Ndërlidhjet

Pavarësia e Kosovës ka përmbushur një pjesë të ëndrrës së qytetarëve të saj, por ajo nuk ka sjell mrekullinë, thonë përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të Kosovës dhe analistët në përvjetorin e pestë të shtetit më të ri evropian.

Si një shtet që vazhdon konsolidimin e brendshëm dhe që përpiqet të ndërtojë subjektivitetin ndërkombëtar, shteti i Kosovës, megjithatë, konsiderohet se ka krijuar një ambient më paqësor në rajon, ndonëse veriu ende konsiderohet si një njollë me përplot rreziqe e tensione.

Hashim Thaçi

Hashim Thaçi

Pesë vjet më parë, kryeministri Hashim Thaçi lexoi Deklaratën e Pavarësisë në Kuvendin e Kosovës. Sot, ai beson se ky shtet është një tregim i suksesit, por ende jo edhe i mrekullive, sidomos nga rrafshi i zhvillimit ekonomik.

“Pavarësia e Kosovës ka sjell konsolidimin dhe forcimin e saj, ka rritur e fuqizuar subjektivitetin e saj në arenën ndërkombëtare. Kemi rritur në masë të theksuar mirëqenien sociale të qytetarëve, por nuk i ka sjell mrekullinë ekonomike”.

“Prandaj, ne duhet të punojmë edhe më tepër që Kosovën ta bëjmë atdhe të të gjithë qytetarëve, në mënyrë që secili qytetar të ndihet mirë e krenar për të jetuar. Jam optimist se do të ndërtojmë një Kosovë evropiane, të zhvilluar dhe me mirëqenie sociale të qytetarëve, siç e meritojnë”,
thotë Thaçi për Radion Evropa e Lirë.

Për dallim nga katër përvjetorët e parë, sivjet shteti i Kosovës shënon Ditën e Pavarësisë pa mbikëqyrjen ndërkombëtare. Shtetet mike që e ndihmuan në shpalljen e pavarësisë, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e Bashkimit Evropian që e njohën Kosovën dhe Turqia, vlerësuan se Kosova kaloi testin e mbikëqyrjes dhe se tash e tutje mund të ecë vetë, ndonëse me një asistencë të theksuar në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit që do t’i japë asaj misioni i BE-së për sundim të Ligjit, EULEX.

Isa Mustafa

Isa Mustafa

Lideri opozitar, Isa Mustafa, thotë ka shumë përparime, por mungesa e zhvillimit ekonomik, ngecjet në sundimin e ligjit dhe dukuritë negative janë të metat që kanë përcjellë ndërtimin e shtetit të Kosovës.

“Natyrisht që kërkesat edhe pritjet tona kanë qenë shumë më të mëdha. Ajo çfarë unë mendoj se kemi ngecur dhe që do të duhej të ishte dashtë të bëhej më shumë dhe, është që të punohet në zhvillimin ekonomik, sepse jemi në një gjendje shumë të keqe ekonomike, me papunësi të madhe, varfëri të madhe dhe, po ashtu, në forcimin e shtetit ligjor, në mënyrë që ta tejkalojmë këtë situatë”.

“Por, ne megjithatë duhet t’i respektojmë të gjithë hapat që janë bërë për ndërtimin e shtetit të Kosovës. Të gjithë kemi pasur aspiratë që ta bëjmë shtetin tonë, e kemi bërë, prandaj edhe duhet ta respektojmë e ndërtojmë”, shprehet Mustafa.

Nga ana tjetër, në analiza politike shteti i Kosovës kryesisht shihet se ka ndikuar pozitivisht në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

Drejtori i institutit KIPRED, Ilir Deda, thotë se shteti i Kosovës ka ngecje të shumta, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë të ndërtimit të subjektivitetit të saj ndërkombëtar.

Ilir Deda

Ilir Deda

“E shohim se Kosova nuk ka mbërri, as pas pesë vjetësh, që ta rrumbullakojë legjitimitetin e saj të plotë ndërkombëtar. Ende negocion me Serbinë për çështje të brendshme, domethënë për veriun e Kosovës. Për shkak të keqqeverisjes, nuk ka mbërri të tërheqë investitorë të huaj seriozë, domethënë ka stagnim ekonomik, e të mos flasim për përshkallëzimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pas përfundimit të procesit me Serbinë, duhet të fillojë edhe procesi i vërtetë i demokratizimit të Kosovës”, vlerëson Deda.

Për pesë vjet shtet, Kosovën e kanë njohur afër 100 shtete. Ajo ka arritur të anëtarësohet në Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën për Rindërtim dhe Zhvillim.

Por, as pas pesë vjetësh, Kosova nuk është afër të sigurojë një ulëse në Kombet e Bashkuara. Ajo ka mungesë të njohjeve nga pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe mbetet larg proceseve integruese, kurse së fundi i është shtyrë perspektiva e liberalizimit të vizave.

pamundësi që të mbrojnë ngjyrat e shtetit më të ri për shkak të mosanëtarësimit në federata e organizata ndërkombëtare, sportistët më të mirë kosovarë kryesisht sigurojnë pasaportën e Shqipërisë dhe futen nën petkun kuq e zi.

Në analiza të instituteve me renome botërore, Kosova renditet në mesin e vendeve pjesërisht të lira, kurse në kuadër të hartës evropiane, ajo mbetet ende vendi më pak i zhvilluar ekonomikisht.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG