Ndërlidhjet

Pavarësisht përpjekjeve të sportistëve dhe përgjegjësve të sportit në Kosovë, që të thyhen barrierat e izolimit të sportit kosovar në arenën ndërkombëtare, pjesëmarrja e këtyre sportistëve në Lojërat Olimpike të radhës në Londër, qoftë nën flamurin e Kosovës, qoftë në flamurin olimpik, është pamundësuar.

Ky është rezultati, i cili ka dalë nga mbledhja e fundit e Komitetit ekzekutiv të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, që u mbajt në Kuibek të Kanadasë, të cilin për së afërmi e kanë përcjellë edhe përfaqësuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, si dhe të institucioneve të vendit, përgjegjëse për sportin.

Besim Hasani, kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës, thotë se Majlinda Kelmendi, sportiste e mundjes, e cila ka arritur normat olimpike, pavarësisht kërkesës së saj, nuk do të mund të garojë nën flamurin e shtetit të saj.

“Do të thotë që kjo ka qenë dëshira e Majlindës - që të prezantojë Kosovën në Lojërat Olimpike ‘Londra 2012’, mirëpo nuk e lejuan. Ndikimet janë të të gjitha natyrave. Do të thotë, besoj që të ketë këtu edhe të karakterit politik, por edhe ndërmjetësime të llojllojshme”, thotë Hasani.

Majlinda Kelmendit, madje, nuk i është mundësuar pjesëmarrja as nën flamurin olimpik dhe rrjedhimisht, ajo do të marrë pjesë në Olimpiadën në Londër duke përfaqësuar Shqipërinë.

Por, a ka prapavijë politike bllokimi i pjesëmarrjes së sportistëve kosovarë në Lojëra Olimpike?

Lidhur me këtë çështje, Malësor Gjonbalaj, këshilltar politik i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, thekson:

“Ne po mundohemi që ta përfaqësojmë sportin tonë. Absolutisht që barrierat e vëna shpeshherë janë të ndikuara politikisht, të mos përmend vende të huaja, të cilat nuk i dëshirojnë të mirën Kosovës, duke filluar nga Serbia”.

“Megjithatë, unë nuk do të hyj në këtë spektrin e politikës. Dëshiroj të theksoj se në kuptimin sportiv, ne e meritojmë dhe këtë meritë, këtë të drejtë tonën legjitime dhe legale do ta dërgojmë deri në fund, duke i ndjekur të gjitha rrugët e mundshme legale”.


Komiteti Olimpik Ndërkombëtar i ka dy kushte për pranimin e vendeve anëtare të saj. Kushti i parë është që ai vend t’i ketë 5 federata sportive të pranuara në federatat gjegjëse ndërkombëtare, ndërkaq, kushti i dytë është që vendi i caktuar të jetë i njohur ndërkombëtarisht.

Hasani thotë se Kosova po bllokohet për shkak të kushtit të dytë, në të cilin, sipas tij, politika i ka futur gishtat.

“Realisht, Komiteti Olimpik i Kosovës nuk ka mundur të aplikojë pikërisht për shkak të këtij kushti politik që është paraparë me’ Kartën olimpike’ dhe vetvetiu do të duhej që edhe Bordi ekzekutiv i Komitetit Olimpik ndërkombëtar të anojë nga sporti, e jo nga politika”, sqaron Hasani.

Megjithëse Kosova tashmë ka njohjen ndërkombëtare të 90 vendeve të botës, sipas Gjonbalajt, kushti i dytë për pranimin e Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar interpretohet në mënyra të ndryshme nga drejtuesit e këtij komiteti.

“Në ‘Kartën olimpike’ shkruhet që një vend duhet të jetë i njohur nga bashkësia ndërkombëtare. Këtë nocion e interpretojnë sipas dëshirës së tyre. Ne kemi kërkuar në shumicën e rasteve që të na interpretohet në mënyrë të drejtë se çka do të thotë kjo”.

“Në anën tjetër, secili pjesëmarrës ose në fakt, Komiteti ekzekutiv i Komitetit Olimpik e interpreton si ‘njohje nga Kombet e Bashkuara’”
, shprehet Gjonbalaj.

Gjonbalaj thekson se institucionet qeveritare përgjegjëse për sportin në Kosovë, nuk do të dekurajohen, por do të vazhdojnë të veprojnë për t’i thyer barrierat që e bllokojnë ndërkombëtarizimin e sportit kosovar.

Në anën tjetër, ditë më parë, Federata Ndërkombëtare e Futbollit, e njohur si FIFA, ka marrë vendim që Kosovës t’i mundësohen ndeshjet miqësore ndërkombëtare.

Ky vendim është kundërshtuar nga Federata e Futbollit të Serbisë, e cila ka kërkuar anulimin e vendimit të FIFA-s. Por, Fadil Vokrri, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës, ka thënë se vendimi i FIFA-s është i pakthyeshëm dhe se përpjekjet e palës serbe që përmes barrierave politike ta bllokojnë futbollin kosovar të dalë në arenën ndërkombëtare, do të dalin huq.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG