Ndërlidhjet

Drejt një të ardhmeje më të mirë...


Parakalimi i FSK-së
Parakalimi i FSK-së
Në praninë e personaliteteve të larta shtetërore nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, por edhe të ambasadorëve të shumtë të vendeve të ndryshme të botës dhe një numri të madh qytetarësh, në mesditë u mbajt ceremonia kryesore e shënimit të pesë-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, hapi ceremoninë e parakalimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës, në cilësinë e komandantes supreme të kësaj Force.

Duke nderuar të gjithë ata që kanë kontribuuar për lirinë dhe për shtetësinë e Kosovës, presidentja ka falënderuar edhe miqtë ndërkombëtarë, Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe të gjitha vendet thera që kontribuuan në zhvillimin dhe ndërtimin e shtetësisë së Kosovës.

Atifete Jahjaga gjatë ceremonisë, 17 Shkurt 2013
Atifete Jahjaga gjatë ceremonisë, 17 Shkurt 2013
“Në këtë ditë, ne i kujtojmë dhe i nderojmë të gjithë ata që punuan për atdheun. Ata veprimtarë, ata intelektualë, ata luftëtarë, ata punëtorë, ata bujq, ata qytetarë që gjatë gjithë jetës, me punën e vet të përditshme, dhanë kontribut të jashtëzakonshëm në ndërtimin e një shoqërie të drejtë, një shoqërie të njerëzve të lirë e të qytetarëve të barabartë, të një shteti demokratik me rend dhe sundim të ligjit, me institucione të përgjegjshme në shërbim të qytetarit".

"Republika e Kosovës sot është një kontribuuese e rëndësishme për zhvillimin e marrëdhënieve fqinjësore në rajon, dhe të marrëdhënieve bilaterale, me synimin e qartë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, tha Jahjaga gjatë kësaj ceremonie.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se "Republika e Kosovës është në rrugë drejt anëtarësimit evropian".

Ai theksoi se "rezultatet që vendi ka arritur gjatë pesë këtyre viteve, janë të kënaqshme, pavarësisht sfidave".

“Liria dhe pavarësia ka qenë ëndërr, për të cilën është sakrifikuar me shekuj të tërë. Për këtë të arritur madhështore lëvdata kanë edhe qytetarët e Kosovës. Falënderimi i madh shkon te qytetarët e Kosovës, pa dallim etnie dhe fetare. Shprehim respektimin më të madh për të gjithë dëshmorët e rënë për të gjithë luftëtarët që luftuan për këtë liri”, deklaroi Thaçi, duke rikujtuar se shteti i Kosovës është njohur nga më shumë se gjysma e shteteve anëtare të OKB-së dhe se Kosova po ndryshon për të mirë.

SHBA-ja admiron punën e këtyre pesë vjetëve që është bërë në Kosovë, tha zëvendësambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Kelly Degnan.

Ajo deklaroi se institucionet kosovare, gjatë këtyre viteve, kanë shënuar shumë të arritura, të cialt askush nuk duhet t’i nënvlerësojë.

“Sot kemi shumëçka për të festuar. Ne letrën që presidenti Obama i ka dërguar presidentes Jahjaga i ka thënë se SHBA-ja admiron atë që ka arritur Kosova në këto 5 vjet. Ky përparim është i dukshëm në sektorin e sigurisë, 5 vite Forca e Sigurisë së Kosovës, Policia dhe Agjencia për Menaxhim të Emergjencave ka luajtur një rol jetik për qytetarët. Ju keni demonstruar se Kosova mund të kontribuojë për siguri në vend dhe rajon”, deklaroi Degnan.


Qytetarët mirëpresin parakalimin e Forcave të Sigurisë

Pas fjalimeve të udhëheqësve të vendit, filloi edhe parakalimi i pjesëtarëve të FSK-së, Policisë së Kosovës dhe Zjarrfikësve.

Me flamuj në duar, në rrugë të stolisura për nder të këtij përvjetori, edhe qytetarët po festojnë në mënyra të ndryshme.

Të vetëdijshëm për sfidat dhe rrugën që ka përpara Kosova në konsolidimin e saj, disa nga qytetarët, nën tingujt e daulleve, shprehnin kënaqësinë me të arriturat e deritashme.

Të tjerët, ndërkaq, kërkonin një përkushtim më të madh nga ata që udhëheqin vendin për përmirësimin e jetës së qytetarit të Kosovës.

Sabri Gashi, i cili me familjen e tij kishe ardhur nga mërgata për të festuar këtë festë, u shpreh i kënaqur derisa festonte:

“Po ndihem i lumtur si asnjëherë më parë. Është hera e parë që po e festoj pavarësinë e Kosovës në vendlindje. Jam shumë i lumtur që po i shoh gjithë këta njerëz të bashkuar duke festuar një festë kaq të rëndësishme si pavarësia”.

Ngjashëm u shpreh edhe Hana Gashi:

“Shpresoj që kështu me festë të vazhdohet gjatë. I uroj të gjithë shqiptarët për këtë festë”.

Kurse, Musa Vitia tha se këto ditë dhe festimet e tilla janë pritur për shumë vjet.

“Është një ndjenjë e jashtëzakonshme, një kënaqësi e madhe, që e kemi pritur me vjet”.

Kurse, Sherif Thaçi tha se ishte ndier shumë i lumtur derisa po shikonte pjesëtarët e FSK-së, duke parakaluar. Sipas tij, kjo forcë duhet të shndërrohet në ushtri.

“Pavarësisht vështirësive që patëm gjatë këtyre viteve, jemi optimistë. Ishte kënaqësi që të shohim parakalimin e pjesëtarëve të FSK-së. Dhe, unë mendoj që kjo forcë duhet të shndërrohet në ushtri”, u shpreh Sherif Thaçi.

Nga ana tjetër, Bylbyl Buleshkaj nga Prishtina kritikoi institucionet për mosarritje më të mëdha gjatë këtyre viteve sa Kosova është shtet.

“Pesë vjet shtet shumë i zhgënjyer. Ne, si popull, mund të bëjmë shumë më shumë. Por, këta njerëz që po e qeverisin vendin, duhet ta harrojnë hajninë, nuk duhet të vidhet populli dhe këtë nuk e lejon askush”, tha ai.

Të mbledhur në Kuvendin e Kosovës, më 17 Shkurt të vitit 2008, ligjvënësit kosovarë shpallën pavarësinë dhe nënshkruan deklaratën e Pavarësisë.
XS
SM
MD
LG