziatike dhe afrikane duke përmbushur një nga kërkesat e Komisionit Evropian për liberalizim të vizave me BE-në.

Sipas ministrisë së punëve të jashtme të Kosovës vendimi do të hyjë në fuqi më 1 korrik.

Mirëpo, njohësit e çështjeve të integrimeve në Prishtinë e quajnë të vonuar vendimin, ndërsa theksojnë rëndësinë për përmbushjen e kushteve të tjera me theks te sundimi i ligjit, lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit dhe zvogëlimi i numrit të azilkërkuesve kosovarë nëpër shtetet evropiane.

Eksperti për integrime evropiane, Shenoll Muharremi, tha se skandali rreth pasaportave biometrike ka dëmtuar reputacionin e Kosovës në liberalizimin e vizave me BE-në.

Përderisa vendeve të caktuara u vihet një regjim vizash, Muharremi foli për rëndësinë e zvogëlimit të numrit të shtetasve kosovarë që kërkojnë azil në vendet evropiane.

Ne nuk po shohim që qeveria e Kosovës po harton politika dhe po investon në gjenerim të punësimit të qëndrueshëm dhe në zhvillim ekonomik, i cili do të krijonte kushte më të mira të jetesës për kosovarët dhe do të parandalonte ata që të kërkojnë azil në vendet e BE-së. Vetëm me fushata dhe billborda e pa gjenerim të vendeve të punës, sigurisht se nuk do të zgjidhet ky problem”, u shpreh ai.

Në qershor të vitit të kaluar, palës kosovare iu dorëzua udhërrëfyesi zyrtar për liberalizim vizash me mbi 90 kritere që duhen përmbushur për të lehtësuar regjimin e vizave për qytetarët e vendit.

Në mesin e kushteve të vendosura nga Komisioni Evropian hyjnë dhe politikat e migrimit, por theksohet nevoja për më shumë angazhim në procesin e riatdhesimit dhe ri-integrimi, në sigurinë e dokumente të udhëtimit, në çështjen e azilit dhe të tjera.

Eksperti për integrime, Avni Mazreku tha se vendosja e regjimit të vizave për afro 90 shtete është një nga elementet kyçe drejt liberalizimit të vizave, por theksoi se dinamika e përgjithshme në përmbushjen e kritereve të vëna është e ngadaltë.

Megjithatë është fakt evident që Kosova është e vonuar në të gjitha drejtimet, prandaj është e vonuar edhe këtu”, tha ai.

Në shkurt të këtij viti, Komisioni Evropian pritet të japë një vlerësim mbi dinamikën e përmbushjes së kritereve për heqjen e regjimit të vizave për Prishtinën zyrtare.

Muharremi tha se janë bërë përparime në fusha të ndryshme, por se nevojitet përkushtim dhe vullnet politik në eliminimin e dukurive si krimi i organizuar e korrupsioni.

Ka përparime në disa çështje teknike, por mos të harrojmë që në kriteret më kyçe që kanë të bëjnë me luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit dhe çështjet e drejtësisë nuk ka pasur progres. Kështu që pres një vlerësim të ashtuquajtur mixed, ku kemi pasur disa përparime teknike. Por, në anën tjetër problemet më kyçe vazhdojnë të mbesin si sfida të mëdha për Kosovën”, theksoi ai.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum